E Diel, 1 Nëntor 2026

A mund të pajtohen Turqia dhe Izraeli?

Pavarësisht nga rënia në pikën më të ulët të marrëdhënieve mes dy vendeve, shumë njerëz pyesin nëse paqëndrueshmëria dhe dinamika ndryshuese në Lindjen e Mesme mund të shtyjnë Turqinë dhe Izraelin që të zgjidhnin dallimet e tyre.

Jilldirim Tugrul Turkesh pyet veten sesi do të ishte Lindja e Mesme sot nëse Izraeli e Turqia, dy aleatë për një kohë të gjatë në rajon, nuk do të kishin përjetuar sulmin tragjik kundër flotës me ndihma Mavi Marmara, në maj të vitit 2010.

"Është e vështirë të shohësh sesi vendet tona janë gati të humbasin miqësinë 50 vjeçare të tyre përpara syve tanë", tha për Turkesh, një anëtar i parlamentit nga Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP) e së djathtës ekstreme, i njohur gjerësisht si djali i themeluesit të MHP-së, Alparslan Turkesh.

Për shumë vjet, Izraeli e Turqia bashkëpunuan për të trajtuar sfidat e sigurisë rajonale, të bashkuar nga marrëdhëniet e tyre me Shtetet e Bashkuara dhe perceptimet e përbashkëta të kërcënimit nga Siria e Irani, paqëndrueshmëria në Liban dhe terrorizmi.

Megjithatë, gjatë dekadës së fundit, perceptimet e sigurisë së Turqisë u zhvendosën në përputhje me dinamikat rajonale dhe bazat mbi të cilat marrëdhëniet Turqi-Izrael ishin ndërtuar në vitet 90-ta nisën të shpleksen. Në kuadrin e politikës aq të propaganduar të Ankarasë "pa probleme" me fqinjët, marrëdhëniet me Sirinë e Iranin u përmirësuan, të nxitura nga marrëdhëniet ekonomike e shqetësimet e përbashkëta lidhur me nacionalizmin kurd.

Dinamikat rajonale në Iran, Irak e Siri e lanë Izraelin më pak të rëndësishëm në perceptimet turke të sigurisë. Gjithsesi, nga këndvështrimit i Ankarasë, pa-aftësia e Izraelit për të arritur një marrëveshje me palestinezët ishte duke u bërë një kërcënim për paqen e sigurinë rajonale.

Megjithatë, Pranvera Arabe që vazhdon, veçanërisht shtypja e demonstruesve nga regjimi i Bashar al-Asadit në vendin e tij dhe rritja e tendosjeve mes Ankarasë e Teheranit lidhur me mbështetjen e Iranit për Sirinë, ka ndryshuar përsëri dinamikat dhe perceptimet e sigurisë rajonale.

Kjo i ka bërë disa të pyesin nëse ka ndonjë mundësi për të nxjerrë marrëdhëniet Turqi-Izrael nga pika e tyre më e ulët në historinë e të dy vendeve.

Si shumë në Izrael, disa politikanë turq besojnë se për të përmirësuar stabilitetin rajonal, dy ish-aleatët duhet të gjejnë një rrugë për të ndrequr marrëdhëniet e tyre.

"Po si?", pyet Turkeshi. "Zyrtarët e Izraelit duhet të mendojnë për këtë. Do të dëshiroja që incidenti i Gazës, që shkaktoi vdekjen e nëntë shtetasve tanë, të mos kishte ndodhur fare", shtoi ai.

Menjëherë pas hollësive që dolën nga një raport i OKB-së mbi incidentin në shtator, Turqia pakësoi lidhjet diplomatike, u dha fund të gjitha marrëveshjeve ushtarake, mori hapa për të siguruar lirinë e lundrimit në Mesdheun Lindor dhe njoftoi se do të mbështesë viktimat e flotës në kërkimin e drejtësisë në gjykatat ndërkombëtare.

