Osvaldo ndihet italian

“Ndihem italian. Familja ime është argjentinase, por gruaja dhe fëmijët e mi janë italianë dhe ishte këtu ku jam rritur si futbollist. Jam më italian se disa prej atyre që kanë bërë bujë për inkuadrimin tim në Kombëtaren italiane”, tha Osvaldo për mediet italiane.
“Tashmë e kam kënduar himnin kur kam luajtur për ekipin U-21, andaj nuk paraqet problem për mua ta këndoj. Dhe nuk mendoj se është mungesë respekti ndaj askujt. Në fakt, mendoj se do t’i kënaq italianët”, shtoi ai.
Osvaldo u ftua nga selektori Cesare Prandelli të mërkurën, pas mungesave të Mario Balotellit dhe Giampaolo Pazzinit për shkak të lëndimeve. Sulmuesi 25 vjeç mund të debutojë të martën në ndeshjen e fundit kualifikuese për Euro 2012, që Italia e zhvillon në shtëpi kundër Irlandës së Veriut.
Italia tashmë është kualifikuar për garën e vitit të ardhshëm, si fitues i Grupit C.