Osaj: Ujësjellësi është kompetencë e Qeverisë, mos e politizoni çështjen e ujit

Komuna e Prishtinës ka ri përsëritur se me ligjin për ndërmarrjet publike, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2008 dhe i draftuar përsëri në vitin 2012, Ujësjellësi Rajonal Prishtina, nuk është kompani komunale, por është kompani rajonale, ku aksionar/pronar i 100 për qind është Qeveria e Republikës së Kosovës.
Andaj, sipas Komunës, çdo tentim që këtë kompani ta paraqesin si kompani publike lokale është një mashtrim që i bëhet qytetarëve për nevoja të fushatës elektorale dhe po ashtu tregon që disa parti politike në vend nuk e njohin legjislacionin në fuqi.
Komuna e Prishtinës, kërkon dhe insiston që çështja e ujësjellësit të mos politizohet.
“Pavarësisht faktit që kjo ndërmarrje nuk është nën menaxhimin e qeverisjes lokale por të asaj qendrore, Komuna e Prishtinës ka investuar dhe ka ndihmuar në shumë projekte këtë kompani. Projektet e mëdha për Prishtinën, të cilat i kemi filluar janë: Rekonstruktimi i rrjetit të ujësjellësit dhe ndërtimi i fabrikës së re të ujit që përfundon në vitin 2016. Përmes këtij projekti do të sigurohet furnizim i rregullt me ujë për të gjithë qytetarët e Prishtinës dhe komunave përreth. Vlera e projektit, ku hyjnë ndërtimi i fabrikës së re të ujit në Shkabaj dhe rekonstruktimi i rrjetit është mbi 60 milion euro. Komuna e Prishtinës, participon me 2 milionë euro. Prandaj është i kot deklarimi i disa partive politike se do të jenë ata që do ta realizojnë këtë projekt, sepse tashme projekti është duke u realizuar”, ka thënë në një konferencë për media, zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Asdren Osaj.
Ai, tutje ka treguar se është bërë ndërrimi i gypit magjistral nga Lagja Arbëria deri tek lagja Mati, po ashtu është bërë rekonstruktimi i rrjetit të ujësjellësit në lagjet Tophane. Ndërkohë, sipas tij, është duke u punuar në rrjetin e lagjes Dodona.
“Komuna e Prishtinës ka punuar shumë gjatë këtyre 4 viteve në ndërtimin e infrastrukturës në qytet dhe pjesët rurale: rrugëve, kanalizimeve, kanaleve të ujërave atmosferike, ujësjellësit, ndriçimit publik, trotuareve, shesheve... Në periudhën 2010-2013, janë ndërtuar 178 km kanalizime dhe 23 km ujësjellës. (që të dyja këto kompetence e Ujësjellësit rajonal Prishtina, që menaxhohet nga Qeveria e Kosovës). Po ashtu Komuna bashkë me ujësjellësin e kanë shpallur projektin për zgjidhjen e furnizimit me ujë për fshatin Milevc”, ka shtuar Osaj.