E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijët e gardianit grabisin makinën luksoze të biznesmenit

 

DURRES - Vëlla e motër vjedhin një fuoristradë të sapodalë nga fabrika, por dështojnë pas 15 kilometrave arrati. Ata kanë kryer grabitjen spektakolare të një autoveture luksoze të markës “Mercedes Benz”, prodhim i vitit 2008, në pronësi të Jani Notit, një ish-basketbollist i njohur i kombëtares së Shqipërisë. Autorët e moshave 14 dhe 17 vjeç janë arrestuar në flagrancë pranë Sukthit, pjesë e superstradës Durrës-Tiranë. Ndonëse asnjë prej vjedhësve nuk kishte patentë për efekt moshe, kjo nuk i ka penguar ata të ecnin me siguri në autostradë. Sipas policisë autovetura e vjedhur është tepër e kushtueshme. Ajo i përket klasit fuoristradë “ML 270 TD” e tipit Mercedes, me targë DR 3993 E. Në orët e paradites, patrulla e përgjithshme e policisë ka marrë një sinjalizim për drejtimin në aksin Durrës-Tiranë të makinës së vjedhur. Policët e qytetit bregdetar e kanë ndjekur fuoristradën për disa kilometra, derisa kanë bërë arrestimin e 17-vjeçarit Klement P., dhe motrës së tij 14-vjeçare, A.P. Policia e Durrësit bën me dije se autorët e mitur janë banorë të Kasharit, në zonën e Vorës. Të njëjtat burime saktësojnë se ata janë fëmijët e një polici burgjesh, që kryen prej vitesh shërbimin në Fushë-Krujë. Policia e Durrësit po tregohet e kujdesshme me të arrestuarit, për shkak të moshës së tyre të mitur. Hetuesit duan të dinë se si vjedhësit arritën të hapnin dhe më pas të merrnin drejtimin e autoveturës me vlerë mbi 40 mijë euro, pa rënë sinjali i alarmit. Vjedhja ka ndodhur në lagjen 17 të qytetit të Durrësit, ku ish-sportisti i kombëtares, tashmë biznesmen i njohur e kishte parkuar. Ai ka kryer denoncimin me shpejtësi, çka ka bërë që patrullat e policisë të veprojnë menjëherë, duke e bllokuar mjetin ende pa dalë nga superstrada.                o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›