E Shtunë, 31 Tetor 2026

E ndiqte policia, aksidentohet me makinë

Breshëri mbi veturën e parkuar, si hakmarrje për 600 eurot që ia kishin marrë borxh

Burime të policisë në Gjirokastër bënë të ditur dje se një ditë më parë, rreth orës 19:00, një person nga fshati Valare e Komunës së Lunxhërisë që tentonte t’i shmangej policisë është aksidentuar dhe ka përfunduar i arrestuar në spital, pasi kishte qëlluar me një breshëri automatiku mbi makinën e borxhliut në parkim. Njoftimi për goditjen me breshëri me armë zjarri në drejtim të një automjeti të parkuar ka mbërritur në sallën Operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, me anë të një telefonate. Menjëherë për në vendngjarje janë nisur disa grupe me forca të policisë nga disa drejtime të ndryshme, duke bërë rrethimin e plotë të zonës, ku ka rezultuar se shtetasi Andrea Kadëna, i datëlindjes 1986, lindur dhe banues në Gjirokastër, i cili drejtonte automjetin tip “Volksvagen” me targa greke, YEB1719, ka gjuajtur me armë zjarri tip “kallashnikov” në drejtim të automjetit tip “Benz”, me targa GJ0841A, i cili ishte i parkuar para shtëpisë dhe i përkiste shtetasit F.C., me banim në fshatin Valare. Shtetasi Andrea Kadëna, pasi ka gjuajtur me armë, është larguar në drejtim të Gjirokastrës, por kur ka parë që po e ndiqte policia, ka shtuar shpejtësinë, duke dalë nga rruga dhe duke u përplasur me një pemë në aksin rrugor Valare-Gjirokastër. I aksidentuari është transportuar menjëherë për në spital, ku pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga këqyrja e automjetit të tij tip “Volksvagen”, me targa greke YEB1719, rezultoi se në sediljen e parë ndodhej një armë zjarri tip “kallashnikov”, së bashku me karikatorin me disa fishekë. Po kështu, nga këqyrja që iu bë automjetit tip “Benz”, rezultoi se në pjesën e pasme ishin fiksuar 8 vrima ku kanë hyrë plumbat. Në cilësinë e provës materiale në vendngjarje janë sekuestruar 8 gëzhoja, të cilat së bashku me armën tip “kallashnikov” do të çohen për ekspertim në Laboratorin Kriminalistik në Tiranë. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi Andrea Kadëna ka qëlluar me armë zjarri automjetin e shtetasit F.C., për arsye se ky i fundit i kishte marrë borxh 600 euro para një viti dhe nuk ia kishte kthyer ende. Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin Andrea Kadëna për veprat penale të “Shkatërrimit të pronës”, si dhe “Armëmbajtje pa leje”, parashikuar nga nenet 150 dhe 278/2 të Kodit Penal. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›