"Ora e Debatit", standardet e zgjedhjeve të 2009-ës

Emisioni "Ora e Debatit", drejtuar nga gazetari Alfred Peza, kishte në fokusin e saj zgjedhjet parlamentare. Zgjedhjet e 2009-ës, janë zgjedhjet e shtata parlamentare për Shqipërinë, dhe kryefjala e tyre është fakti nëse ato do të jenë të lira dhe të ndershme. Për më shumë se dy orë, ministri i Brendshëm Bujar Nishani, u përball me pyetjet e gazetarëve për punën që është bërë në ngritjen e infrastukrurës për të garantuar zgjedhje demokratike. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani deklaroi se fakti që kemi arritur në procesin e letërnjoftimit elektronik reflekton punën intensive të qeverisë. "Nuk do lejojmë publikime dhe mungesa emrash në listën e zgjedhësve. Të gjitha letërnjoftimet dhe pasaportat janë të prodhuara dhe janë në Shqipëri, në qendrat që ne kemi krijuar ne do të bëjmë personalizimin e tyre në mënyrë elektronike", theksoi Nishani. Në mënyrë eksluzive për Ora News, Bujar Nishani deklaroi se ditën e hënë nis prodhimi i kartave dhe pas 10-të ditësh nis shpërndarja e tyre. "Ne kemi realizuar një regjistër elektronik shumë të mirë, sepse në mungesë të tij nuk do kishim të dhëna të sigurta për kartat dhe pasaportat", shtoi ai. Nishani theksoi se lista paraprake e saktë e zgjedhjeve do të bëhet me dije gjatë javës së ardhshme. Analisti Andrea Stefani vlerësoi se edhe në këto zgjedhje pavarësisht premtimeve qytetarët nuk janë të sigurt se zgjedhjet do te jenë të ndershme. "Çështja e letërnjoftimeve dhe pasaportave lidhet edhe me faktin që nuk udhëtojmë dot lirisht jashtë shtetit, dhe jo vetëm me votimin", tha ai. Sipas analistit, zgjedhjet e kompormentuara do ishin një "dënim" për integrimin e vendit, por edhe për qytetarin e thjeshtë. Zëvendës drejtoresha e lajmeve në Vizion+ Valbona Kurti,u shpreh se e tremb ideja se edhe në këtë vt, OSBE-ODHIR do t'i cilësojë edhe këto zgjedhje të dështuara. "Megjithatë në këtw vit shpresoj për zgjedhje të lira", u shpreh ajo.
Kryeredaktori i gazetës "Tirana Observer", Roland Qafoku theksoi se politika nuk ka vullnet për të realizuar zgjedhje të lira. "Pika jonë më e dobët janë zgjedhjet, dhe nëse edhe në këtë vit do të ketë dështim do jetë një ndëshkim i rëndë, sepse jemi para disa proceseve integruese", tha ai. Pyetjes së sondazhit nëse do kemi zgjedhje të lira 62.1 % e votuesve votuan pro dhe 37.9 % votuan kundër.