Meta:LSI, program për mirëqenien e shqiptarëve

LSI ka mbledhur strukturat e kryeqytetit në kuadër të përgatitjes së fushatës për zgjedhjet e 28-qershorit. Në fjalën e tij, kryetari i saj, Ilir Meta, deklaroi se Shqipëria ndodhet para sfidës së madhe për të garantuar një të ardhme me dinjitet për të gjithë. "Shqipëria do ndryshojë, sepse në 28 qershor shqiptarët do bëjnë zgjedhjen e duhur, për të zgjedhur partinë që mendon për mirëqenien e tyre", tha ai. "Ne po punojmë për një program konkret antikrizë, që mposht varfërinë dhe zhvillon integrimin dhe sipërmarrjen", vazhdoi Meta. Sipas tij, shqiptarët po luftojnë çdo ditë me varfërinë, por së shpejti do të vijë progresi për të gjithë komunitetin. "Në program do jetë një pikë e veçantë që do të mundësojë punësimin e shpejtë të atyre që luftojnë për të siguruar ushqimin e ditës", theksoi Meta. Sipas tij, shqiptarët luftojnë për jetë në spitale pa ilaçe, por progarami i LSI-së parashikon spitale me kushte normale dhe dinjotoze. "Ne garantojmë hapjen e tregut për investimet vendase dhe të huaja, ne do të ulim ndjeshëm varfërinë", tha kryetari i LSI-së. Meta theksoi se LSI-ja do mbrojë të drejtat e ushtarakëve, sepse kanë sakrifikuar në shërbim të atdheut.