Si një kusht paraprak për normalizimin e marrëdhënieve, Turqia kërkoi që Izraeli të kërkojë falje, të kompensojë familjet e viktimave të flotës dhe të heqë bllokadën e Gazës.

Duke i bërë jehonë ndjenjës së analistëve dhe politik-bërësve në Turqi, Turkeshi thotë se kontributi i fundit i Izraelit në ndihmën humanitare në Turqi në përgjigje të tërmetit që goditi Vanin, në fund të tetorit, ishte "një gjest shumë i ngrohtë", por jo i mjaftueshëm për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike.

Edhe e ashtuquajtura "diplomaci e futbollit" ka dështuar, pasi as zyrtarë të Turqisë, as të Izraelit nuk morën pjesë në ndeshjen e parë të futbollit mes Beshiktashit e Makabi Tel Avivit në Izrael.

"Nuk kemi asgjë për të folur për këtë me izraelitët, nëse nuk pranojnë përgjegjësinë e tyre për incidentin”, tha Jahja Akman, nga Partia për Drejtësi e Zhvillim (AKP) në pushtet, i cili dha dorëheqjen nga Grupi i Miqësisë Turqi-Izrael një ditë pas incidentit të Gazës.

Izraeli kontribuoi me shtëpi parafabrikate për viktimat të tërmetit të tetorit në Van. Në dhjetor të vitit 2010, Turqia iu përgjigj zjarreve të pyjeve në Izrael, duke dërguar aeroplan zjarrfikës. Megjithatë, gjeste humanitare të tilla kanë bërë pak për të zbutur dallimet e mprehta dypalëshe.

"Problemi ynë nuk është me popullin izraelit; problemi është me administratën jo-paqësore izraelite", shtoi Akman, duke thënë se marrëdhëniet mund të përmirësohen thelbësisht, nëse pala e Izraelit kërkon ndjesë për incidentin.

Megjithatë, Drejtori i projektit për Turqinë të Grupit Ndërkombëtar të Krizës, Hugh Pop, mendon se nuk do të ketë ngrohje të vërtetë në marrëdhënie, derisa opinioni publik turk të bindet se Izraeli po punon me gjithë zemër për të gjetur një zgjidhje me palestinezët.

"Turqia është shumë e prirë të normalizojë marrëdhëniet me Izraelin," tha ai. "Një normalizim i tillë haptazi zvogëlon tendosjet në rajon, ndonëse ndoshta nuk është përparësia e parë në kuadrin e revoltave arabe, duke gjykuar se ambasadat janë ende të hapura në të dyja vendet dhe kontaktet thelbësore vazhdojnë", shtoi Pop.

Për Karolinë Glik, zëvendës-redaktore administrative në gazetën The Jerusalem Post, vendet mund të pajtohen vetëm nëse Turqia vendos se është e interesuar për pajtim.

Në Izrael, thotë ajo, "kemi ecur përpara nga marrëdhëniet tona me Turqinë dhe kemi ndërtuar lidhje të forta strategjike me Greqinë, Qipron e vende të tjera, për të balancuar armiqësinë në rritje e qëndrimin e papërgjegjshëm të Turqisë."

Alon Liel, ish-ambasador izraelit në Turqi, mendon se përderisa Izraeli nuk kërkon falje për viktimat e Mavi Marmarasë, kontakti zyrtar mund të jetë vetëm në nivelin e shërbimit informativ mes Mosadit e MIT-it.

"Ky kontakt ka tani një mundësi reale që të zhvillohet për shkak të luftës qytetare në Siri dhe ndikimin e mundshëm të saj si ndaj Izraelit, ashtu edhe ndaj Turqisë," tha ai, duke argumentuar se nëse marrëdhëniet Turqi-Izrael do të jenë të mira, atëherë Siria do t'i shihte sot ndryshe marrëdhëniet e saj me Turqinë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›