E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Thjeshtësia” e fotografive te Gjon Mili

“Thjesht” është koncepti mbi të cilin bazohet edicioni i ekspozitës ndërkombëtare të fotografisë artistike “Gjon Mili -2011”, konkurs i Galerisë së Arteve të Kosovës (GAK), ku një vend të veçantë zënë edhe artistë nga Shqipëria. Thjeshtësi në fotografi dhe në art, duke i lënë jashtë të gjitha elementet joesenciale, të cilat nuk japin kontribut, madje edhe e lëvizin thelbin e kompozicionit - është ideja e kuratorit Burim Myftiu. “Ky koncept mund të quhet edhe aftësia më e madhe që një fotograf i denjë mund ta ketë, duke eliminuar të panevojshmet, në mënyrë që e nevojshmja të mund të flasë lirshëm e të dalë në pah. Edhe një aforizëm e thotë: Sa më thjeshtë, aq më bukur. Këtë kornizë e kam përcaktuar unë vetë si kurator dhe pres që të gjithë fotografët të bazohen në të, duke mos i ngarkuar realizimet e tyre. Nëse një vepër arti është e thjeshtë, ajo është më e bukur sesa një tjetër që është e ngarkuar. E bukura në art qëndron te thjeshtësia dhe kjo është ajo që kërkohet nga fotografët që garojnë”, tha për mediat kosovare kuratori Myftiu, duke shtuar se fotografitë e dorëzuara mund të jenë të formatit me ngjyra apo atij bardh e zi. Artistët duhet të krijojnë thjesht. Kuptohet se nuk është një temë aq e lehtë për krijuesit, sepse përmes syrit të tyre ata duhet të tregojnë se çfarë nënkuptojë ata me thjeshtësinë. Në konkursin ndërkombëtar që mban emrin e një prej fotografëve më në zë shqiptar, “Gjon Mili”, pritet të marrin pjesë 20 fotografë nga Shqipëria, Kosova, por dhe vende të tjera. “Tradicionalisht fotografët aplikojnë në ditët e fundit të afatit, ata presin madje ditën e fundit. Kemi njoftuar edhe artistët në Shqipëri, ndërkohë që presim të kemi së paku 15 artistë ndërkombëtarë në garën e sivjetshme”,- thotë kuratori pa dhënë një shifër të prurjeve në këtë konkurs ndërkombëtar. Ndërkohë, përveç ekspozitës, edicioni në fund do të shpërblejë fituesin më një shumë prej 1000 eurosh. Këtë vlerësim do ta bëjë komisioni profesional prej 3 anëtarësh, i cili do të përzgjidhet në shtator. Konkursi i fotografisë, “Gjon Mili”, zhvillohet çdo vit në Kosovë, në kujtim të veprës së fotografit shqiptaro-amerikan nga Korça. Shpesh konkursi në fjalë është kritikuar për injorim nga ana e fotografëve kosovarë. Fitues i edicionit të vitit të kaluar ishte fotografi Chehalis Hegner. Konkursi ndërkombëtar i fotografisë artistike në Kosovë ka ndryshuar me kalimin e viteve, duke marrë parasysh rritjen e numrit të pjesëmarrësve dhe ngritjen e nivelit artistik. “Teknologjia digjitale ka ndikuar shumë, sepse më shumë njerëz kanë mundësi të bëjnë fotografi dhe kjo ka ndikuar të rritet numri i pjesëmarrësve”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›