Orhan Pamuk, sot në Tiranë
Vizita e parë në Shqipëri do të jetë e ngjeshur me takime për shkrimtarin turk, Orhan Pamuk, fitues i çmimit “Nobel” në letërsi për vitin 2006. Pamuk mbërrin sot në Tiranë, me ftesë të botuesit të tij në gjuhën shqipe, “Skanderbeg books”. Pas mbërritjes në aeroportin e Rinasit, takimin e parë shkrimtari do ta ketë me Presidentin Topi në selinë e Presidencës në orën 11:00 dhe një orë më vonë do të takojë Kryeministrin Berisha. Po në këtë vizitë të parë, Pamuk do të nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Shtetëror i Tiranës në orën 12:30 dhe më pas do të realizojë një takim me studentë e pedagogë të Universitetit Shtetëror të Tiranës (Fakulteti Filologjik). I njohur nga lexuesi shqiptar përmes disa veprave botuar në shqip, Pamuk vjen të promovojë librin e ri, “Stambolli”. Në orën 19:00, në sallën e Kuvendit do të organizohet “Mbrëmje me Orhan Pamuk”, në një ceremoni ku të ftuar do të jenë njerëz të fushës së letrave, personalitete të kulturës, akademikë, përfaqësues të politikës, të medias etj. I grishur nga pasuria kulturore, Pamuk do të vizitojë nesër Beratin, për t’u larguar më 19 nga Shqipëria. Nga viti 2006 e në vazhdim, në gjuhën shqipe është botuar pjesa më e madhe e veprës së tij, si romanet “Unë jam e kuqja”, “Bora”, “Kështjella e bardhë”, “Shtëpia e heshtjes”, “Jeta e re”, si edhe libri me ese, “Baulja e babait”. Gjatë këtij viti pritet të botohen edhe romanet “Muzeu i pafajësisë” dhe “Libri i zi”.
#