E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, lirohet polici që vrau shqiptarin

Observatori Grek për Traktatin e Helsinkit, që denoncoi faktin e shpalljes së pafajshëm të autorëve të kësaj ngjarjeje

Drejtësia greke ka liruar nga burgu një punonjës policie, i cili akuzohej për vrasjen e shqiptarit Luan Bërdëllima në muajin gusht të vitit 2004. Denoncimi është bërë nga Observatori Grek për Traktatin e Helsinkit, që denoncoi faktin e shpalljes së pafajshëm të autorëve të kësaj ngjarjeje. Pas përfundimit të hetimit në maj 2007, drejtësia greke vendosi përjashtimin arbitrarisht, në mënyrë të paligjshme dhe ndoshta me qëllim, të të afërmve paditës civilë të viktimës dhe avokatit të tyre përfaqësues nga vazhdimësia e procesit. Më 21 janar 2010, gjyqtarët e Gjykatës së Thivës vazhduan me gjykimin dhe lirimin e të dyshuarit si shkaktar të vrasjes. Pas këtyre vendimeve, çështja është dërguar në Gjykatën e Strasburgut.

Observatori Grek ka ofruar ndihmë ligjore falas për tre të afërmit e Luan Bërdëllimës, viktimë e vrasjes në gusht 2004 nga dy persona duke përfshirë edhe një oficer policie sipas denoncimit. Më 16 shkurt 2010, ata kërkuan leje hyrjeje në këtë dosje procesi gjyqësor dhe u ankuan për hetimin paraprak si të papranueshëm me qëllim fshehjen e bashkëfajësisë së policit të denoncuar. Me gjithë interesimin e Observatorit Grek gjyqi u zhvillua më 15 dhe 21 janar 2010 ku i dyshuari i denoncuar u la i lirë njëzëri. Gjykata vazhdoi procedurën e gjykimit të padisë, në praninë e vetëm pesë dëshmitarëve nga 13 të thirrur. Në listën e dëshmitarëve nuk janë përfshirë si palë civile prindërit e viktimës. Në këtë proces nuk janë thirrur përfaqësuesit ligjorë. Observatori grek për Traktatin e Helsinikit i kërkon Prokurorisë së Gjykatës së Lartë të rihetojë këtë çështje dhe të urdhërohet kontroll për abuzimet me këtë çështje.

Luan Bërdëllima u vra nga policia greke më 20 gusht 2004. 36-vjeçari nga Gramshi, i cili jetonte familjarisht në Athinë, u qëllua për vdekje nga një polic special. Në lokalin ku viktima shikonte ndeshjen hyri policia dhe duke i sharë dhe ofenduar kërkoi t’u bënte kontroll shqiptarëve. 36-vjeçari protestoi duke treguar dokumentet e rregullta dhe i kërkoi policit grek të mos e ofendonte. Por polici grek nxori pistoletën dhe e qëlloi me një plumb në kohë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Përveç qëndrimit të opinionit publik në Tiranë, në Greqi nuk pati asnjë reagim.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›