E Shtunë, 31 Tetor 2026

Orhan Jegeni: Në majin e ‘78-ës arritëm t’i merrnim Turqisë eshtrat e Abdyl Frashërit

Orhan Jegeni, kështu quhet njeriu më i afërt i trungut të Frashërllinjve të njohur. Mund të duket larg në histori, madje mund të duken tashmë edhe si emra abstraktë për shkak të periudhës së hershme kur ata kanë jetuar dhe kanë kryer aktivitetin e tyre, madje aq pak njihesh me rrethin e tyre gjenetik, sa shumë thjesht mund të mendosh se nuk kanë kënd që mund të jetë kaq i afërt në lidhjen e tyre gjakësore. Por jo. Kur ndesh persona konkretë, jo vetëm shokohesh, por edhe çuditesh me të panjohurat që mbështjellin jetën e tyre familjare. Dhe ja, ndërsa takohesh me Orhan Jegenin mëson lidhjen e tij të afërt me Abdyl, Sami dhe Naim Frashërin. As më pak dhe as më shumë, por nëna e tij ishte drejtpërsëdrejti mbesa e tyre. Pra ata ishin xhaxhallarët e nënës së tij, ashtu siç ishte Murat Toptani daja i nënës së tij. E pra, tashmë ke para Orhan Jegenin dhe befasohesh që rilindësit e mëdhenj paskan qenë kaq afër nesh. E ndërsa nuk na janë prezantuar ndonjëherë njerëzit e tyre, tashmë mësojmë edhe për fakte të tjera që s’janë njohur më parë. Kështu, mësojmë se nëna e Orhan Jegenit, që ishte pikërisht vajza e vëllait të Naimit, Samiut dhe Abdylit, në kohën që kanë ardhur eshtrat e Abdyl Frashërit, pra të xhaxhait të saj, ajo e ndiqte që nga internimi, ku ishte dënuar më shumë se një muaj më parë se ai të mbërrinte në Tiranë. Por mësojmë edhe detaje të tjera në lidhje me familjen e tyre. Naim Frashërit i ka vdekur një vëlla dhe pas kësaj ai u detyrua të martohet me të shoqen e tij shtatzënë. Madje vajzën që lindi, Naimi e dha në familjen e madhe të Toptanasve dhe pikërisht te Murat Toptani. Por këtë krushqi e ka pasur një tjetër, se motra e Murat Toptanit u martua me vëllanë e Naimit, nga të cilët lindi nëna e Orhan Jegenit. Pra, ata ishin gjyshërit e tij. Për më tepër le të mësojmë nga intervista ekskluzive e vetë Jegenit, i cili rrëfen për lidhjet dhe të panjohurat e Frashërllinjve të lavdishëm, si dhe historinë e ardhjes së eshtrave të tyre në Tiranë, ndërkohë që mbesa, si i vetmi person më i afërt i tyre, u dërgua në internim.
- Orhan Jegeni rrëfen të panjohurat e çuditshme të vitit ’78, kur qeverisë turke i rrëmbyem eshtrat e Abdyl Frashërit të varrosura në pjesën aziatike të Stambollit.
- Presioni i fuqishëm mbi qeverinë turke, i forcave balliste me banim në Stamboll, për moslejimin e eshtrave të Abdylit në Tiranën komuniste të Enver Hoxhës.
- Shansi i madh i diplomacisë komuniste, kur në Turqinë e ’78-ës, drejtimin e shtetit e mori qeveria e shqiptarit Bulent Eçevin.
- Çfarë kishte ndodhur saktësisht, kur në 28 marsin e ’78-ës, delegacioni i diplomatëve shqiptarë të kryesuar nga Xhorxhi Robo, kaloi kufirin me Turqinë për të ndaluar në Stambollin e Abdyl Frashërit.
- Kush ishin autoritetet e Stambollit të asaj kohe që u tronditën nga misioni i vajtjes së delegacionit shqiptar në varrin e Frashërllinjve të ndritur.
Udhëzimet që ata rekomanduan për lejen e Ankarasë, nëse do të bëhej e mundur hapja e varrit të burrit të Përmetit.
- Takimi surprizë në mëngjesin e ditës së nesërme, kur
delegacioni i Xhorxhi Robos, i shoqëruar nga konsulli Rakip Hoxha, u paraqit në zyrën e Ataturkut para Valiut të Stambollit.
- Çfarë ndodhi në Stamboll, atë ditë kur shqiptarët e Turqisë mësuan se ishte hapur varri i Abdyl Frashërit,
dhe historia emocionale e përcjelljes së arkivolit të tij deri në banesën e re të kodrave të Liqenit artificial në Tiranë.

