Organizata Reporterët pa Kufij kritikojnë kryeministrin: Edi Rama akuzoi pa baza pronarin e News24!
Organizata Reporterët pa Kufij ka reaguar për situatën në Shqipëri, teksa ka dënuar sulmin e kryeministrit Edi Rama ndaj News24, veçanërisht ndaj pronarit të medias për pasqyrimin e protestës së studentëve dhe të rinjve.

Në një deklaratë zyrtare, Reporterët pa Kufij shprehen se sulmet e Edi Ramës ndaj pronarit të News24 janë të pa baza.
“Përveç kërcënimeve me të cilat përballen gjatë raportimit në terren, gazetarët përballen edhe me intimidim nga Kryeministri i Shqipërisë, një vend që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE). Më 18 tetor, për shembull, Kryeministri Edi Rama akuzoi pa baza pronarin e News24 se po sajonte raportime për revoltën e studentëve, me qëllim rrëzimin e qeverisë”, theksojnë Reporerët pa Kufij.

Ndërkohë që në raport evidentohen dhe rastet e dhunës policore ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias.
“Të paktën 12 gazetarë dhe punonjës të medias u sulmuan fizikisht gjatë mbulimit të protestave në Shqipëri, nga data 13 deri më 19 tetor. Shumica e këtyre incidenteve përfshinin efektivë të policisë. Organizata Reporterët pa Kufij (RSF) dënon dhunën dhe kërkon masa ndëshkuese ndaj personave përgjegjës, zbatimin e masave ekzistuese për mbrojtjen e sigurisë së gazetarëve, si dhe shqyrtimin nga Parlamenti të reagimit të autoriteteve.
RSF ka dokumentuar 28 raportime për dhunë, kërcënime dhe përpjekje për të penguar raportimin e lajmeve, të cilat kanë prekur të paktën 23 profesionistë të medias në Shqipëri, nga data 13 deri më 19 tetor.
Të paktën 10 incidente përfshinin përdorimin e drejtpërdrejtë të forcës fizike ndaj të paktën 12 gazetarëve, përfshirë goditje me grushte, shkelma, shtyrje dhe largimin e tyre me forcë nga vendet ku po raportonin.
Disa gazetarë kanë raportuar se u janë sekuestruar telefonat ose janë bërë përpjekje për t’ua marrë, se u janë dëmtuar pajisjet e punës, si dhe se kanë pësuar lëndime nga mjetet që policia përdor për kontrollin e turmave.
Përveç kërcënimeve me të cilat përballen gjatë raportimit në terren, gazetarët përballen edhe me intimidim nga Kryeministri i Shqipërisë, një vend që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE).
Më 18 tetor, për shembull, Kryeministri Edi Rama akuzoi pa baza pronarin e News24 se po sajonte raportime për revoltën e studentëve, me qëllim rrëzimin e qeverisë” .
Deklarata e Reporterëve pa Kufij (RSF)
“Megjithëse situata që lidhet me protestat e studentëve është e tensionuar, gazetarët duhet të jenë në gjendje të dokumentojnë veprimet e policisë pa u rrahur, pa u shtyrë, pa u ndaluar apo pa u penguar në ndonjë mënyrë tjetër që të filmojnë.
Nëse profesionistët e medias respektojnë udhëzimet e ligjshme të policisë, efektivët e policisë duhet të garantojnë të drejtën e tyre po aq të ligjshme për të raportuar.
Autoritetet duhet të zbatojnë udhëzimet ekzistuese për sigurinë e gazetarëve dhe të ndëshkojnë çdo sjellje agresive nga efektivët e policisë dhe protestuesit.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje Kryeministrit Edi Rama të ndalojë intimidimin e mediave për raportimin e protestave, pasi kjo është puna e tyre.
I bëjmë thirrje Parlamentit shqiptar të shqyrtojë sjelljen e dhunshme të policisë, ndërsa Bashkimit Evropian të vlerësojë se si po zbatohen në praktikë angazhimet e vendit kandidat për lirinë e medias.”
Dhuna ndaj gazetarëve më 18 tetor
Vetëm më 18 tetor, të paktën tetë punonjës të medias raportuan se ishin përballur me abuzime nga policia.
Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), policia ndaloi me forcë fotoreporterin Hameraldi Agolli, bashkëpunëtor i agjencisë Associated Press (AP), teksa ai ishte duke kryer detyrën. Ndërkohë, gazetari i News24, Renaldo Salianji, u godit fizikisht nga policia.
Taulant Kopliku i tha SYRI TV se një efektiv policie e goditi në shpatull dhe i mori telefonin, i cili iu kthye më pas, por me pamjet filmike të fshira.
Ndërkohë, SYRI TV raportoi se dy gazetarë të tjerë të këtij televizioni u sulmuan nga forcat e rendit në incidente të veçanta.
Marshi Korreshi u godit në shpinë me helmetë dhe u shty teksa raportonte drejtpërdrejt për një zjarr në Komisariatin e Policisë Nr. 3.
Ndërsa Elkier Bushkolaj u plagos në këmbë nga një predhë gome e policisë.
Gazetari Juljan Hoxha dhe fotoreporteri Felix Bilani u goditën gjithashtu, sipas raportimeve, në këmbë nga efektivët e policisë, të cilët i shtynë gazetarët me helmeta për t’i larguar nga zona përpara Kryeministrisë.
AGSH njoftoi gjithashtu se gazetarja e Klan Neës, Glidona Daci, u godit me gurë në një incident që u atribuohet efektivëve të policisë.
Gazetarët e Reuters u goditën me plumba gome
Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters raportoi se dy gazetarë të saj u goditën nga predha gome gjatë mbulimit të përplasjeve në Tiranë, më 17 tetor.
Fotoreporteri i pavarur zviceran Raimond Lueppken raportoi se, po atë ditë, po filmonte disa burra të veshur me të zeza në qytetin bregdetar të Durrësit, kur dy persona të tjerë me rroba civile iu afruan dhe i kërkuan të fshinte regjistrimin, gjë që ai refuzoi ta bënte.
Sipas informacioneve të RSF-së, grupi që ai kishte filmuar mbante jelekë me shenja identifikuese të policisë.
Fotoreporteri dyshonte se dy personat që iu afruan kishin lidhje me këtë grup, por identiteti i tyre dhe statusi si punonjës policie nuk janë konfirmuar.
Rasti i rëndë i kryeredaktorit të Dosja.al, Izmir Akulli
Një nga rastet më brutale ndodhi në fillim të protestave, më 13 tetor.
Izmir Akulli, kryeredaktor i medias online Dosja.al, u dërgua në spital pasi disa efektivë policie e goditën me shkelma dhe grushte pranë Bankës së Shqipërisë, teksa ai po filmonte ndërhyrjen e tyre ndaj një studenti.
Sipas dëshmisë së tij të publikuar, dhuna vazhdoi edhe pasi ai u identifikua si gazetar.
Policia pengoi gazetarin e News24, Osman Stafa
Përpjekjet për të penguar raportimin e lajmeve vazhdojnë.
Mbrëmjen e 19 tetorit, policia pengoi gazetarin e Neës24, Osman Stafa, dhe punonjës të tjerë të medias që të ndiqnin dhe të filmonin shoqërimet e kryera nga policia në rrugicat pranë Rrugës së Dibrës, në Tiranë.
Kjo u raportua nga News24.
Angazhimet për sigurinë e gazetarëve duhet të zbatohen
Sipas një deklarate të Rrjetit SafeJournalists, të publikuar më 18 tetor, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Shqipëri ka nisur shqyrtimin e rasteve të dyshuara të shkeljeve nga efektivët e policisë dhe shtatë prej tyre janë pezulluar nga detyra.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse këto masa lidhen me rastet që përfshijnë gazetarët.
Në një letër të hapur, të bashkënënshkruar nga RSF më 14 tetor, organizatat për lirinë e medias dhe shoqërinë civile kërkuan zbatimin e plotë të Udhëzuesit për Sigurinë e Gazetarëve, të miratuar nga Policia e Shtetit në maj 2025.
Organizatat kërkuan gjithashtu hetime të pavarura nga organet e mbikëqyrjes policore për rastet e pretenduara të dhunës dhe pengimit të punës së gazetarëve, si dhe zhvillimin e një seance të posaçme dëgjimore në Parlament për këtë çështje.
Megjithatë, incidente të tjera u raportuan edhe pas këtij apeli.