P R O J E K T L I GJ PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9109, DATË 17.7.2003, “PËR PROFESIONIN E AVOKATIT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRIS˔, TË NDRYSHUAR
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9109, DATË 17.7.2003, “PËR PROFESIONIN E AVOKATIT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I :
Në ligjin nr.9109, datë 17.7.2003, “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në nenin 24 bëhen këto ndryshime:
a) Në pikën 1, fjala “…dy…” bëhet “…një”;
b) Pika 3 shfuqizohet.
Neni 2
Në nenin 26 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Tarifa e licencës për ushtrimin e profesionit të avokatit është 100 lekë.”.
Neni 3
Pikat 5 e 8, të nenit 33, shfuqizohen.
Neni 4
Pas shkronjës ”ë”, të pikës 2, të nenit 34, shtohet shkronja “f”, me këtë përmbajtje:
“f) kopje të vulës së avokatit ose zyrës së avokatisë. Vula duhet të jetë unike dhe duhet të përmbajë titullin “Avokat” dhe identitetin e avokatit ose të zyrës së avokatisë. Këshilli drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë përcakton formën, përmbajtjen, procedurën e përgatitjes dhe të shpërndarjes së tyre.”.
Neni 5
Titulli i kreut VIII bëhet “ANKIMET DHE PROCEDURAT DISIPLINORE”
Neni 6
Neni 37 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 37
1. Ankesat/kërkesat ndaj çdo sjelljeje ose veprimi të avokatit i drejtohen kryetarit të dhomës së avokatisë. Kryetari i dhomës së avokatisë ia përcjell ankesën/kërkesën komisionit të verifikimit të ankimit, të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, brenda 5 ditëve kalendarike nga data e dorëzimit.
2. Ankesat/kërkesat kundër avokatit mund të paraqiten nga:
a) çdo person, që mbrohet, përfaqësohet ose ndihmohet juridikisht prej tij;
b) çdo person i tretë, që pretendon se është dëmtuar nga sjellja apo veprimet e avokatit;
c) organet drejtuese të dhomave të avokatisë;
ç) gjyqtarët dhe prokurorët;
d) ministri i Drejtësisë;
dh) çdo organ tjetër shtetëror, i parashikuar me ligj.”.
Neni 7
Neni 38 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 38
Avokati i nënshtrohet procedimit disiplinor kur:
a) ka vepruar në kundërshtim me parashikimet e dispozitave ligjore, që rregullojnë veprimtarinë e avokatit, dhe me legjislacionin tatimor;
b) ka vepruar në kundërshtim me rregullat e parashikuara në Kodin e Etikës së Avokatit dhe me rregullat e tjera të përcaktuara nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe dhomat e avokatisë.”.
Neni 8
Neni 39 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 39
1. Për shqyrtimin e kërkesave/ankesave për procedim disiplinor ndaj avokatëve krijohet komisioni i verifikimit të ankimit, i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, me avokatë të zgjedhur me short nga lista e përfaqësuesve, me këtë përbërje:
a) 3 (tre) përfaqësues, nga dhoma e avokatisë, Tiranë;
b) 1 (një) përfaqësues, secila, nga dhomat e tjera të avokatisë.
2. Për shqyrtimin e ankesës/kërkesës për procedimin disiplinor ndaj një avokati të caktuar, komisioni i verifikimit të ankimit, i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, zgjedh nënkomisionin e verifikimit të ankimit, i cili ka në përbërje:
a) kryetarin e komisionit të verifikimit të ankimit, në cilësinë e kryetarit të këtij nënkomision;
b) dy avokatë të zgjedhur me short nga anëtarët e komisionit të verifikimit të ankimit, të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, dhe një avokat, që përfaqëson dhomën e avokatisë, nga ka ardhur ankimi, në cilësinë e anëtarëve.
Kryetari i komisionit të verifikimit të ankimit zgjidhet nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.
