E Diel, 1 Nëntor 2026

Everet rrëfen "Aventurat skandaloze të Bajronit"

Lord Bajron dhe aventurat e tij, të rizbuluara nga aktori i njohur Rupert Everet përmes një udhëtimi në gjurmët e tij, do të shfaqen sot në mbrëmje, në orën 21.00, në ekranin e televizionit "Channel 4". Dokumentari me dy seri, "The Scandalous Adventures of Lord Byron", ose në shqip "Aventurat skandaloze të Lord Bajronit", një prodhim i "Blast Films", do të vazhdojë të shfaqet edhe më 3 gusht. Ndërkohë, mediat e huaja kanë shkruar mjaft këto ditë për rikthimin e Everet me një dokumentar, e veçanërisht për figurën e poetit anglez. Po kështu u prit vjet vizita e aktorit të njohur në Shqipëri. Për disa ditë ndaloi në Shqipëri, takuan shumë njerëz e xhiruan mjaft vende. Në intervistat e një viti më parë, Everet tregoi qasjen e tij ndaj figurës së Bajronit, si kishte menduar më parë e çfarë mendonte pas këtij realizimi për poetin që u kushtoi vargje shqiptarëve. "Unë i dua antiheronjtë dhe Bajroni është një nga njerëzit që nuk iu përshtat shekullit XIX. Historia e tij ka gjithçka: incestin, perversitetin, drogat, skandalet, çmenduritë dhe luftën", është shprehur ai. Ky film dokumentar, i ndalur nëpër viset që vetë Bajroni përshkoi, u realizua në kuadrin e 200-vjetorit të udhëtimeve të Lord Bajronit në Europë dhe Mesdhe. Ky projekt është ideuar si një tentativë për të kuptuar arsyet e largimit të poetit të madh nga vendlindja dhe tërheqjes së tij nga Orienti. Shqipëria zë një vend të rëndësishëm në këtë realizim. Theksi është vënë në veçanti për marrëdhënien e Bajronit me shqiptarët dhe Ali Pashën, mikpritësin e tij. Në këtë aventurë shqiptare aktori anglez pati si protagonist në rrugën e Bajronit studiuesin shqiptar Auron Tare. Everet takoi shumë njerëz, pa shumë vende të Shqipërisë së Jugut, ku edhe janë vendosur xhirimet. Pas vizitës së vitit që shkoi, ai do ta konsideronte Shqipërinë si një vend të bukur, me shumë vise të virgjëra dhe tashmë e kuptonte vizionin që kishte Bajroni para 200 vjetësh për këtë vend. Ndërsa vetëm pas vizitës në këtë vend arriti të kuptojë perceptimin e ndryshëm që ka për figurën e Bajronit. "Sot, poezia është mjaft e vështirë për t‘u kuptuar, edhe pse është një fushë e mahnitshme. Edhe pse Bajroni është i mrekullueshëm, është e çuditshme që atë në Shqipëri e njohin më

mirë se ç‘e njohin vetë anglezët. Para se të filloja këtë dokumentar, kisha një njohje mjaft sipërfaqësore për Bajronin dhe ka ende gjëra që s‘i di. Kam zbuluar një imazh serioz të Bajronit, të cilin ai në Angli nuk e ka. Në Angli atë e shohin në mënyrë më sipërfaqësore... ", u shpreh atëherë Everet. Realizuesit e këtij dokumentari janë po të njëjtit që kanë prodhuar edhe dokumentarin fitues të disa çmimeve "Victorian Sex Explorer", në të cilin Everet sjell aventurat e Richard Burton.

Aktori i mirënjohur anglez, Rupert Everet, është i njohur për rolet e tij në filmat e Hollivudit përkrah Julia Roberts, Madonna, Antonio Banderas apo Edi Murphy. Që në fëmijërinë e tij është njohur si një djalë rebel, i cili fillimisht ëndërronte të bëhej një rokstar, ëndërr të cilën nuk e realizoi dot. Në moshën 15-vjeçare ai e lë qytetin e tij të lindjes për të studiuar Art Dramatik në Londër dhe fillon sukseset e para në kinematografi. Por mbeti sërish një natyrë rebele. Tashmë një aktor i njohur, Everet nuk ngurroi ta shfaqte hapur natyrën e tij homoseksuale. Në fillim mendohej se kjo gjë do t‘i shkaktonte probleme të mëdha në karrierë, por në fakt ndodhi e kundërta. Për të vijnë propozime për role të rëndësishme, duke vazhduar kështu sukseset në kinematografi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›