“Revolucioni i fundit” në Europë

«Kontinenti i vjetër është bërë multietnik në një moment përhumbjeje », shpall pa u hamendur gazetari amerikan Christopher Caldwell, pendë e njohur e Financial Times, në hapje të librit Revolucioni i fundit i Europës, ese polemik rreth politikave migruese të përcaktuara nga paslufta deri sot nga vendet më të mëdha të Unionit. Për dallim me atë që ka ndodhur në Amerikë, ku portat kanë mbetur të hapura krah e krah, por gjithmonë ka vlejtur më shumë modeli i ‘melting pot’ dhe i njohjes eksplicite të vlerave SHBA, shton, në këtë breg të Atlantikut është bërë një gabim tej mase i rëndë, që është bërë pastaj burim rreziqesh: miliona grave dhe burrave në ardhje nga Azia apo Afrika iu është lejuar t’i ruajnë rregullat e veta në lëmin e religjionit dhe raporteve familjare. Me rezultatin se stilet e papranueshme të jetës, në veçanti nga ana e islamikëve më tradicionalistë, kanë minuar në thellësi rrënjët e bashkëjetesës civile dhe vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim të potencialitetit të lartë.
Në origjinë të problemit, argumenton Caldwell, qe një gabim i bërë nga të rinjtë në mbarim të konfliktit të dytë botëror, kur Britania e Madhe, Franca, Skandinavia dhe Vendet e Ulëta vunë në zbatim programe rekrutimi të punëtorëve me mëditje nga hapësira të tjera të planetit për t’i ushqyer ekonomitë e veta në rritje të madhe. Ekzekutivët menduan atëherë se lejet e qëndrimit do të ishin të përkohshme dhe i nënvlerësuan pasojat e hapjes së kufijve. «Askush – shkruan – s’e imagjinonte se mund të kishin një ditë të drejtën e mirëqenies sociale. Ideja, pastaj, që t’i ruanin zakonet dhe kulturën e fshatrave dhe klaneve prej nga vinin, tregjet dhe xhamitë e tyre, dukej tepër absurde që të mund bëhej sehir».
portat mbeten të hapura pa kontrolle të rrepta deri në vitet Shtatëdhjetë, një periudhë që Caldwell e gjykon skajshmërisht të gjatë, ngase mundësoi një vendosje mjaft të rrënjosur dhe në vijim e pengoi çdo përmbysje të tendencave, në kundërshtim me masat mbrojtëse në thelb pa efikasitet nën profilin praktik. Rreziku më i madh sot për Europën, pohon gazetari amerikan, është konstituuar nga besnikët e Islamit që refuzojnë të heqin dorë nga traditat e tyre dhe i rezistojnë integrimit. Ndryshe nga ajo që ndodh në ShBA, ku hierarkitë e vlerave të pranuara unanimisht parashikojnë në radhë të parë rëndësinë e identitetit amerikan e pastaj, vetëm në vijim, respektimin e rendeve religjioze.
«Pjesa më e madhe e myslimanëve – vëren – gjithmonë ka jetuar e ndarë nga pjesa tjetër e popullsisë, në vende që për shumicën e stërmadhe të evropianëve ishin territore të ndara. Në kushte të tilla izolimi, shumë lagje myslimane në metropolet dhe qytetet e vogla janë shndërruar në geto dhe rregulla të vetat. Me t’u mbyllur njëherë në vete ndonjëri nga këto komunitete, vetëm ai që përket në të është në gjendje të mund të “nxjerrë” diçka prej aty. E lagjet ku banojnë të bëjnë të mendosh për një territor të okupuar më shumë se sa për një rast të pasurimit multikulturor ».
Caldwell pastaj e gjykon të gabuar idenë se Europa nuk mund të bëjë me pa imigrantët ngase vetëm ata pranojnë punë që të tjerët s’duan t’i bëjnë. Sipas tij, në të vërtetë, bëhet fjalë për një formë shfrytëzimi «që të bën të mendosh për kapitalizmin më të keq me të cilin u mor Karl Marx », duke pasur parasysh se bazohet mbi një logjikë perverse pa rrugëdalje: vetëm ai që pranon të mbetet në margjina dhe nuk integrohet është i gatshëm për punë poshtëruese, ndërsa, përkundër tyre, pakica e asimiluar apo e asimilueshme kërkon zgjidhje më të mira. Me rezultatin e shumëfishimit të getove dhe rritjes së tensioneve shoqërore.
Çfarë të bëjmë tash? Caldwell mendon se rruga e vetme e përshkueshme, sado mes mijëra vështirësish, është ajo e ndërtimit të një identiteti të pranueshëm evropian që do të ishte në gjendje të tërheqë miliona imigrantët me qëndrim në kontinent, duke braktisur rrugët e ndryshme nacionale që, sipas tij, janë treguar shumë kufizuese. Multikulturalizmi holandez dhe britanik është i dobët barabar me mbrojtjen franceze të laicitetit. Në rast të kundërt, përfundon, “lufta e qytetërimeve” mes Perëndimit dhe Islamit do të shohë thyerjen e Europës. Ngase «kur një qytetërim i pasigurt, i brishtë dhe relativist, has në një ankorë doktrinash të hekurta që i ndërfusin besim dhe fuqi, historia na mëson se është përgjithësisht e para ajo që detyrohet të ndryshojnë për t’u uniformuar me tjetrën».