E Shtunë, 31 Tetor 2026

Osmani: Barazimi me Vllazninë është i pranueshëm

Shtatlarti i mbrojtjes bardheblu, Tefik Osmani, beson se Tirana do t'i kthehet fitores me Teutën

Kryendeshja e javës së parë të kampionatit të 70 të, ajo midis Tiranës dhe Vllaznisë, e luajtur në "Loro Boriçi", ka përfunduar në barazim pa gola. Loja është zhvilluar me një nivel të kënaqshëm, që ka përligjur emrat e të dy skuadrave pretendente në këtë sezon. Barazimi në Shkodër është i pranueshëm për bardheblutë, të cilët në këtë sezon kanë si objektiv primar rikthimin tek titulli kampion, që sezonin e kaluar ia rrëmbeu skuadra tjetër kryeqytetase, Dinamo. Megjithëse kanë pasur disa raste për shënim, djemtë e Slishkoviçit nuk kanë mundur të shkëpusin tri pikë në Shkodër.

Ndërkohë, këtë sezon, 23 herë kampionët kanë krijuar një skuadër me lojtarë elitarë, ku mund të veçohet qendërmbrojtësi Tefik Osmani, i cili duket se ka krijuar një siguri në prapavijë. Mbrojtësi korçar që sezonin e kaluar luajti me Partizanin, foli për ndeshjen e tij të parë me fanellën bardheblu. "Tirana gjithnjë futet në lojë për fitore, dhe jo vetëm në këtë sezon që unë jam pjesë e saj. Ndeshja në Shkodër u luajt me nivel dhe skuadra jonë pati disa raste të pastra për shënim. Na vjen keq që nuk mundëm dot të fitonim, por një pikë e marrë në Shkodër është e pranueshme. Për nga mënyra e zhvillimit të lojës, si ne ashtu dhe Vllaznia mund t'i shkëpusnim fitoren njëra tjetrës, megjithatë barazimi ishte rezultat i drejtë. Tashmë, do të shohim përpara, pasi kampionati sapo ka nisur dhe kemi ende mjaft rrugë për të bërë,"- thotë Osmani. Edhe në javën e dytë, skuadra e Tiranës nuk do të luajë përpara tifozërisë së saj, pasi i shorti e ka vendosur me Teutën në transfertë. Ndeshja do të luhet në një fushë asnjanëse, pasi stadiumi "Niko Dovana" është duke u rikonstruktuar. Për këtë sfidë, shtatlarti Osmani beson te fitorja, por sipas tij duhet respektuar kundërshtari, që në javën e parë frenoi Dinamon. "Pas barazimit në Shkodër, në ndeshjen me Teutën na duhet medoemos të kërkojmë fitoren. Asgjë nuk është e sigurt në një ndeshje futbolli, sepse nuk i dihet se si merr rrjedha e lojës, por ne do të synojmë për ta fituar takimin. Besoj se do t'ia arrijmë, pasi mundësitë janë reale,"- shton 23-vjeçari. Mbrojtësi bardheblu, i cili më parë ka veshur dhe fanellën e kombëtares, pasi ka shijuar titullin kampion me Elbasanin dhe atë të nënkampionit me Partizanin, këtë sezon kërkon të ngrejë sërish trofeun me fanellën e Tiranës. "Kam ardhur tek Tirana për t'u shpallur kampion. Duke qenë se është formuar një skuadër me lojtarët më cilësorë të kampionatit tonë, them se kjo dëshirë, e cila përkon edhe me objektivin e skuadrës, është krejtësisht e realizueshme."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›