USAID vlerëson angazhimin e qeverisë shqiptare për përshpejtimin e reformave që përafrojnë procesin e anëtarësimit në NATO dhe BE
Kryeministri Berisha priti sot në një takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë z. John Withers II, i cili prezantoi Drejtoren e re të Misionit të USAID-it, znj. Roberta Mahoney.
Në këtë takim, Kryeministri Berisha vlerësoi ecurinë e projekteve të USAID-it në Shqipëri dhe ndihmën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë në fuqizimin e demokracisë, institucioneve dhe ekonomisë së tregut.
Në veçanti, Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin maksimal për programet në kuadër të fazes së parë të Sfidës së Mijëvjeçarit, rezultatet e të cilit e renditën Shqipërinë në vendin e nderit përsa i përket shpejtësisë së reformave.
kështu Kryeministri vlerësoi maksimalisht fazën e dytë të programit të Sfidës së Mijëvjeçarit në 5 projektet e saj :
Krijimi i Gjykatës Administrative
Reforma e Administrimit të Taksave
Qendra Kombëtare e Liçencave
Regjistri Kombëtar i Planifikimit
Njësia e Përbashkët Hetuese
Nga ana e saj, Përfaqësuesja e Misionit të USAID-it në Shqipëri, znj. Roberta Mahoney, shprehu vlerësimet më të mira për angazhimin e qeverisë në përshpejtimin e reformave që përafrojnë vendin me Bashkimin Europian dhe NATO-n dhe shprehu besimin se me punën e përbashkët këto reforma do të avancojnë në stade të reja.