Xhemajli, entuziast për aventurën napolitane

“Ky është një qytet fantastik, që të jep shumë stimulime. Është sensacion unik të luash në një vend ku të dhurohet aq shumë dashuri. Jam shumë më mirë, po ushtroj i vetëm. Kam punuar shumë pas lëndimit dhe shpejt do t’i kthehem grupit. Po kalojmë momente të mira dhe dëshiroj ta jap kontributin maksimal për Napolin. E di se mund të jap shumë më tepër dhe jam i gatshëm dhe në dispozicion të trajnerit”, deklaroi Xhemajli në një intervistë për të përditshmen italiane Corriere dello Sport.
Fryma grupore, sipas përfaqësuesit zviceran, është çelësi i suksesit të napolitanëve këtë sezon. Ish futbollisti i Torinos tregon se ka raport të shkëlqyeshëm me trajnerin Mazzarri, për të cilin thotë se është i aftë të japë indikacione precize për secilin lojtar.
Xhemajli mendon se këtë vit kampionati italian është mjaft i ekuilibruar. Si konkurrentë direkt të Napolit ai i sheh ekipet si Inter, Milan e Juventus, por edhe disa të tjera. “Është një kampionat i ekuilibruar. Duhet ta shikojmë vetëm veten dhe të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje. Dëshirojmë të jemi të suksesshëm në të gjitha frontet”, shtoi ai. Për Xhemajlin Liga e Kampionëve është një emocion unik dhe po e shijon me plot kënaqësi.