E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doli “Metafora”

Nga Express më 27 korrik 2011 në ora 13:46

Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës nxori edhe numrin e tretë të revistës letrare “Metafora” (2, 2011), në të cilën janë botuar krijime poetike, në prozë, eseistikë, punime të shpërblyera në manifestime e takime letrare, si dhe materiale të tjera shkencore e kulturore të autorëve nga vendi e nga jashtë.

Në faqet e para të revistës është botuar poezia e Antonio Belushit “Nëna ima arbëreshe burrnore”, dërguar në shenjë përshëndetjeje festivalit ndërkombëtar të poezisë “Drini poetik”, që u mbajt në Prizren më 10-11 qershor 2011, kurse pastaj janë publikuar krijimet poetike që juria e festivalit i nderoi me çmime të autorëve H. Abazi, F. Açka, D. Shala, A. Papleka e U. Ajradini, si dhe poezi të poetit Zeqir Gërvalla, i cili u nderua me Emblemën e Prizrenit nga kryetari i KK të Prizrenit, Ramadan Muja.

Në faqet e revistës letrare “Metafora” gjithashtu janë botuar edhe vargjet e poetëve R. Ramabaja, H. Hyseni, A. Desku, A. Berisha, P. Buzhala, S. Basha, S. Krasniqi, B. Halimi, J. Fetahaj, B. Hoti, T. Duraku, I. Neziri etj., pastaj proza “Shitja e shpirtit” e autores Lediana Paja, disa nga poezitë e lexuara në “Lirën magjike” të festivalit ndërkombëtar të poezisë “Drini poetik” – I. Gjoni, S. Salihu, S. Zisi, M. Kërveshi, K. Zavalani, A. Bozaxhi, R. Moisiu, N. Selmani, S. Goliku, A. Gojçaj, S. Gjergji, S. Bytyçi, N. Spathari, F. Bruqi, Sh. Rexhepi, K. Rexha etj. Po ashtu janë botuar edhe krijime të shkrimtarëve botërorë si “Engjëjt e territ” të Ernesto Sabatos, “Nga dashuria për artin” e autorit O’Henri, krijime poetike të Tagorës, të Borhesit, të Transtromerit etj.

Janë prezantuar në këtë numër të revistës edhe dy poetët mysafirë të “Drinit poetik”, Ataol Behramoglu nga Turqia dhe Beste Sakalli nga Qiproja, pastaj poetët Arif Bozaxhi, Zeynel Beksaç e Arif Haliti në turqisht dhe në gjuhën boshnjake. Pos prozës “Rrezet i censuronte betoni” të Sylë Osmanajt, janë botuar edhe poezi të A. Vincës, të M. Avdylit e të Sh. Hasanit.

Shyqri Galica ka botuar punimin “Elena Gjika në monografinë e Vehbi Balës”, ndërsa Begzad Baliu atë me titull “Josif Bageri – rilindës i dy rilindjeve”, kurse nga sesioni letrar “Si trajtohet letërsia shqipe sot?” i “Drinit poetik” janë publikuar kumtesat “Gjendja e letërsisë shqipe sot: një përfundim i pritur apo një fillim i ri” e Arben Hoxhës, “Përfaqësimi i letërsisë shqipe sot në tekstet e letërsisë në gjimnazet shqiptare” e Irena Gjonit, “Vajtimi për librin shqip ose kultura e mosleximit” e Agim Vincës dhe “A u duhet shqiptarëve letërsia?” e Rushit Ramabajës. Në këtë numër të revistës është botuar edhe kumtesa e LSHK-së “Letërsia në tekstet mësimore”. Lexuesi do të gjejë dhe poezi të M. Haxharit, të G. Ajgerajt, të D. Kërliut, të A. Bajramit, të D. Haxhit e të R. Lahit.

Vështrime për librat kanë botuar Emin Kabashi (“Plotnia e një studimi për jetën dhe veprën e një atdhetari dhe një krijuesi”), B. Baliu (“Poezia si përjetim historik dhe estetik”), Abdyl Kadolli (“Malli i poetit të mërguar”), Faik Xhani (“Perla poetike të atdheut”), Shqipe Hasani (“Realja dhe fiktivja në një roman”) dhe Ismet Lecaj (“Paralajmërim i pranverës së lirisë”).

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›