Rregullat e hollësishme për procedurën e zgjedhjes dhe të funksionimit të komisionit të verifikimit të ankimit e për zgjedhjen e kryetarit të këtij komisioni përcaktohen në rregulloren e zgjedhjes dhe të funksionimit të komisionit të verifikimit të ankimit, të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.”.
Neni 9
“Neni 40
Neni 40 ndryshohet, si më poshtë vijon:
1. Procedimi disiplinor përbëhet nga fazat e verifikimit, të refuzimit apo të kalimit në gjykim të kërkesës/ankesës dhe e të gjykimit.
Procedimi disiplinor fillon me paraqitjen e kërkesës/ankesës nga subjektet e përcaktuara në nenin 37, të këtij ligji.
2. Kryetari i komisionit të verifikimit të ankimit, brenda 15 ditëve nga data e depozitimit të kërkesës/ankesës, cakton përbërjen e nënkomisionit të verifikimit të ankimit.
3. Avokati, ndaj të cilit është paraqitur ankesa/kërkesa, duhet të paraqesë, me shkrim, pretendimet e tij për ankesën/kërkesën, brenda 15 ditëve nga data e marrjes së njoftimit.
Mosparaqitja e pretendimeve nga avokati para nënkomisionit të verifikimit të ankimit nuk përbën shkak për mosvazhdimin e procedimit disiplinor.
4. Afatet procedurale të verifikimit të ankesës/ kërkesës fillojnë nga data e mbërritjes së saj në komisionin e verifikimit të ankimit. Ky komision merr vendim, brenda 60 ditëve nga data e marrjes së ankesës/kërkesës.
Për çështje, të cilat kërkojnë hetime të posaçme e të specializuara, ky afat mund të zgjatet edhe 30 ditë të tjera.”.
Neni 10
Pas nenit 40 shtohen nenet 40/1 e 40/2, me këtë përmbajtje:
“Neni 40/1
1. Nënkomisioni i verifikimit të ankimit, pasi bën verifikimet e nevojshme, dëgjon pretendimet e palëve dhe, sipas rastit, vendos fillimin e procedimit disiplinor, kundër avokatit, ose refuzimin e fillimit të procedimit.
2. Vendimi i nënkomisionit të verifikimit të ankimit për refuzimin e ankimit mund të ankimohet në komitetin disiplinor të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, brenda 10 ditëve, nga subjekti, që ka paraqitur ankesën/kërkesën. Vendimi i komitetit disiplinor të Dhomës Kombëtare të Avokatisë është i paankimueshëm nga subjekti, që paraqet ankesën/kërkesën.
3. Kur nënkomisioni i verifikimit të ankimit e kalon çështjen për gjykim, vendimi është i pakundërshtueshëm, nga pikëpamja procedurale, në komitetin disiplinor, të Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Kur çështja kalon për gjykim, kryetari i komisionit të verifikimit të ankimit, të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, e përfaqëson çështjen përpara komitetit disiplinor të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, në cilësinë e palës.
Neni 40/2
1. Nënkomisioni i verifikimit të ankimit merr vendim për rrëzimin e kërkesës/ankesës ose kalimin e saj për gjykim para komitetit disiplinor, të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, dhe e shpall atë brenda 10 ditëve.
2. Nënkomisioni i verifikimit të ankimit, për marrjen e vendimeve, vendos me shumicë votash. Në rastet kur rezultati i votimit është i barabartë çështja kalon për gjykim.
3. Nënkomisioni i verifikimit të ankimit duhet t’u dërgojë palëve kopje të vendimit të shpallur prej tij.”.
Neni 11
Neni 41 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 41
1. Masat disiplinore jepen sipas një procedure, e cila garanton të drejtën për t’u informuar, për të kërkuar sqarime rreth fakteve, për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur.
2. Palët në procedimin disiplinor kanë të drejtë të paraqiten dhe të japin shpjegime në seancë, vetë ose nëpërmjet mbrojtjes e përfaqësimit me avokat. Nëse njëra ose të dyja palët nuk paraqiten në seancë, pa motive të arsyeshme, komiteti disiplinor, i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, shqyrton çështjen dhe merr vendim, në mungesë të tyre.
