E Shtunë, 31 Tetor 2026

Testimet e mësuesve, këtë javë shpallen fituesit

Arsimi Ka përfunduar procesi i korrigjimit dhe sekretimit, pritet krijimi i rrjetit të të dhënave

Rezultatet e testimeve të mësuesve, të cilët kanë pesë, dhjetë apo pesëmbëdhjetë vite në arsim, do të shpallen këtë javë. Sipas Ministrisë së Arsimit, pritet që këtë javë drejtoritë rajonale të informohen për të gjithë procesin dhe njëkohësisht ta transmetojnë atë për të gjithë punonjësit e arsimit që iu nënshtruan procesit të testimit në të gjitha fazat.

Konkretisht, sipas Ministrisë së Arsimit, ka përfunduar procesi i korrigjimit të testeve, i sekretimit të tyre dhe aktualisht grupi i punës ndodhet në fazën e krijimit të të dhënave dhe procedurat e tjera të nevojshme për afishimin e rezultateve.

Mësuesit të cilët nuk e kanë kaluar testin, nuk do të penalizohen. Nëse ata nuk i kanë marrë pikët minimale, do t’i nënshtrohen edhe një herë testimit vitin e ardhshëm. Ndërkohë që të tjerët që arritën të kalojnë pragun e pikëve të nevojshme, do të përfitojnë rritje page në bazë të vjetërsisë në mësimdhënie 5%, 10% dhe 15%, përkatësisht për 5, 10 dhe 15 vite pune.

I gjithë testi ka 73 pikë, ndërsa vlerësimi maksimal është me 100 pikë, ku përfshihen edhe vlerësime të tjera. Sipas Ministrisë së Arsimit, me 85 pikë vlerësimi është shumë i mirë. Ndërkohë që portofoli ka 12 pikë, ata që kanë edhe bonuset, marrin shtesë edhe 15 pikë. Testi është i ndarë në dy pjesë dhe pjesa e parë vlerësohet me 22 pikë. Pjesa e parë e testit janë pyetje për të vlerësuar njohjet e mësuesve lidhur me udhëzimet, legjislacionin, ndryshimet, propozimet dhe çështjet ligjore të sistemit arsimor. Po ashtu, kjo pjesë përfshin edhe informacion për dokumentet dhe bazat ligjore që kanë lidhje me sistemin arsimor. Programi vendor i testit vlerësohet me shtatë pikë. Kjo do të thotë se mësuesit duhet të kenë njohuri jo vetëm për klasën ku japin mësim, por në tërësi për ciklin ku përfshihet kjo klasë.

Ana metodike, përgjigjet për këtë pjesë të testit, vlerësohen në total me 11 pikë. Ndërkohë që pikët më të mëdha për vlerësimin e mësuesve janë të përfshira në pjesën e testit për lëndën ku jepet mësimi.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›