E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oto Bariç Jr. “ Ja kush eshte babai im, Oto Bariç”

- Për të asistuar në fitoren e parë të trajnerit të Kombëtares shqiptare, Oto Baric në zonën e dytë VIP të stadiumnit "Qemal Stafa" ishte i pranishëm edhe një tjetër Oto Baric, i cili nuk është askush tjetër, por djali i vetëm i kroatit 74-vjecar. Oto Baric Zhunjor, 49 vjec, tregon në intervistën ekskluzive për Albania-sport, edhe si është pagëzuar me të njëjtin emër si i jati i tij: "Nëse dëshiron që djali tënd të jetë i famshëm në jetë si ty, atëherë duhet të ketë të njëjtën emër, Oto Baric, i kishte thënë gjyshja ime babait tim, 45 vjet parë".
Oto Baric Xhunjor nuk kishte ardhur asnjëherë në Shqipëri edhe pse i jati i tij, trajneri karizmatik i Kombëtares shqiptare, Oto Baric i drejton kuqezinjtë prej gati një viti. Arkitekti, i cili drejton një studio të suksesshme arkitekture me qendër në Vienë, erdhi në Shqipëri së bashku me bashkëshorten e tij, Alemka, me të cilën është martuar 22 vjet më parë. Kur zbriti në hollin e hotelit "Rogner Europapark" pas bashkëbisedimit telefonik nga recepsioni, na befasoi me ngjashmërinë absolute më të atin, një përputhje e plotë e thënies së famshme: "si i ati, i biri".
Përshtypja e parë e Baricit të "vogël" për Tiranën është pozitive: "Ndërtesa të reja, ambient i ngrohtë, njërëz të rinj".

