Ilir Meta rizgjidhet kryetar i LSI-së
Meta ka fituar me një rezultat të bindshëm ndaj kandidatit tjetër Luan Rama, duke marrë 24 439 vota ndaj 6653 që kishte marrë rivali i tij, Luan Rama
Ilir Meta rikonfirmohet për një mandat të dytë në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në një garë të hapur dhe një proces tërësisht transparent e cila u ndoq edhe nga mediat, Ilir Meta ka fituar me një rezultat të bindshëm ndaj kandidatit tjetër Luan Rama, duke marrë 24 439 vota ndaj 6653 që kishte marrë Rama.
31 442 anëtarë të LSI-së shkuan dje drejt kutive te votimit në të gjithë Shqipërinë, në 159 qendra votimi dhe me parimin një anëtar një votë ia besuan drejtimin e partisë kryetarit aktual Ilir Meta. Rezultati u konfirmua nga kryetari i KQZ-së për këtë proces zgjedhor, Ylli Manjani, me prezencën e dy kandidatëve në garë, të cilët uruan njëri-tjetrin sukseset. Vetë Ilir Meta e konsideroi një fitore shumë të vlefshme, duke vlerësuar garën dhe debatin e hapur brenda partisë.
Meta vlerësoi se politika ka nevojë për debat dhe alternativë dhe sipas tij, LSI e sjell politikën në një stad më të lartë. “Kërkoj falje për numrin e kufizuar të qendrave të votimit. Kjo është një fitore shumë e mirë se ajo tjetra, është një fitore në garë dhe veçanërisht hapja e debatit brenda partisë që do të vazhdojë edhe më etj. Politika ka nevojë për debat dhe alternativë, LSI e sjell politikën në një stad më të lartë, të japim shembullin duke zbatuar standardet edhe vetë brenda partisë. Së bashku me Ramën dhe anëtarët e tjerë të LSI do të vazhdojmë punën dhe bashkëpunimin për sfidat në vazhdim dhe zgjedhjet e 2013”- u shpreh Meta.
...