“Origjinat tona” në muzeun e Lin Delisë
Në Muzeun e Antrodokos të Italisë, që nga data 2 deri më 30 gusht, qëndron e hapur ekspozita “Origjinat tona”, e realizuar me disa punime të piktores Zafina Vasa, të cilat janë ekspozuar krah veprave të mjeshtrit Lin Delija (1926-1994), veprat e të cilit aty janë në ekspozim të përhershëm. Ajo që bashkon këta dy piktorë është e njëjta origjinë, qyteti i lindjes, Shkodra, por edhe pasioni për artin, për pikturën, për të bukurën. Lin Delija (lindur në Shkodër, Shqipëri në vitin 1926) u transferua në Antrodokos (Itali) në vitet ‘60 dhe qyteti vendosi t’i dedikonte hapësirë veprave të tij në muze. Muzeu i qytetit të Antrodokos, ka lindur në vitin 2002, falë një bashkëpunimi mes enteve publike dhe koleksionistëve private. Qëllimi i tij, ashtu si dhe i muzeve të tjerë, është ai i ruajtjes së historisë, për ta kuptuar, për të ekspozuar, vlerësuar dhe komunikuar një pasuri historike-artistike të krijuar nga veprat e dy artistëve të famshëm, emrat e të cilëve mban. Muzeu është edhe vendi ku mund të eksperimentohet e ku mund të krijohen “ballafaqime” interesante artistike e shoqërore. Dhe ekspozita e Zafina Vasës është një dëshmi në këtë aspekt. Një dialog mes dy artistëve që të përbashkët kanë origjinën e tyre të prejardhjes, por rrugëtime të ndryshme në formimin e tyre. Publikut i ofrohet kështu një tjetër “çelës leximi” për këto vepra, që edhe pse përdorin të njëjtën gjuhë, shprehin këndvështrime të ndryshme e gjithnjë me një fokusim te historia, te kultura tek e cila gjenden rrënjët e ku mbështetet identiteti i vërtetë i individit. Artisja ka vendosur jo rastësisht emrin e saj pranë emrit të mjeshtrit Delija, jo vetëm pse ajo është ftuar në muzeun që mban emrin e tij së bashku me atë të mjeshtrit Cesi, por sepse ka pasur fatin ta njohë mjeshtrin Lin Delija personalisht, një vit para vdekjes.