Shqiptarët shtojnë përdorimin e kartave të kreditit
Promovimi i përdorimit të gjerë të parasë elektronike nga qytetarët shqiptarë përmes kartave të kreditit është kthyer në një nga elementet e fushatave sensibilizuese të bankave shqiptare kohët e fundit. Prej kohësh bankat vijojnë të promovojnë avantazhet që sjell për konsumatorët dhe klientët përdorimi i tyre. Në një raport të publikuar dje, pohohen avantazhet e të paguarit me kartë si një sjellje konsumatore tipike e qytetarëve europianë, të cilët udhëtojnë pa mbajtur sasi të mëdha parash me vete. Duke pohuar madje se kjo ka më shumë rëndësi tani në sezonin veror, ndërsa janë duke lëvizur në vende të ndryshme për të pushuar. Mesazhet e bankave gjatë këtij muaji janë shtuar, ndërkohë që në të gjitha filialet e tyre ofertat për promovim dhe përdorim të kartave të kreditit janë shpeshtuar. Bankat ftojnë pushuesit e pajisur me një kartë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të udhëtojnë lehtë, pa mbajtur para të tepërta me vete, sepse për shpenzimet e kryera në POS-et PCB nuk mbahet asnjë komision.
Qytetarët shqiptarë që mbajnë me vete kartë krediti ndihen si çdo qytetar europian, sepse mund të kryejnë blerje nëpërmjet internetit apo rezervime online me kartat tona, të cilat përdoren kudo në botë.
Kjo fushatë e operatorëve bankarë përkon me sezonin aktual veror, ku lëvizjet e shqiptarëve në hapësirën rajonale janë shtuar së tepërmi. Sipas njoftimit të gazetës “Lajm” në Shkup, vetëm gjatë 6-mujorit të fundit nga Maqedonia kanë vizituar Shqipërinë rreth 200 mijë pushues. Pohime nga pika kufitarë e Qafë-Thanës, në hapësirën e Maqedonisë shtojnë se gjatë këtij muaji janë rreth 100 mijë qytetarë të këtij shteti që kanë shkelur Shqipërinë, duke frekuentuar zonën bregdetare shqiptare. Fluksi i pushuesve ka shënuar rritje të jashtëzakonshme prej fillimit të korrikut, kur në vendlindjet e tyre në Maqedoni masivisht kthehen mërgimtarët shqiptarë nga vendet perëndimore. Një pjesë të pushimit të tyre ata vendosin ta kalojnë edhe në bregdetin shqiptar.
Janë bukuritë e bregdetit, mikpritja, por edhe çmimet e volitshme që tërheqin ata të kthehen sërish në Shqipëri, por edhe lehtësirat që ofrohen në tregun shqiptar, përfshi edhe mundësitë për të operuar me valutë.
#