E Diel, 1 Nëntor 2026

Orët shtesë do të paguhen tani që u mbyll viti

Mësuesit, nënshkruhet marrëveshja për miratimin e kontratës së punës, saktësohet mosha e pensionit

Më në fund mësuesit kanë marrë lajmin e mirë, ata nuk do të punojnë më vullnetarisht për orët suplementare. Për të gjitha orët jashtë kohës zyrtare në punë, arsimtarët do të paguhen, ndërkohë që kjo e drejtë do t’u njihet në mënyrë ligjore, në bazë të marrëveshjes së lidhur dje nga sindikatat e mësuesve dhe Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës. Sipas kësaj marrëveshjeje, mësuesit do të shpërblehen për punë ekstra, kryesisht për konsultimet e kryera fill pas urdhrit të afishuar nga ministri i Arsimit, pesë muaj më parë. Nga ana tjetër, mësuesve u është garantuar, se ashtu siç kishin kërkuar do të marrin pagesat ekstra për punën shtesë, jashtë orarit zyrtar. Ajo që mbetet për konfirmim mes palësh është koha kur do të hyjë në fuqi marrëveshja, pasi viti shkollor mbyllet pas një jave. Në këtë rast, për marrëveshjen e palëve do të shkonte për shtat shprehja: “U kujtuan si Kofini pas të vjelave”...

Punonjësit e arsimit që do të dalin në pension vetëm dy muaj përpara përfundimit të vitit shkollor, do të vazhdojnë të japin mësim deri në përfundim të vitit. Ky është një nga ndryshimet më të fundit të parashikuara në kontratën kolektive të punës për katër vitet e ardhshme në Shqipëri. Ndër të tjera, në kontratë përcaktohet statusi, përpunimi, përgatitja, si edhe miratimi i Kodit Etik të mësuesit. Kontrata kolektive e punës nuk përfshin vetëm mësuesit, por edhe pedagogët e arsimit të lartë. Rëndësia e saj qëndron sidomos te rregullimi i marrëdhënieve të punës ndërmjet tyre. Kjo konsiston në krijimin e marrëdhënieve korrekte dhe cilësore të punës, por edhe në ndërprerjen përfundimtare të punësimit tyre. “Një element i rëndësishëm i kontratës është saktësimi i moshës së pensionit për punonjësit e arsimit”, theksoi ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj gjatë këtij takimi. Sipas tij, në rastet kur mësuesve, pedagogëve, do t’u duhet të dalin në pension vetëm dy muaj para përfundimit të vitit shkollor, apo akademik, do t’u krijohet mundësia që të vazhdojnë të japin mësim deri në përfundim të vitit shkollor. “Ne e kemi objektiv të qartë të programit tonë politik. çdo reformë në arsim ka vetëm një çelës suksesi dhe ky është mësuesi. Ne jemi të interesuar që statusi i tij të vijë duke u përmirësuar dhe raportet e marrëdhënieve të punës të jenë në përputhje me standardet europiane”, shtoi Tafaj. Pas negociatave të vazhdueshme, palët vendosën që të përsërisin kontratën e datës 4 korrik 2006, duke i bërë asaj ndryshimet, plotësimet, përmirësimet e nevojshme. Po ashtu duke e shtrirë këtë kontratë për një periudhë kohore katërvjeçare, deri më datë 31 dhjetor 2014. Këto elemente të kontratës së punës janë të përfshira në një draft rregullore, e cila përcakton saktësisht statusin e mësuesit në vendin tonë. Marrëveshja për nënshkrimin e kësaj kontrate është miratuar dje, gjatë një takimi pune ndërmjet Ministrisë së Shkencës dhe sindikatave të arsimit. Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin edhe kryetari i federatës së sindikatave të arsimit dhe shkencës, Xhafer Dobrushi, si edhe kryetari i sindikatës së pavarur të arsimit, Bajram Kruja.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›