E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oto Rehagel grumbullon Sotir Ninin për miqësoren me Qipron

Talenti shqiptar Sotir Nini është surpriza e padiskutuar e trajnerit Oto Rehagel për miqësoren që Greqia do të luajë të hënën me Qipron. 18-vjeçari, i cili ka refuzuar fanellën kuqezi për t‘u përfaqësuar me atë të vendit helen, grumbullohet për herë të parë në Kombëtaren "A" të vendit fqinj. Për shkak të shumë mungesave të futbollistëve titullarë, të cilët kishin impenjime me klubet e tyre, drejtuesi i stolit të kampionëve në fuqi të Evropës vendosi të afronte në kontingjent adoleshentin e Panathinaikosit. Paraqitjet e mira të Ninit në Superligën greke kanë bërë që ai të jetë pjesë e kombëtares në momentet finale kur pritet të zgjidhet skuadra që do të marrë pjesë në Euro 2008 në Austri dhe Zvicër. Nini, i cili ka bërë një paraqitje të shkëlqyer me U-19 të Greqisë, që vitin e kaluar arriti finalen e Evropianit të kësaj moshe, është shprehur i lumtur për këtë ftesë. "Është një ëndërr që realizohet, një motivim për të punuar edhe më shumë e për të vazhduar përmirësimin si futbollist. Jam shumë i lumtur", ishin fjalët e djaloshit të lindur në Himarë. Prej dy vjetësh, kur debutoi me Panathinaikosin, ai është vlerësuar maksimalisht nga specialistët, ndërkohë që flitet se Reali i Madridit interesohet ta blejë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›