Orkestra izraelite, koncert me veprat e kompozitorit të preferuar të Hitlerit
Orkestra Kamertale e Izraelit ka thyer traditë, duke luajtur veprat e kompozitorit të preferuar të Hitlerit, Richard Wagner, në Bayreuth të Gjermanisë. Gjatë Festivalit të Wagnerit në Bayreuth, Roberto Paternostro dirigjoi pjesën e tij “Siegfried Idyll”. Është një rast i rrallë që muzikantët izraelitë luanin veprat e këtij kompozitori anti-semit, që ishte dhe kompozitori i preferuar i nazistëve. Paternostro pohon se, edhe pse ideologjia e Wagnerit ishte “e tmerrshme”, qëllimi i tij dhe i orkestrës është që “ai të ndahet nga arti i tij”. Një ndalesë jozyrtare për interpretimin e veprave të Wagnerit ishte prezantuar në vitin 1938, nga ana Orkestrës së Palestinës (e cila sot quhet Orkestra Filharmonike e Izraelit), menjëherë pasi çifutët në Gjermani ishin sulmuar nga nazistët. Drejtori muzikor Paternostro thotë se kjo “ishte një rrugë shumë e vështirë, dhe me shumë gurë, megjithëse unë për asnjë moment nuk pata mëdyshje për këtë projekt. Por kjo është një ide që nuk pranohet në Izrael”, shton Paternostro, i cili edhe vetë është një çifut, nëna e të cilit kishte arritur t’i mbijetonte Holokaustit. “Shumë njerëz më kanë thënë se tani është koha që ne të ballafaqohemi me Wagnerin, dhe në veçanti këtë duhet ta bëjmë ne gjeneratat e reja”, thekson ai. Sipas Paternostro-s, ishte tepër herët që Wagner të interpretohej në Izrael, kështu që orkestrës iu desh që për herë të parë ta interpretonte ne Gjermanië madje dhe provat t’i bënin në Gjermani. Sepse, siç dhe dihet, Hitleri ishte një adhurues pasionant i veprave të Wagnerit - i cili jetoi mes viteve 1813 dhe 188, por edhe i teorive të tij lidhur me pastërtinë raciale të Gjermanëve. Në fakt, orkestrimi i Orkestrës Kamertale të Izraelit përbën një pjesë periferike të festivalit, i cili lidhet me festivalin vjetor kushtuar operave të Wagnerit, që mbahet në Bayreuth. Në korrik të vitit 2001 dirigjenti izraelit Daniel Barenboim ishte i pari izraelit që drejtoi një orkestër gjermane, që luante një pjesë nga opera e Richard Wagner “Tristani dhe Isolda”. Para koncertit që u mbajt në Jerusalem, dirigjenti izraelit Barenboim i tha audiencës se orkestra do të interpretonte atë vepër, dhe se, kushdo që kishte diçka kundër saj mund ta braktiste sallën. Disa nga shikuesit u larguan nga salla gjithë zemërim, megjithëse në fund të interpretimit të veprës, audienca e mbetur i drejtoi atij dhe orkestrës ovacione në shenjë mbështetje.