Organizatorët u dhurojnë filmin Elina
Të ulur shpengueshëm në karriget e kinoteatrit “Butrinti”, fëmijë të moshës 9-12 vjeçare janë në pritje të filmit të parë që do të çelë “Prolog Giffoni”-n në Sarandë. “Elina”, një prodhim suedezo-finlandez, ambientohet në Zvicrën e viteve ‘50. Elina është një bashkëmoshatare e tyre, një vajzë 9-vjeçare plot guxim. Në fakt, më e ngjashme është me një pjesë të atyre fëmijëve që u gëzohen titrave e më tej imazheve që shfaq ekrani i madh. Ata janë fëmijët e Shtëpisë së Fëmijëve Shkollorë të Sarandës. Ashtu si edhe protagonistët, ata i bashkon ndjesia e mungesës së figurës atërore. Elina e ka humbur të atin nga turbekulozi, kurse këta fëmijë nuk i kanë njohur asnjëherë prindërit e tyre. Përballë ekranit, kjo e bën më të fortë ndjesinë e tyre (herë e shfaqur, e herë e fshehur) përballë këtij filmi. Elina, e cila tashmë jeton me të ëmën, motrën dhe vëllain e vogël, është pjesë e një familje që i përket minoritetit finlandez, atë kohë i përbuzur. Vetë vogëlushja kishte mundur t’i bënte ballë sëmundjes së rëndë, por pas daljes nga spitali e ndjen shumë mungesën e të atit. E shëruar pas disa muajsh, Elina rikthehet në shkollë, por e gjen veten në një klasë të re. Pikërisht në klasën e mësueses së rreptë Tora Holm, e cila i detyron nxënësit finlandezë përmes ndëshkimesh të rrepta të mësojnë suedisht. Që prej ditës së parë, marrëdhëniet e Elinës me mësuesen nuk shkojnë mirë, sepse Elina kundërshton padrejtësitë edhe ndaj shokëve të saj. Filmi i regjisorit Klaus Haro ka qenë kandidat për çmime në festivale të ndryshme në kategorinë e filmave për fëmijë, si dhe ka marrë “Ariun e Kristaltë” në Berlinale. Pas projeksionit, herë në ndrojtjen e tyre dhe herë të nxitur nga dëshira për të folur, fëmijët e Shtëpisë së Fëmijëve Shkollorë kanë treguar momentet që u kanë pëlqyer më shumë, kanë folur për Elinën, për ëndrrat e saj dhe të tyre. Nisur nga ky projeksion, stafi i “Prolog Giffoni” vendosi të shkojë dje më afër këtyre fëmijëve. T’i vizitojë ata në shtëpinë e tyre dhe t’u bëjë edhe një dhuratë. Pikërisht filmin “Elina” dhe një platformë dixhitale. Në këtë vizitë, stafin e ka shoqëruar edhe kryetari i bashkisë, z.Edmond Gjoka. Pas një ndrojtjeje të parë, një bashkëbisedim spontan lind sërish mbi filmin. “Mua më pëlqeu më shumë pjesa kur vajza ëndërron babin që e merr në krahë. Edhe unë e kam parë këtë ëndërr”, thotë një prej tyre. Ky është i dyti rast që festivali “Giffoni” prek aspektin social të shoqërisë. Në muajt e fundit të vitit që shkoi, një tjetër film i “Giffoni”-it u projektua për të rinjtë në burgun e Kavajës. Pas Sarandës, “Prolog Giffoni” do të udhëtojë në qytetin turistik të Vlorës.
#