Orhan Pamuk: Evropa ka frikë nga islami dhe demokracia

Kjo ka qenë përgjigjja që nobelisti turk, Orhan Pamuk u ka dhënë skeptikëve të perëndimit lidhur me orientimin islamik të Turqisë.
Shkrimtari i njohur turk ka deklaruar për një revistë gjermane se vëmendja e mediave perëndimore ndaj Turqisë vitet e fundit i ka rrënjët tek frika e Perëndimit ndaj Islamit, një fenomen i ngjashëm me frikën, që Perëndimi kishte edhe ndaj komunizmit të Evropës Lindore apo Amerikës Latine.
“Në Perëndim lexojnë librat e mi për të parë sesi Turqia ndërthur traditat e lashta të saj me kulturën e re evropiane. Jam i bindur që në shumë vende të Evropës librat e mi lexohen nga kureshtja për islamin, të cilin e shohin si problemin më të madh të Turqisë bashkëkohore”, thekson Pamuk në intervistën e dhënë për revistën gjermane.
Nobelisti turk u intervistua për mediat gjermane me rastin e inaugurimit të Muzeut të Pafajësisë, në të cilin janë ekspozuar objekte, që lidhen me Stambollin e kohës së vjetër dhe personazhe të romaneve të Pamuk. (noa)