Belgjika ratifikon protokollin e anëtarësimit në NATO

Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë përshëndeti vendimin e Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Belgjikës, e cila pas senatit belg, ka ratifikuar Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Belgjika është vendi i 19-të anëtar që ratifikon Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut."Ky vendim është shprehje e mbështetjes së vazhdueshme të Belgjikës për procesin e integrimit Euroatlantik të Shqipërisë dhe i shërben konsolidimit të mëtejshëm të sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor", thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Jashtme.Gjithashtu, ministria e Punëve të Jashtme shprehu bindjen se proceset e ratifikimit të Protokolleve të Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë do të përfundojnë përpara Samitit të Strasburg - Kehlit, në mënyrë që të dy vendet të bëhen anëtarë me të drejta të plota të NATO-s në këtë Samit.