E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermani Fetel fitoi titullin e kampionit te botes ne Formula 1

Përfundimi nuk vihej në dyshim, por është ndryshe kur vjen vetë momenti madhështor i fitores. Sebastian Fetel nuk mund të gjente fjalë dhe nuk mund të përmbante lumturinë e tij pasi u shpall kampion bote për të dytin vit radhazi në Formula 1, pasi zuri vendin e tretë në garën e Çmimit të Madh të Japonisë, zhvilluar sot në mëngjes në Suzuka.

Fetel është kampioni i dyfishtë më i ri në histori, në moshën 24 vjeç e 99 ditë, pasi u bë kampioni më i ri i botës sezonin e kaluar në moshën 23 vjeç e 123 ditë. Po ashtu, ai mban rekordet si më i riu që fitoi një garë, që u ngjit në podium dhe që fitoi një “pole position”.

Piloti i Red Bullit, u nis nga vendi i parë, pasi fitoi “pole position”-in të shtunën, por nuk pati synim fitoren me çdo kusht, madje duke mos sulmuar seriozisht as Ferrarin e Fernando Alonsos që zuri vendin e dytë.

Gara në Suzuka u fitua nga anglezi i Meklaren Mercedesit, Xhenson Baton, kampion i botës në vitin 2009, pasi përballoi sulmet e fundit të Alonsos.

Ljuis Hamilton fillimisht u ngjit në vend të dytë duke kaluar shokun e tij të skuadrës, Baton, në start, por më pas pati probleme, pasi iu shpua një gomë dhe sërish u prek në parakalim me Ferrarin e Felipe Masës. Veçse, këtë herë anglezi nuk u dënua dhe përfundoi në vendin e pestë.

Një figurë shumë të mirë bëri 7 herë kampioni i botës, Mikael Shumaker, i cili zuri vendin e gjashtë, madje duke mos qenë larg vendeve të para.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›