E Shtunë, 31 Tetor 2026

4 vjet pa ikonën e teatrit, Violeta Manushi

TIRANË- Kanë kaluar katër vjet nga ndarja nga jeta e ikonës së Teatrit Kombëtar, aktores së mirënjohur të skenës dhe filmit, Violeta Manushi.
“Artistja e Popullit” Violeta Manushi, e cila ndërroi jetë në moshën 81 vjeçare, ka spikatur me mbi 100 role në teatër dhe 16 role në kinematografi. Roli për të cilin të gjithë e njohin dhe ende edhe sot nuk harrojnë batuta e tij është ai i teto Ollgës në filmin “Zonja nga qyteti”.

Për këtë rol, që i dha shumë popullaritet, Violeta Manushi u nderua me çmimin e parë si interpretuesja më e mirë në Festivalin e Filmit në vitin 1977.
Ajo u lind në qytetin e Korçës në 6 mars të vitit 1926. E rritur në një familje të varfër, Violeta Manushi u detyrua të punonte që në moshën 12 vjeçare.
Me pas “Artistja e Popullit” do t’i përkushtohej skenës. Për herë të parë debutoi në vitin 1946 dhe që atëherë ka qenë aktive me role që e bënë të paharruar për artëdashësit.

Protagoniste e shumë veprave të letërsisë botërore dhe asaj shqiptare, ka interpretuar në pjesët teatrale “Tartufi”, “Vajza me flokë të thinjur”, “Cuca e Maleve”, “Morali i zonjës Dulëka”, “Profesioni më i vjetër” si dhe në filmat “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Rrethimi i fundit”, “Mimoza llastica”, “Taulanti kërkon një motër”, etj.

Një ndër rolet e paharruara të saj është edhe ai në komedinë “Pallati 176” ku me batutat dhe interpretimin e saj bën për të qeshur edhe sot shikuesit.
Një vit para se të ndahej nga jeta, në moshën 80 vjeçare artistja shprehu dëshirën se donte të vdiste në skenë pasi ajo ishte shtëpia e saj ndërsa kolektivi familja e saj, por interpretimi i saj i fundit ishte ai në filmin “Trishtimi i zonjës Shnajder”, i xhiruar në vitin 2005-së. Një vit më parë ajo ishte rikthyer në skenën e TK-së për interpetimin në tragjikomedinë “Streha e të harruarve”.

Një nga ikonat e artit skenik shqiptar, Violeta Manushi është vlerësuar edhe me titullin “Qytetare Nderi” e Tiranës.
(e.m/ATSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›