E Diel, 1 Nëntor 2026

Orizi, me të mirat dhe të këqijat e veta

Orizi është baza e ushqimit për më shumë se 3 bilionë njerëz (shumica të varfër), pothuajse gjysma e popullsisë në botë. Por edhe ne shqiptarët në fakt e njohim mirë pasi e kemi përdorur atë rëndom në receta të ndryshme e sidomos në tavë me pulë. Dietologia klinike Blerina Bombaj shpjegoi vlerat që ka orizi, por pa lënë mënjanë edhe pasojat negative që mund të sjellë në disa raste.

Orizi bën pjesë në grupin e brumërave dhe ka përqindje të lartë karbohidratesh (sheqeri) të cilat ofrojnë 85% të kalorive të tij. Kualiteti proteinik është më i lartë se gruri apo misri. Por cilin tip orizi duhet të zgjedhin njerëzit për konsum, pasi jo të gjitha llojet e orizit i ofrojnë këto të mira?

Janë dy lloje orizi më të përdorur, por pakkush e di se cili është më i shëndetshëm. Sipas dietologes njëri lloj është orizi kaf, të cilit i është hequr vetëm lëvozhga e patretshme dhe i është lenë pjesa e brendshme e saj me ngjyrë kafe. Lënia e kësaj lëvozhge e bën atë shumë më të ushqyeshëm se orizin e bardhë pasi ajo është e pasur në vitamina dhe fibra bimore.

Ndërsa lloji tjetër i orizit është pikërisht ky i bardhi, që është orizi i zakonshëm i pastruar nga lëvozhgat. Ky oriz, sipas dietologes, është shumë i varfër në proteina, në fibra bimore, dhe nuk përmban vitaminë B1, çka do të thotë se nga vlerat ushqyese është shumë më inferior se orizi në ngjyrë kafe.

Nuk ka vetëm vlera, por mund të shkaktojë edhe sëmundje. Dietologia e nis argumentimin pikërisht nga vitamina B1, e cila ndodhet vetëm në lëvozhgën e orizit. Me zhvillimin e teknologjisë sipas dietologes u bë e mundshme heqja e lëvozhgës së orizit dhe njerëzit filluan të preferonin orizin e bardhë ndaj atij kaf . “Ky proces largoi edhe vitaminën B1 ose ndryshe Thiaminën, mangësia e së cilës shkakton një sëmundje të quajtur “beri beri”, si dhe sëmundje të zemrës dhe të sistemit nervor”,- pohon dietologia.

Mjekë holandezë në Java dhe mjekë japonezë në veçanti e vunë re shfaqjen e sëmundjes “beri beri” me edema, dështim të zemrës, neuripati dhe shumë vdekje. Në atë kohë, padyshim, Thiamina ishte e panjohur. Historia e orizit, është shumë interesante për faktin se ilustron se si mania e teknologjisë për t’i bërë ushqimet sa më të shijshme (si p.sh., orizin e bardhë ndaj atij kaf) udhëhoqi në epideminë e një sëmundjeje të re për këta popuj, të cilët e kishin orizin ushqimin kryesor.

Studimet në Japoni dhe Indonezi ndihmuan në shërimin e sëmundjes duke këshilluar një dietë më të larmishme, plus përdorimin e orizit me lëvozhgë.

Historiku i orizit

Besohet se kultivimi i orizit filloi më shumë se 6500 vjet përpara. Të vjelat e para janë venë re në Kinë, 5000 vjet para Krishtit, si dhe në Tailandë, 4500 vjet para Krishtit. Ky lloj i orizit u kultivua në Europë rreth 800 vjet p.K.

Civilizimet më të mëdha në botë janë zhvilluar pas zbulimit të përdorimit si ushqim të drithërave të ndryshme, të cilat ofruan bollëk ushqimor për shumë popuj. Si shembull kemi misrin për Amerikën, grurin në Europë (Greqi dhe Romë), dhe orizin në Kinë dhe Indi. Përdorimi i orizit u shpërnda me shpejtësi të madhe nga Kina, India dhe Afrika, dhe aktualisht është një nga ushqimet bazë të mbarë botës. Në Azi është kaq i rëndësishëm sa ka influencuar gjuhën si dhe besimet. Në shumë gjuhë zyrtare dhe dialekte lokale, folja “të hash” ka të njëjtin kuptim me “të hash oriz”!

Dy janë llojet e kultivuara për përdorim si ushqim: 1. Oryza Sativa - orizi i zakonshëm aziatik, i cili e ka origjinën në Lindjen e Largët, në rrëzë të Himalajeve. 2. Oryza Glaberrima - me origjinë në Afrikën Perëndimore, më pak i përdorur dhe i shpërndarë.

Përbërja ushqyese e 1 kupe oriz të gatuar

Orizi kaf Orizi i bardhë

*Nevojat ditore për Thiaminë (vitamina B1) janë 1,2mg

Kalori 218266

Proteina (gr) 4,55

Karbohidrate (gr) 45,858,6

Fibër (gr) 3,50,5

Yndyrna (gr) 1,60,4

Acide lyrore të pangopura (gr) 0,60,1

Kolesterol 00

Thiaminë (vitamina B1) 0,200,34 (e shtuar në mënyrë artificiale)

Vitaminë A 00

Orizi për parandalim dhe terapi

Në kohën që shumë pak ilaçe njiheshin për tensionin e lartë, orizi është përdorur si terapi kryesore. Tashmë njihet se vetitë e tij kuruese qëndronin me tepër në një dietë pa yndyrë, kripë dhe kolesterol, sesa vetë te orizi. Një rol me të vërtetë terapeutik i orizit është trajtimi i alergjive. Orizi është joalergjik dhe qumështi i orizit është përdorur për foshnjat që janë alergjike ndaj qumështit të lopës. Edhe proteinat e orizit janë përdorur për formula ushqyese për fëmijë. Orizi është një nga ushqimet kryesore të një diete që trajton diarretë e shkaqeve të ndryshme, pasi është shumë “miqësor” për sistemin intestinal.

Këshilla dhe receta

•Mund të konsumoni orizin 2-3 herë në jave, për t’i lënë vend dhe drithërave të tjera në dietën tuaj të përditshme.

•Preferoni orizin kaf ndaj atij të bardhë (përveç rasteve ku orizi përdoret si trajtim për diskomforte intestinale, si diarre etj.).

•Personat që vuajnë nga diabeti është mirë ta shoqërojnë me zarzavate të freskëta dhe të mos abuzojnë me sasinë e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›