(Vijon nga numri i kaluar)

E lamë bisedën e numrit të kaluar zoti Jegeni, te një moment tepër interesant, kur filluan tratativat nga qeveria komuniste për të sjellë në Shqipëri eshtrat e rilindësit të shquar, i cili është pikërisht xhaxhai i nënës suaj. Mund të përsërisim disi fillesën si lindi ideja e marrjes së eshtrave të tyre dhe si kanë vijuar peripecitë, të cilat për fat të keq pak njihen nga opinioni i gjerë?
Siç jua kujtova nga intervista e numrit të kaluar, eshtrat e Abdyl Frashërit janë sjellë në Shqipëri në vigjiljen e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,
pra pikërisht në vitin 1978. Për të marrë eshtrat e tij ka shkuar në Turqi delegacioni shqiptar i kryesuar nga diplomati i njohur Xhorxhi Robo.
Delegacioni përbëhej nga profesori i njohur Luan Omari, shkrimtari Anastas Kondo, Duro Kapo, si dhe nga kryetari i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Përmetit, i cili kishte në administrim Frashërin. Atij delegacioni iu shtua dhe ambasadori ynë në Greqi, si dhe ai në Turqi.
Kërkesa e qeverisë komuniste për të sjellë eshtrat e Abdylit kishte qenë e përsëritur ndaj autoriteteve turke, por siç kam mësuar, forcat e djathta, kryesisht shqiptarët ballistë me banim në Turqi, kanë bërë pengesë të madhe që ato të mos vinin në Shqipëri.
Pra Qeveria turke ishte vënë nën presion të madh nga krerët e Ballit Kombëtar, kryesisht Qazim Prodani dhe Tahir Kolgjini, të cilët, pas ardhjes së komunistëve në pushtet kishin përfunduar me banim të përhershëm në Turqi. Ata pretendonin se Mit’hati i përkiste Ballit, për shkak të aktivitetit dhe pozicionit të tij politik si autoriteti kryesor i Ballit. Tashmë që ai ishte shpallur “non grata” nga Tirana do të thoshte se edhe Abdyl Frashëri ishte i padëshirueshëm në Shqipërinë komuniste. Ai i takonte kauzës politike të të birit.
Dhe si u bë e mundur të kapërcehej kjo barrierë, që unë mendoj se ka qenë goxha e fuqishme dhe e argumentuar bindshëm nga forcat e djathta të shpallura “non grata” nga Shqipëria, së bashku me të birin e Abdyl Frashërit?
Një vit më parë se të lejoheshin për t’u marrë nga qeveria e Tiranës eshtrat e xhaxhait të nënës sime, Abdyl Frashërit, pra në vitin 1977, partia e Eçevinit kishte fituar zgjedhjet e përgjithshme, duke fituar në këtë mënyrë të drejtën e drejtimit të Turqisë në katër vitet e ardhshme. Eçevini vetë, u bë kryeministër. E veçanta e tij si erdhi në krye të qeverisë ishte se ai zgjodhi të ndiqte një rrugë demokratike, që do të thotë shumë më të butë nga paraardhësit.
Si e mendoni juve shkakun e këtij veprimi?
Me sa duket duke përfituar nga rasti që Eçevini kishte origjinë shqiptare, qeveria komuniste e Tiranës arriti të sigurojë lejen e qeverisë turke për të marrë eshtrat e Abdyl Frashërit në atdhe.
Ju kuptova deri këtu zoti Jegeni. Folëm për delegacionin dhe përbërjen e tij, ndërkohë që mësuam dhe situatën si u sigurua leja e marrjes së eshtrave të rilindësit tonë të madh Abdyl Frashëri, të cilit i ishte shpallur i biri “non grata” nga Shqipëria komuniste. Meqenëse e filluam këtë intervistë kaq të detajuar, unë doja t’ju pyesja për rrugën dhe procedurat e delegacionit për të sjellë eshtrat në Tiranë?
Tani, edhe unë këto hollësi i kam mësuar nga pjesëtarët e delegacionit dhe nga rrëfimet e tyre në shtypin e atëhershëm dhe të kësaj kohe. Por meqenëse unë jam njeriu më i afërt i Frashërllinjve, mundohem t’i shënoj dhe t’i njoh këto hollësi, se kanë shumë rëndësi për historikun e familjes së Frashërllinjve, - unë kam filluar të bëj pemën gjenetike të origjinës së tyre. Kështu, nisur edhe nga një prononcim i Xhorxhi Robos dhënë në shtypin e shkruar në shtatorin e një viti më parë, kam fiksuar se ka qenë data 28 mars e vitit 1978 kur delegacioni i lartpërmendur dhe i kryesuar nga Xhorxhi Robo u nis nga Tirana për të marrë eshtrat e Abdyl Frashërit në Stamboll. Kam mësuar që kanë kaluar nga Kapshtica të përcjellë nga autoritetet lokale të Korçës dhe Bilishtit. Prej andej kanë përfunduar në Selanik, ku janë pritur nga ambasadori ynë aty, Lik Seiti. Prej andej kanë udhëtuar deri në orën 3 pasdite, kur u ndeshën me kufirin turk, ku i priste Ambasadori i Shqipërisë në Turqi, Ylvi Lulo. Pas kësaj kanë kaluar në tokën turke, ku për vetë misionin e shenjtë që kishin në lidhje me dijetarin e madh, u pritën nga autoritetet lokale me një nderim të jashtëzakonshëm.
