Ora e luleve nganjëherë ecën më ngadalë

Natyralistit suedez Carl von Linné i duhej vetëm të shikonte nga dritarja një parcelë lulesh për të cilën përkujdesej vet për të ditur se sa është ora. Thuhet se ai mund ta lexonte kohën nga parcela e luleve me saktësi deri në pesë minuta.
Kjo për faktin se llojet e ndryshme të bimëve çelin në kohë të ndryshme të ditës: gjëmbaçi diku në mëngjes prej orës gjashtë deri në ora 12, tërfili i pyllit mes orës 10 dhe 16, lulja e lëpushtrës së kënetës qëndron e hapur nga ora 8 deri në ora 21.
Por ajo çfarë nuk e dinte atëherë ende Carl von Linné: këtyre kohëve i qëndrojnë besnik këto bimë vetëm nëse lulet e tyre pjalmohen me kohë nga insektet.
Jo aq e besueshme sa është menduar
Gati 300 vjet është besuar se çelja e luleve varej kryesisht nga ajo se sa dritë dhe sa ngrohtë është. Një ndikim të vogël mendohej të kishte edhe lagështia e ajrit dhe e ashtuquajtura ora e brendshme e bimës. Megjithatë një rol të madh e luan po ashtu nëse lulja është vizituar nga insektet pjalmuese. Në këtë përfundim kanë ardhur hulumtuesit e Universitetit Göttingen.
Lulja e malit me emrin latinisht Crepis capillaris, mbyll lulet e saj të verdha në rrethana normale - nëse të pranishme janë mjaft bletë - rreth orës 13. Në parcelat të cilat hulumtuesit i kanë mbyllur me kafaze me pëlhurë kundër të gjitha insekteve është vërejtur se Crepis capillaris mban të hapura lulet e tij deri në ora 19: siç duket deri atëherë lulet presin që të pjalmohen. Natën të gjitha lulet rregullisht qëndrojnë të mbyllura pavarësisht vizitës së bletëve.
Kur ishin të pranishëm pjalmuesit interesoheshin për lulen e malit Crepis capillaris kryesisht mes orës 10 dhe 11, pasdite në radhë ishin lloje të tjera të luleve, shkruajnë biologu Jochen Fründ dhe kolegët e tij.
Kjo mund të shpjegohet kështu: pasi që bimët i hapin lulet e tyre për insektet në kohë të ndryshme, ato konkurrojnë më pak me njëra-tjetrën dhe pasdite bletët drejtohen automatikisht aty ku nuk ka pasur pjalnim paradite. Një bimë me lule të mbyllura humb po ashtu më pak ujë.
Pa pjalmim ora e luleve ecën më ngadalë
Pjalmimi artificial ka efektin e njëjtë si vizita e një blete: kur studiuesit kanë mbuluar një kompozite me një lule tjetër të llojit të njëjtë lulja e pjalmuar në mënyrë artificiale është mbyllur prej një deri në dy orë.
Vetëm tek një specie, përkatësisht te luleradhiqja e zakonshme "Taraxum officinale", pllenimi nuk ndikon tek mbyllja e luleve. Nuk është çudi, pasi që luleradhiqja shumëzohet pa gjini. Në këtë mënyrë ajo i përmbahet saktësisht orarit të çeljes së luleve.
Se si rrah ora e luleve, sipas shkencëtarëve të Göttingenit varet nga shumë faktorë. Por një gjë është e qartë: pa pjalmim ora e luleve ecën më ngadalë. /dw/