E Shtunë, 31 Tetor 2026

Orik, zbulohen gjurmë të murit 2400 vjeçar

Arkeologë shqiptarë dhe zviceranë kanë zbuluar së fundi gjurmë të një muri 2400 vjeçar në qytezën antike të Orikut, një qendër e rëndësishme në atë periudhë që ndër të tjera ka shërbyer edhe si port kryesor për rajonin e Vlorës.
Ndërtimi i jashtëm i murit vazhdon me tre radhë dhe vende- vende paraqitet i dëmtuar. Qeramika e pasur, ku dominojnë amforat, një pjesë e të cilave u zbuluan në gërmimet e një viti më parë, krijon mundësi për një perceptim më të gjerë e të plotë të përcaktimit të hershmërisë së qytetit antik të Orikut.
Gërmimet e fundit në Orik datojnë të paktën 22 vjet më parë, kur u zbuluan një pjesë e amfiteatrit, nekropoli, shkallët që të çonin tek akropoli, etj. Pjesa më e madhe e gjurmëve të këtij qyteti ndodhen nën tokë dhe nën sipërfaqen e ujërave të lagunës që gjendet shumë pranë. Në ditët me mot të kthjellët, një pjesë e rrënojave reflektojnë në sipërfaqen e ujit. Oriku përjetoi një zhvillim të vrullshëm gjatë periudhës së pushtimit osman, për shkak edhe të pozitës gjeografike.
Qyteti antik i Orikut, si pjesë e Parkut Kombëtar Arkeologjik Amantia-Orikum, vlerësohet si një objekt me vlera në funksion të zhvillimit të turizmit. Veç formave të njohura, siç janë ato të përgatitjes së fletëpalosjeve e materialeve të tjera, për promovimin e tij shfrytëzohet interneti, kontaktet me agjenci turistike lokale, kombëtare etj. Në janar të vitit 2006, qyteti antik i Orikut u shpall Park Arkeologjik Kombëtar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›