Për shembull, kush ishte në takim që në hyrje në tokën turke?
Po ja për shembull, sa kanë kaluar andej gjetën në pritje Kajmekanin e Edenesë që i thonë aty, gjithashtu ishin edhe Kryetari i Bashkisë së qytetit të Isjallës, - i cili kishte në administrim dhe pikën doganore, - dhe komandanti i xhandarmërisë së qytetit. Kajmekani madje bëri përshëndetjet e rastit në ato momente në emër të vetë Valiut të Edenesë, dhe u bëri të ditur se Valiu kishte rezervuar një takim të veçantë me delegacionin e Shqipërisë që kishte shkuar të merrte eshtrat e burrit të ndritur të dy vendeve. Madje siç kam mësuar, Kryetari i Bashkisë nuk ka dashur përkthyes fare, se dinte shqip, pasi me origjinë ishte nga Brazhdani i Dibrës.
Jam shumë i çuditur zoti Jegeni, se si i dini kaq hollësisht lëvizjen e delegacionit për të marrë eshtrat e Abdyl Frashërit, pavarësisht se ju keni qenë shumë larg tij në atë kohë?
Po unë kam grumbulluar çdo material që lidhet me Frashërllinjtë. Mbaj një dosje të posaçme dhe bëj shënime të rregullta për ta, për faktin se me ta mburret Shqipëria dhe Turqia, ashtu si dhe Përmeti e Frashëri i tyre, dhe jo të mos mburremi ne, që i kemi në trungun familjar shumë të afërt. Pra, unë e ndjej si detyrim dhe kënaqësi të mësoj sa më shumë për detajet e tyre. Ju thashë nga numri i kaluar, se në një tabelë të përmasave të mëdha, unë jam duke shkruajtur dhe plotësuar gjithë pemën gjenetike të fisit, që prej shumë e shumë vjetësh më parë se të lindnin dhe prindërit e Frashërllinjve, duke filluar nga i pari i tyre, kështu që do të vijë rasti të flasim edhe për këtë gjë, por tashmë unë ju them për faktet që mbledh dhe i vendos në dosjen e veçantë të tyre, pa harruar të më shpëtojë asnjë prononcim dhe asnjë dëshmi në lidhje me historikun e tyre. Kështu edhe për sa ju flas juve, veç materialeve të tjera që disponoj, unë kam mësuar mirë madje, duke shënuar gjithë veprimtarinë e delegacionit në fjalë, i cili shkoi pikërisht për të marrë eshtrat e xhaxhait të nënës sime, Abdyl Frashërit.
Ju kuptova shumë qartë. Atëherë, si ka vijuar procedura e delegacionit deri në marrjen e eshtrave?
Sa kishin mbërritur në Stamboll, ku me sa kam mësuar ka qenë shumë vonë, janë informuar menjëherë nga konsulli ynë aty, Rakip Hoxha, se që të nesërmen i priste në një ceremoni të veçantë zyrtare vetë Valiu i Stambollit. Zyrat e Valiut, të cilat delegacioni shqiptar i vizitoi në orën 09.00 të ditës së nesërme, kishin qenë ambienti ku u vendos qeveria e parë e Ataturkut pas fitores së revolucionit turk. Pasi u angazhua me vizitat e delegacionit shqiptar, të cilëve u vendosi në dispozicion vetë Shefin e tij të Protokollit, Valiu i Stambollit shtroi një drekë në një lokal shumë luksoz të ndodhur në buzë të detit.
Ku ndodhej saktësisht varri i Abdylit, të cilin tashmë duhej ta hapnin bashkatdhetarët e tij?
Varri i Abdylit ishte në Hyskidor, që ndodhet në pjesën Aziatike të Stambollit. Ai ishte persekutuar nga Sulltani dhe vdiq i sëmurë dhe në varfëri. Edhe varrin e tij e bëri teqeja bektashiane në Hyskidor. Qeveria turke e Bulent Eçevitit, dha lejen për të marrë eshtrat e Abdylit. Kështu, kur shkoi delegacioni shqiptar i kryesuar nga Xhorxh Robo për të marrë eshtrat e Abdylit, ato kishin dy ditë që ishin nxjerrë nga varri dhe mbaheshin në ambasadën tonë.
