E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oret e kryebashkiakut Roshi ne qeline e Drejtorise se Policise se Tiranes

Policia e Tiranës i ofron trajtim ndryshe nga të shoqëruarit e tjerë kryetarit të bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi.  Është vendosur në një qeli më vete. Në qelinë për femrat, e sapo inauguruar në bllokun e qelive në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.  Kjo sipas burimeve për shkak të kushteve më të mira që paraqet kjo qeli. E vetmja kërkesë e tij kanë qenë gazetat e të hënës, për të lexuar sesi është trajtuar incidenti për të cilin ndodhet i ndaluar.  Për të ngrënë, i është ofruar supa dhe turli me mish, nga ushqimet që u ofrohen të shoqëruarave apo arrestuarve në polici.  Për të pirë, bidona me ujë pa gaz, pa tapë.  Vetë Roshi, nuk ka pranuar ende të japë deklarimet e tij me shkrim për ngjarjen, pa qenë prezent avokati i tij.  Burimet policore thanë se transferimi nga ambientet e izolimit të Kavajës është kryer për shkak të sigurisë dhe kushteve më të mira të trajtimit që ofrojnë birucat në drejtorinë e Tiranës. 7 të ndaluarit e tjerë, ndodhen në ambientet e izolimit të Komisariatit në Kavajë. Ndërkohë drejtuesit e klubit të futbollit Partizani, kanë urdhëruar moskomunikimin me mediat të trajnerit Nevil Dedja. Kjo sipas burimeve nga klubi, për të mos ndikuar në vendimet dhe hetimet e drejtësisë. Në stadiumin Dinamo, stërvitja e ekipit ka vijuar si në një ditë normale. Vetë trajneri ka shpjeguar në orët e vona të së djelës versionin e tij rreth ngjarjes që shkaktoi reagimin e dhunshëm të Roshit, dhe më pas të mbështetësve të tij pranë komisariatit.
Ngjarja në Kavajë
Kryebashkiaku i Kavajes Elvis Roshi eshte arrestuar, pas dhunes se ushtruar ne stadiumin e kavajes gjate ndeshjes mes Besës dhe Tiranës, ndaj trajnerit te skuadrës mike, Nevil Dede. Ai akuzohet per goditje per shkak te detyres, kercenim te jetes per shkak te detyres dhe kundershtim dhe mosbindje ndaj forcave te policise.  Vetë Nevil Dede, për "abc neës" kadeklaruar se është goditur nga Roshi dhe se në momentin e ngjarjes ka pasur dëshmitarë, mes te cileve edhe Presidenti i Besës, i cili i ka kërkuar ndjesë për këtë veprim. "Ndihem i tronditur, - u shpreh Dede në lidhje telefonike, - kryebashkiaku me goditi dhe kërcënoi. Nuk pati asnjë arsye, ndërsa unë thjesht kritikova gjendjen e fushës. Dede vazhdoi duke thënë se ka bërë denoncimin në polici. Ai pohon se nuk ka asgjë personale me kryebashkiakun Roshi, por politika po e keqpërdor sportin. Ngjarja ka ndodhur në pushim të ndeshjes, në korridoret e ambienteve të brendshme të stadiumit, ndërsa skuadrat ishin në dhomat e zhveshjes.  Dede ka vazhduar të qendrojë në stolin e Tiranës edhe në pjesën e dytë, ndërsa ka shkuar për të bërë denoncimin e rastit në komisariatin e policisë në Kavajë pas përfundimit të takimit.
Braçe: Ngjarjet në Kavajë tërësisht politike, nuk i besoj as Dedes dhe as Rroshit Ajo që po ndodh që dje në Kavajë është tërësisht politike dhe nuk ka lidhje me futbollin. Është ky mendimi i deputetit socialist Ejron Braçe, i cili nga profili i tij në Facebook deklaron se nuk i beson asnjërës prej palëve: as trajnerit të Tiranës Nevil Dede dhe as Kryebashkiakut socialist të Kavajës, Elvis Rroshi.  Sipas tij e vetmja provë e dokumentuar për ngjarjet është një fotografi ku trajneri i Tiranës shfaqet ndërsa bën grushtin drejt tifozëve të Kavajës, duke i akuzuar ata si komunistë.  Braçe ka kërkuar që të hetohet jo vetëm konflikti mes Dedes dhe Rroshit, por edhe dhuna që, sipas tij, forcat speciale të policisë kanë ushtruar ndaj qytetarëve të Kavajës. Braçe i ka cilësuar këto forca si “bandë e lëvizshme e policisë së shtetit”.  Deri tani, për ngjarjen, nuk ka ardhur asnjë reagim zyrtar nga Partia Socialiste. 
Noka: Pretendimi për iskenim i Roshit është një përrallë Është apo jo arrestim politik? Ky është debati qe ka përfshire kryebashkiakun e Kavajës e Ministrin e Brendshëm.   Elvis Roshi pretendon se arrestimi i tij nga policia është bere për qëllime politike.  Avokati I tij tha per “ABC News” se ndalimi kryebashkiakut te Kavajes është bërë me urdhër të Ministrit të Brendshëm z.Flamur Noka. I pyetur për arrestimin e kryebashkiakut të Kavajës, ministri Noka ka deklaruar se nuk merret me përrallat e Elvis Roshit “Nuk kam urdhëruar arrestimin e kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi. Pretendimi për iskenim i kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi është një përrallë”, deklaroi Noka.  Nga ana e tij, Avokati i Popullit, Totozani ka deklaruar se po vlerësohet ngjarja.  “Kam dërguar dje në Kavajë dy komisionerë për të vlerësuar konfliktin Dede-Roshi. Kemi marrë kontakt me kryebashkiakun e Kavajës, Roshi dhe po mbledhim fakte” vlerësoi Totozani. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›