E pëlqen Italinë

Sulmuesi i Real Madridit, Cristiano Ronaldo ia ka lënë dyert hapur mundësisë që të lëvizë në drejtim të Serie A, duke thënë ‘kurrë mos thuaj kurrë’, për mundësinë e një transferimi të mundshëm në kampionatin italian të futbollit në të ardhmen.
Përfaqësuesi portugez iu bashkua ‘Los Blancos’ në vitin 2009 nga Manchester United dhe që nga ajo kohë ka realizuar 143 gola nga 141 ndeshje. Përkundër faktit se e pranoi që është i lumtur në Spanjë, 27 vjeçari ka zbuluar se nuk e përjashton mundësinë që të lëvizë drejt Italisë, duke treguar se i pëlqejnë tri klubet më të mëdha të këtij vendi.
“Unë e respektoj ligën e italiane, por për momentin është e treta, pas La Ligas dhe Premierligës. Mirëpo, kurrë mos thuaj kurrë. Në të ardhmen mund të luaj atje, pse jo? Italia ka ekipe fantastike si Inter, Milan e Juventus”, deklaroi ish futbollisti i Manchester Unitedit për televizionin italian Mediaset.
Ai megjithatë është krenar për ekipin në të cilin luan momentalisht, përkundër faktit se dështoi ta fitonte Ligën e Kampionëve në tre sezonet e para. “Jam krenar që luaj me Real Madridin, sepse këtu zbavitem. Kur nuk e shijon një eksperiencë, kjo është një shenjë se është koha që të lëvizësh. Por, për momentin unë jam i lumtur këtu në klubin më të madh në botë”, shtoi ai.
Ronaldo po ashtu foli edhe për marrëdhënien e mirë që ka me bashkëkombësin Jose Mourinho. Ai e konsideron 49 vjeçarin numër 1 në botë. “Mourinho është një trajner i jashtëzakonshëm dhe trofetë që i ka fituar tregojnë gjithçka. Ai ka fituar në Portugali, Angli dhe Itali, kështu që ky fakt e bën atë më të mirin”, vazhdoi ai.
“Për mua, të jem më i miri do të thotë të shkëlqej në vende dhe kampionate të ndryshme. Ndër të tjera, Mourinho e ka bërë saktësisht të njëjtën gjë, kjo është e thjeshtë”, përfundoi CR7.
Futbollisti i lindur në Madeira pritet të jetë në aksion sonte, kur Reali mund ta sigurojë titullin e kampionit në La Liga, nëse triumfon në përballje me Athletic Bilbaon.