E Shtunë, 31 Tetor 2026

P R O J E K T L I GJ PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.8934, DATË 5.9.2002, “PËR MBROJTJEN E MJEDISIT”, TË NDRYSHUAR”

P R O J E K T L I GJ

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA  NË LIGJIN NR.8934, DATË 5.9.2002, “PËR MBROJTJEN E MJEDISIT”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I :

Nё  ligjin nr.8934, datë 5.9.2002, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, të bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1

Neni 38 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 38
Afatet e shqyrtimit të kërkesave për miratim mjedisor

1. Deklarata mjedisore, leja mjedisore, autorizimi mjedisor dhe pëlqimi mjedisor shqyrtohen dhe miratohen, brenda afateve të mëposhtme:

a) Deklarata mjedisore, brenda 3 javëve nga paraqitja e kërkesës;
b) Leja mjedisore, brenda 5 javëve nga paraqitja e kërkesës;
c) Autorizimi dhe pëlqimi mjedisor, brenda 2 javëve nga paraqitja e kërkesës.

2. Koha për plotësimin e dokumentacionit, sipas kërkesave të nenit 37, të      ligjit në fuqi, nuk llogaritet në afatet e parashikuara në shkronjat “a”, “b”, e “c”, të pikës 1, të këtij neni.

3. Nëse kërkuesi nuk i përgjigjet, brenda tri muajve, kërkesës me shkrim të organit miratues, për plotësim apo përmirësim dokumentesh, vlerësohet se është hequr dorë nga kërkesa për miratim mjedisor.

4. Kur është e nevojshme kryerja e ekspertizave të kualifikuara, organi përgjegjës, me vendim të arsyetuar, mund ta zgjasë kohën e dhënies së secilit dokument, deri në dyfishin e kohës së përcaktuar në pikën 1, të këtij neni.

5. Nëse organi miratues nuk përgjigjet brenda afateve të mësipërme, secili dokument quhet i miratuar dhe kërkuesi mund ta vazhdojë veprimtarinë. Ndërkohë organi miratues njofton kërkuesin për kushtet dhe kërkesat e dokumentit të miratimit.

6. Secili dokument i përmendur në pikën 1, të këtij neni, është i vlefshëm nga çasti i fillimit të veprimtarisë dhe përsa kohë që kushtet, në bazë të të cilave është miratuar dokumenti, nuk ndryshojnë.”.

Neni 2

Në pikën 1, të nenit 83, bëhen këto ndryshime e shtesa:

a) Shkronja “b” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“b) Për shkronjat “gj”, “h”, “j” e “k”, nga 300 000 deri në               500 000 lekë.”.

b) Pas shkronjës “c” shtohet shkronja “ç”, me këtë përmbajtje:

“ç) Për shkronjën “g”, ku trajtohet ushtrimi pa leje mjedisore i veprimtarive, që ndotin e dëmtojnë mjedisin, nga 1 000 000 deri në  2 000 000 lekë;”.

Neni 3
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

JOZEFINA TOPALLI

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›