Organizatorët bëjnë thirrje për protestë para Kuvendit të Kosovës

PRISHTINË, 6 tetor/ATSH/ Organizatori i protestës së përnatshme në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, Çlirim Haziri, u ka bërë thirrje qytetarëve për t’u mbledhur para Kuvendit për të kërkuar kalimin në lexim të dytë të ndryshimeve të propozuara në ligjin për Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.
“Ejani në shesh pa dallime partie, pa dallime bindjesh politike, pa dallime mes nesh. Kjo protestë është për UÇK-në dhe gjakun e derdhur për lirinë. Është për historinë tonë. Për ne ky ligj është emergjencë. Protesta nuk është e një partie apo një grupi”, tha Haziri.
Kjo është nata e 21-të e protestës në këtë shesh të kryeqytetit kundër vendimit të Gjykatës Speciale për dënimin e katër ish-krerëve të UÇK-së me burim të përgjithshëm prej 81 vjetësh për krime lufte.
Thirrja e Hazirit vjen një ditë pasi protesta e mbrëmshme u përshkallëzua në dhunë dhe përleshje mes protestuesve dhe policisë, e cila për pasojë pati dhjetëra të lënduar nga të dyja palët.
Protesta u tensionua pasi Kuvendi nuk i votoi edhe në lexim të dytë ndryshimet e propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës për kufizimin e kompetencave të kësaj gjykate.
Haziri u bëri thirrje deputetëve të të gjitha partive të kthehen në Kuvend për ta votuar atë. /rel/