Dhe ceremonia e përcjelljes?
Që të nesërmen është bërë ceremonia e përcjelljes. Arkivoli u vendos në sallën e madhe të konsullatës shqiptare, kuptohet në Stamboll. Më mbrapa kemi mësuar se në atë përcjellje kanë shkuar shqiptarë të vendosur në gjithë Turqinë. Kanë bërë homazhe dhe e kanë përcjellë me nderime të veçanta mbarë shqiptarët me banim në Turqi, - patriotët e ndershëm. Fjalën e rastit e ka mbajtur kryetari i delegacionit të nisur nga Tirana, Xhorxhi Robo. Po ashtu nuk kanë munguar edhe autoritetet turke, duke filluar që nga zëvendësvaliu i Stambollit. Ja çfarë thotë Xhorxhi Robo në një intervistë, për udhëtimin e eshtrave prej Stambollit për në vendlindje, dhënë në shtatorin e vitit 2012 gazetarit Zylyftar Hoxha: U nisëm nga Stambolli të përcjellë me dashuri nga bashkëkombësit. Fjetëm një natë në Selanik. Të nesërmen u nisëm në Shqipëri. Gjatë përgatitjes së formaliteteve në Follorinë, rreth makinave tona u grumbulluan shumë njerëz. Ishte ditë pazari dhe kishte shumë shqiptarë, madje edhe nga Struga dhe Ohri. Duke parë targat e Tiranës pyetën dhe kur morën vesh se po çonim në atdhe shtrat e Abdyl Frashërit filluan duartrokitjet. Një arsimtar nga Struga tha se sa të shkonte në Maqellarë do të njoftonte se eshtrat e Abdyl Frashërit shkuan në Shqipëri. Kur hymë në Kapshticë na priste një turmë e madhe njerëzish. Kishin ardhur dhe autoritetet lokale të Korçës dhe Bilishtit. Kishin ardhur disa ministra dhe deputetë. Kishin ardhur Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe ai i Lidhjes së Shkrimtarëve, si dhe mjaft autoritete shkencore të artit e kulturës.
Tashmë hynë në Shqipëri, ku më ndihmuat dhe me prononcimin e dhënë nga vetë kryetari i delegacionit të sjelljes së eshtrave. Jam kurioz tashmë për bujën dhe ceremoninë në tokën e dheut të tij. Mendoni se ishte e nivelit emocional?
E vërteta është, se ceremonia ka qenë shumë pompoze që sa hyri në kufirin tonë. Megjithëse, në të njëjtën natyrë vijoi që prej Stambollit. Gjatë gjithë rrugës, që prej Korçës ku ishte organizuar miting dhe deri në Përmet, populli përshëndeste me krenari dhe emocion mbresëlënës lëvizjen e arkivolit të Abdyl Frashërit. Në Përmet turma i kishte kaluar përmasat e parashikuara. Ishte një grumbullim i paimagjinuar, ku që prej urës e deri në qendër të qytetit arkivoli kalonte mbi duar të popullit dhe shoqërohej nga duartrokitje të stuhishme. Kjo atmosferë ka vijuar deri në mesnatë, duke u shoqëruar me një koncert madhështor, në të cilin u këndua edhe një këngë të posaçme që i kushtohej ardhjes së Abdylit në vendlindje. Në atë kohë nuk ka munguar të përshëndeste edhe një delegacion i posaçëm, i ardhur nga Kosova vetëm për këtë ditë të veçantë në historinë e kombit. Çuditërisht të nesërmen ka rënë shumë dëborë, e cila kishte bllokuar rrugën për në vendlindjen e Abdylit, Për-metin.
Dhe nuk e çuan?
As që bëhej fjalë të mos e çonin në Frashër. Gjithë ai popull nuk e linte të birin e Frashërit pa e çuar në vendlindje. Kështu, u gjet një traktor i SMT-së së asaj kohe, që hapi rrugën e dëborës derisa arkivoli shkoi në shtëpinë e lindjes së Abdylit.
Në Tiranë, kur mbërriti?
Pas saj, para ditës së 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, arkivoli, me të njëjtin pompozitet ka mbërritur në Tiranë. Në Tiranë, kuptohet, gjithë udhëheqja komuniste do ta shoqëronte arkivolin, duke shfrytëzuar rastin për të prezantuar patriotizmin e madh kombëtar. Mes popullit të shumtë, ai ka shkuar në varret e posaçme të bëra në kodrat e Liqenit artificial.
(Vijon nesër) 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›