E Diel, 1 Nëntor 2026

Orhan Pamuk, shqip me romanin e dhimbjes

"Një ditë lexova një libër dhe e gjithë jeta ime ndryshoi". Me këtë fjali Orhan Pamuk nis një rrugëtim të mistershëm. Ndërton një roman të tërë. Replikon e debaton edhe njëherë për të ardhmen e Turqisë. I shkruar në vitin 1994, "Jetë e re" vjen edhe në shqip. Këto ditë, shtëpia botuese "Skanderbeg Books" ka hedhur në librari romanin e nobelistit për letërsi të 2006-ës, nën një përkthim nga origjinali të Rubin Hoxhës. "Një roman i çuditshëm" e quan botuesja Flutura Açka, por "kush e njeh veten si lexues të mirë nuk duhet ta lërë pa lexuar". "Jetë e re" është konsideruar një roman pa subjekt, ndonëse ka një personazh kryesor që zhvillon ngjarjet. Ndikimi i një libri të mirë në jetën e lexuesit është filozofia që i shërben Pamukut për të nisur një dialog të gjatë me lexuesit, një dialog mbi atë që njerëzit sot kërkojnë, një dialog mbi dashurinë, mbi ekzistencën, për të hyrë tërthorazi në dhimbjen e tij të madhe, Turqinë. Një student i inxhinierisë, Osmani, i shtyrë nga leximi i një libri "të çuditshëm", ndërmerr një udhëtim të gjatë e stacionar nëpër qytete, qyteza e fshatra të njohura apo të humbura të Turqisë, të asaj Turqie që po ndryshon dëshpërimisht në sytë e tij, të një Turqie që luhatet mes trysnisë konservatore dhe rendjes drejt modernitetit. Në krye të kësaj udhe, djaloshi rrëfimtar do të ndeshë dhe do të bjerë shpejt pre e pasionit ndaj një vajze, Xhananit, e cila e fut në shtjellën rrugëtuese të këtij libri, e të dy bashkë vazhdojnë në kërkim të asaj "Jete të re" për ku i frymëzon libri. Mes aksidentesh, incidentesh e ngjarjeve të çuditshme, Pamuk na shpie udhës ku një lexues i regjur hyn symbyllas e harrueshëm: zhytja magjike në leximin e një libri. Por të kujt libri? Pamuk nuk jep përgjigje, për ta lënë fantazinë e tij t‘i bartet lexuesit. "Është një roman i dëshpërimit", thotë Açka për këtë libër të sjellë së fundmi në shqip pas "Unë jam e kuqja", "Bora", "Shtëpia e heshtjes", "Baulja e babait", "Kështjella e bardhë". Por për të është libri më i mirë i Pamukut. E thotë duke pohuar se ndoshta si lexuese ka rënë në grackën e një libri të mirë. "Personazhi i tij është personazh i dëshpëruar, njeri që kërkon, por nuk e di se çfarë kërkon, njeri që do shumë, është një Orhan i dëshpëruar për Turqinë që po shkatërrohet, po e zë konsumizmi, po e zënë ngjyrat, po i humb traditat. Është po ai Orhan që me të madhe bërtet për t‘iu bashkuar Europës e është po ai që bën thirrje të mos humbasë tradita. Përshkrimeve që u bën fshatrave në libër, duket se ka një mall të madh për atë që po humb", shprehet botuesja e Pamuk. Pas çmimit "Nobel", ky shkrimtar hapi një dritë të re për Turqinë. I diskutuar, i mohuar nga nacionalistët turq, i përndjekur nga shteti i tij për deklaratat që lëshoi për gjenocid ndaj kurdëve dhe armenëve nga Turqia, ai tërhoqi vëmendjen e europianëve, por edhe perëndimorëve ndaj këtij vendi. Ai u quajt shpejt renegat i vendit të tij, gjë që i bën edhe sot shumë turq të mos e kenë mjaft për zemër. Përmes librave të tij, ata njohën një Turqi të rrëfyer nga brenda dhe nga një shkrimtar që e kishte jetuar atë realitet e që aspironte për një stil perëndimor jetese. Ndërsa shtypi botëror i ka bërë përcaktimet krijimtarisë së tij, vetë Pamuku gjatë intervistave ka theksuar se "çfarë kam shkruar nuk është rreth përplasjes së civilizimeve apo konfliktet mes Lindjes dhe Perëndimit. Unë i urrej të dyja, edhe konceptin, edhe realitetin e botës myslimane në përplasje me Perëndimin. Ajo për çfarë kam qenë i interesuar në veprën time, është ajo që në termat sociologjikë mund të quhen ‘ndryshime kulturore‘, apo në terma psikologjikë, më personale, ‘probleme të identitetit‘". Libri i sapoardhur në shqip është lexuar po në këtë frymë. Në kritikat e shkruara për këtë libër, ai cilësohet si një shembull i mirë i teksteve postmoderne që e kanë bërë Pamukun të krahasueshëm me Prustin, Borgesin, Markezin apo Kafkën. Por përtej diskutimit të një libri pa subjekt, kritikët shkruajnë se "mendimet e Pamukut dhe kompleksiteti i të qenit turk shfaqen përmes një strukture rrëfimi që nuk ngjan me romanet standarde. Jeta e Osmanit është e tija, por meditimet që ai bën për të janë edhe tonat. Si lexues ne bëhemi pjesë e këndvështrimit të protagonistit, sepse ne jetojmë me këmbët e tij dhe shohim përmes syve të tij. Duke përdorur truke të tilla si rrëfimi në vetën e parë apo prania e përemrave vetorë në vetën e dytë, Pamuk do të na bëjë të qartë se ai është i vetëdijshëm për praninë tonë në tekst. Në fakt, ai shkruan për të na folur neve, pritshmëria për përgjigjet tona është pjesë e ngjarjes së tij. Gjenia e Pamukut qëndron në aftësinë e tij për të prishur traditën tonë të të lexuarit. Kërkimet e Osmanit në libër janë kërkimet tona kur lexojmë "Jetë e re": rrugëtimi i vetvetes, jetës, vdekjes dhe dashurisë. Pavarësisht kontekstit të vendosur në Turqi, temat e trajtuara në roman janë universale. Pamuk asnjëherë nuk përdor klishe, edhe pse ideja se ai abstragon, mund të çojë në një ide të tillë. Në të kundërt, ai shkruan libra ku na fton të ndryshojmë, të ndryshojmë kuptimin që ne i japim librit. Këtë mesazh ai ia ka veshur Osmanit: "Ai u krijua ngaqë këndvështrimi im u ndryshua nga leximi i një libri dhe libri u transformua nga pikëpamja ime". Botuesja Flutura Açka bën të ditur se së shpejti do të vijnë në shqip edhe dy libra të tjerë të Pamukut: "Muzeu i pafajësisë" dhe "Stambolli: Kujtime dhe qyteti".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›