Le të kthehemi në "fushë", për ta parë babain tuaj jo si trajner, por në jetën private të Oto Baricit...
Jemi një familje që futbollin në vecanti e kemi përkrahur dhe bërë stil jete prej një kohe shumë të gjatë. Mjafton të përmend këtu faktin se babai im është trajner që prej më shumë se 40 vjetësh kështu që në një mënyrë apo në një tjetër nuk ka sesi të mos diskutohet edhe në pjesën më të madhe të kohës në shtëpi. Unë kam qenë dëshmitar në një fare mënyre i të gjitha stacioneve gjatë karrierës së tij si trajner. Dashuria për Shqipërinë është e madhe nga ana e tij. Besoj se gjëja që di të bëjë më mirë babai im si trajner është organizimi shumë i mirë i një skuadre nga njëra ndeshje në tjetrën.
Si u arrit të nënshkruhej kontrata mes federatës shqiptare dhe babait tuaj para një viti? Ishin drejtuesit e federatës që telefonuan të parët apo ishte vetë mister Baric që u interesua për postin e trajnerit të kombëtares shqiptare?
Të them të drejtën këtë për këtë gjë nuk jam shumë i sigurt. Në ishim për pushime në bregdet verën e kaluar, por jam i sigurt se propozimi ka ardhur direkt nga presidenti i federatës.
Megjithëse është trajneri më i vjetër në moshë në Evropë, a mendoni se babai juaj do të ketë dëshirë të rinovojë kontratën e tij me FSHF-në?
Ai ka ardhur këtu për një qëllim të caktuar; të ngrejë një skuadër e cila të mund të jetë kompetitive në vitet në vazhdim.. Gjithcka varet nga rezultatet. Në se është arritur ai qëllim që ishte vënë në fillim nuk ka pse të mos vazhdojë. Në fakt ai duket në pamje të parë, më i ri se sa është në "letra", që e tregojnë më të madh. Mendoj se këtu mosha nuk është gjëja më e rëndësishme. Në Europë ka presidentë shtetesh apo zyrtarë të tjerë që janë më të moshuar se babai im, por askush nuk shqetësohet nga kjo.
Si është e mundur që juve nuk keni jeni marrë me futboll dhe keni zgjedhur një rrugë krejt tjetër, atë të arkitekturës?
Jeta ime mori një rrjedhë tjetër në moshë 17-vjecare. Asokohe stërvitesha pranë një skuadre të rinjsh të Lask Linz në Austri. Babai pa një ndeshje dhe më tha pa asnjë hezitim: "Ti nuk do të bësh kurrë para me futboll, është më mirë që të merresh me dicka tjetër", kështu që e lashë fare dhe vazhdova arkitekturën. Tani kam një studio arkitekture së bashku me bashkëshorten time në Zagreb. Projektojmë hotele.
Bashkëshortja juaj është kroate?
Po, është kroate. Dhe quhet Alemka. Kemi njohur njëri-tjetrin shumë kohë më parë dhe jemi të martuar prej 22 vjetësh tashmë.
Cfarë vlerësoni ju më shumë në punën e babait tuaj?
Unë jam një tip konservativ. Nuk e kritikoj kurrë babain tim. Ai ka ide të qartë se cfarë kërkon të arrijë. Ai është i lumtur se ia ka arritur shumë gjëra. Ajo që është më e rëndësishme është fakti se ai urren të dështojë dhe ca nga fati dhe ca nga puna që ka bërë them se ia ka dalë mbanë në përgjithësi.
Gjithmonë?
Jo, gjithmonë. Mbaj mend se rreth fundit të viteve 80-të shkoi në Gjermani për të drejtuar Shtutgartin dhe arriti që të formonte një skuadër të mirë. Por më pas u detyrua të largohej sepse drejtuesit e klubit i thanë se nuk kishin para të mjaftueshme për të blerë ata futbollistë që ai dëshironte të kishte në skuadër. Në Shqipëri ai ka ide të qarta se ku dëshiron të arrijë.
Duket sikur mister Baric është "i dashuruar" pas futbollistëve të rinj...
Atij i pëlqejnë të rinjtë, por nuk heq dorë lehtë nga futbollistët me eksperiencë. Është pjesë e mentalitetit të tij. Këtë gjë ka pasur synim gjithmonë dhe këtë gjë po dëshiron të bëjë edhe tani me kombëtaren shqiptare. Ai do të krijojë një skuadër e cila të mbështetet tek një kolektiv i mirë dhe jo vetëm tek një futbollist i vetëm. Për shembull, ti mund të kesh Maradonën në skuadër por kur nuk ke përreth tij edhe ca të tjerë të mirë pak a shumë si ai atëherë nuk ke për të marrë kurrë rezultate.
Po në rastin e Shqipërisë?
Në rastin tuaj ai më ka treguar se po mundohet të mbledhë sa më shumë futbollistë shqiptarë që luajnë në Evropë, të cilët kanë vite mbase që kanë ikur me prindërit e tyre në këto vende dhe ti kthejë të luajnë për kombëtaren shqiptare. Kjo për faktin se ata janë zhvilluar krejt ndryshe fizikisht nga ana sportive sesa lojtarët këtu kështu që po mundohet të krijojë një skuadër të mirë për të ardhmen.
Kur pati firmosur për kombëtaren shqiptare mister Baric pati deklaruar se nuk e bënte për para pasi ishte i pasur. Madje pati theksuar djali i tij ishte më i pasur...
I vërtetë është fakti se jemi një familje e pasur. Kemi shtëpi në Austri dhe Kroaci. Nuk kemi probleme për para. Unë kam një kompani arkitekture ku kam punësuar 20 bashkëpunëtorë dhe mund të jetoj shumë mirë. Ne jetojmë në një vilë shumë të kendshme në Zagreb, të cilën e ndajmë së bashku. Ndërsa për sa i përket fakti se cili është më i pasur unë apo babai im them se para 20 vjetësh unë mbase mund të kisha nevojë për të financiarisht, ndërsa tani realisht nuk kam aspak nevojë. Një gjë është e sigurt se ai në Shqipëri nuk ka ardhur për para. Unë personalisht e shikoj si një sfidë që ai ka dashur të bëjë me marrjen postit të trajnerit të kombëtares shqiptare.
Cila sfidë?
Po. Sfidë me veten dhe me këdo që beson ende tek ai si trajner profesionist. Pesë vjet më parë ai ishte trajner i Kroacisë dhe pasi ai doli ta conte në evropian filluan ti kërkonin që ta nxirrte edhe kampion duke mos qenë aspak realist për ekipin që kishin. Normalisht gjithkush mund të kërkojë gjithnjë e më shumë por nuk është normale besoj unë të matesh me shtete si Anglia, Gjermani, Franca, që në fakt me Kroacinë kanë hasur gjithmonë vështirësi. Mendoj se ai dëshiron të formojë një kombëtare shqiptare e cila të mos ketë problem të matet me skuadra të rangut të saj. Le te themi, Maqedonia, Bosnja, Slloveni, Estonia, Letonia, etj.
Në mediat kroate janë shkruar se ai është një admirues i verës...
Nuk mund te them është një person që pëlqen të pijë shumë. Është një dashamirës i verës së bardhë, por i vetëm i një gote verë. Pëlqen më shumë peshkun dhe preferon të jetojë në vende të qeta. Nuk ka pirë kurrë në jetën e tij cigare, prandaj gëzon edhe një shëndet të mirë.
Para mister Baricit, kombëtarja shqiptare pati në krye edhe dy trajnerë të huaj, italianin Dosena dhe gjermanin Brige, të cilët nuk patën udhëtuar asnjëherë me zonjat e tyre drejt Shqipërisë. A mos ndoshta edhe zonja Baric do të ndjekë këtë shembull?
Jo nuk besoj. Ajo ka dëshirë të udhëtojë dhe mesa di unë ka shprehur dëshirën disa herë që të vijë por duke qenë se babai kur vjen në Shqipëri është shumë i zënë i ka sugjeruar që të rrijë. Ne kemi një vilë në bregdet dhe i pëlqen të rijë atje. Ajo është pakëz përtace. Por të jeni të sigurt se do të vijë edhe pse duhet të kuptoni se edhe ajo ka një farë moshe tani dhe nuk është se mund ta udhëtojë shumë. Të paktën jo sikundër bënte 10-20 vjet më parë teksa e ndiqte babain pothuajse në cdo ndeshje.
Intervistoi: Dash Frashëri

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›