E Shtunë, 31 Tetor 2026

Orikumi, ndër më të preferuarit e këtij viti

Pushuesit shprehen të kënaqur nga kushtet, por shprehin rezerva për infrastrukturën

Plazhet e Orikumit kanë qenë ndër zonat më të preferuara për këtë sezon turistik. Numri i pushuesve vendas dhe atyre të huaj ka qenë tepër i lartë krahasuar me vitet paraardhëse, ndërkohë që mbetet problem infrastruktura.

Rritja e interesit

Pushuesit që kanë zgjedhur Orikumin për të kaluar ditët e nxehta të verës shprehen për “Shqip” se janë të kënaqur nga pastërtia e detit dhe rërës të kësaj zone bregdetare. Sipas tyre çmimet janë mjaft të leverdisshme dhe cilësia e shërbimeve është e mirë. Ndërkaq për turistët e huaj, Orikumi është i volitshëm për shkak të portit të jahteve, ku ata mund të ankorojnë jahtet dhe mjetet e tyre lundruese. Ndërkohë që u jepet mundësia që të marrin barka apo dhe jahte me qira, për të parë bukuritë natyrore të Orikumit si dhe të bregdetit të tij. “Orikumi është një nga vendet më të qeta të bregdetit të Vlorës. Ka ujë dhe rërë të pastër, ndërkohë që dhe çmimet janë të leverdisshme”, është shprehur një pushues nga Lushnja.

Problematika

Por problem për zonën mbetet infrastruktura. Pushuesit janë shprehur të pakënaqur për cilësinë e rrugës që të çon në plazh, pasi sipas tyre është shumë e amortizuar. Për ta, periudha që është zgjedhur për të vijuar punimet, është e papërshtatshme. “Punimet për sistemimin dhe asfaltimin e kësaj rruge nuk duhet të bëhen tani që është piku i verës, por duhet të bëheshin përpara se të niste sezoni turistik”, shprehen pushuesit.

Bashkia

Ndërkaq kreu i Bashkisë së Orikumit, Kanan Braho, është shprehur i kënaqur nga fluksi i pushuesve. Sipas tij, pushteti lokal ka punuar si asnjë vit tjetër, që të garantojë shërbim 24 orë me ujë dhe drita, mbajtjen pastër të plazheve, si dhe të ofrojë shërbime argëtuese për të gjitha grupmoshat. “Bashkia e Orikumit ka investuar me financimet e saj dhe të fondit të zhvillimit në sistemimin e plazheve, trotuareve dhe infrastrukturës rrugore jo vetëm në zonat e plazhit, por dhe në fshatrat Dukat, Tragjas dhe Radhimë. Në zonën e plazhit, është investuar si në rrugë, trotuare dhe në ndriçimin rrugor, i cili ka munguar prej vitesh. Rëra është pastruar dhe sistemuar, si dhe janë vendosur çadra dhe shezllone të cilat jepen për pushuesit me një çmim të arsyeshëm”, është shprehur Braho.

Më tej ai ka pranuar problemet në infrastrukturë. “Po punohet në rrugën e plazhit, e cila aktualisht lë për të dëshiruar, por i premtoj të gjithë pushuesve, se në muajin gusht, këto rrugë do të asfaltohen”, ka thënë Braho.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›