Greqia rithekson prioritetin e paqes në Ballkan
Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë, duke u prononcuar rreth Mendimit Këshillëdhënës të GJND-së për Kosovën, kumtoi se Greqia është e gatshme të ndërmarrë “çdo iniciativë” dhe t’i kontribuojë arritjes së një zgjidhjeje me marrëveshje. Qeveria greke është e gatshme të ndërmarrë “çdo iniciativë” dhe t’i kontribuojë procesit që çon në arritjen e zgjidhjes me marrëveshje, në favor të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, citojnë mediat komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të këtij vendi.
“Pozicioni grek është i njohur mirë, kurse ruajtja e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit në Ballkan është prioriteti ynë kryesor. Këto parime përkufizojnë qëndrimin grek dhe duhet të jenë dominues pas shpalljes së Mendimit Këshillëdhënës të GJND-së”, theksohet në komunikatën e publikuar një ditë më parë. “Ne jemi fort të bindur se respektimi universal dhe promovimi i këtyre parimeve është rruga më e sigurt që çon në integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor”, që është qëllimi kryesor i iniciativës greke të njohur si “Axhenda 2014”.
Në komunikatën e BE-së, të enjten, është bërë e ditur qartë se marrëdhëniet e mira fqinjësore, bashkëpunimi rajonal dhe dialogu, janë themele mbi të cilat mbështetet Unioni, rikujton Ministria greke. Qeveria greke tashmë po zhvillon konsultime me partnerët e vet evropianë dhe me të gjitha palët e interesuara. “Ne jemi të gatshëm të ndërmarrim çdo iniciativë dhe t’i kontribuojmë procesit që çon në arritjen e zgjidhjes me marrëveshje, dhe në favor të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, thekson komunikata e Ministrisë.
Greqia është njëra nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Europian, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
#