Proda uron homologun e tij nga Kosova: Thellojmë bashkëpunimin për sigurinë e qytetarëve tanë

TIRANË, 17 shkurt/ATSH/ Me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Policia e Shtetit përcjell urimet më të përzemërta për Policinë e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i ka dërguar mesazh urimi homologut të tij, drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Proda shprehet se “kjo ditë përfaqëson sakrificën dhe përkushtimin e popullit të Kosovës drejt forcimit të shtetit dhe institucioneve demokratike”.
“Policia e Kosovës ka dëshmuar profesionalizëm dhe partneritet të besueshëm në garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal kundër krimit të organizuar”, thekson ai.
Kreu i Policisë së Shtetit shpreh bindjen se “bashkëpunimi ynë i shkëlqyer do të vijojë të thellohet edhe më tej, në funksion të sigurisë së qytetarëve tanë dhe stabilitetit të rajonit”.
Policia e Shtetit rikonfirmon vullnetin për bashkëpunim të ngushtë dhe të qëndrueshëm me Policinë e Kosovës, në shërbim të sigurisë dhe rendit publik.
/r.e/