3. Gjatë procedurës ankimore, komisioni disiplinor mund të dëgjojë shpjegime nga palët dhe dëshmitarët e tyre.
4. Shpjegimet e palëve dhe dëshmitë në seancë mund të jepen me gojë ose me shkrim.
5. Komiteti disiplinor, i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, pranon dëshmitë dhe dokumentet e paraqitura para tij, me cilësinë e provës, dhe i çmon ato sipas bindjes së formuar pas shqyrtimit të tyre, në tërësi.
6. Masat disiplinore jepen brenda 3 muajve nga data e konstatimit të shkeljes, por jo më vonë se 5 vjet nga çasti i kryerjes së saj.”.
Neni 12
Neni 42 shfuqizohet.
Neni 13
Në nenin 43 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Në fjalinë e parë fjalët “… komisioni disiplinor, i Dhomës së Avokatisë…” zëvendësohen me “…komisioni disiplinor, i Dhomës Kombëtare të Avokatisë…”.
b) Në shkronjën “ç” fjalët “…i propozon komitetit disiplinor, të Dhomës Kombëtare të Avokatisë…” shfuqizohen.
Neni 14
Neni 44 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 44
1. Kur komiteti disiplinor, i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, në përfundim të shqyrtimit të ankesës/kërkesës, e deklaron avokatin fajtor, përveç masave të parashikuara në nenin 43, të këtij ligji, mund t’i kërkojë që:
a) të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, për zgjidhjen e problemit në fjalë;
b) t’i kompensojë dëmin e shkaktuar kërkuesit/ankuesit apo palëve të tjera të dëmtuara nga veprimet e tij, në masën që çmohet e drejtë nga rrethanat, që rezultojnë nga shqyrtimi i ankesës/kërkesës;
c) të urdhërojë avokatin e deklaruar fajtor, për të paguar shpenzimet e palëve të tjera dhe të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, për përballimin e çështjes disiplinore në fjalë.”.
Neni 15
Neni 45 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 45
1. Komiteti disiplinor, i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, gjykon çështjen brenda 30 ditëve nga data e regjistrimit të materialit për ankim. Ky komitet, me kërkesë të njërës prej palëve, mund të shtyjë, për shkaqe të përligjura, afatin e gjykimit, por jo më shumë se 30 ditë nga data e caktimit të gjykimit. Vendimi i këtij komiteti duhet të jetë i arsyetuar dhe u njoftohet palëve, brenda 3 ditëve nga përfundimi i gjykimit.
2. Vendimi i komitetit disiplinor, i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, mund të ankimohet nga pala ankuese/kërkuese ose avokati në Gjykatën e Apelit, Tiranë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit.
3. Në rast mosveprimi të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, brenda afateve të parashikuara në pikën 1, të këtij neni, ministri i Drejtësisë ka të drejtë të paraqesë në Gjykatën e Apelit, Tiranë, kërkesën për marrjen e masës disiplinore.
Ministri i Drejtësisë ka të drejtë ta ankimojë në Gjykatën e Apelit vendimin e komitetit disiplinor, të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, për dhënien e masës disiplinore ndaj avokatit edhe kur ai nuk është subjekti, që ka paraqitur kërkesën/ankesën, në rast se masa disiplinore është më e lehtë, në raport me shkeljen e kryer.”.
Neni 16
Pas nenit 45 shtohet neni 45/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 45/1
1. Për veprimtarinë e mësipërme, Dhoma Kombëtare e Avokatisë miraton tarifat e shpërblimit.
2. Rregulla të hollësishme për shpenzimet përkatëse përcaktohen në rregulloren e komitetit disiplinor, të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.”.
Neni 17
Neni 46 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 46
Dhoma Kombëtare e Avokatisë regjistron vendimet disiplinore dhe njofton Ministrinë e Drejtësisë dhe prokurorin e Përgjithshëm për këto vendime.”.
Neni 18
Nenet 47, 49 e 50 shfuqizohen.
Neni 19
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI