E Shtunë, 31 Tetor 2026

P R O J E K T L I GJ PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8901, DATË 23.5.2002, « PËR FALIMENTIMIN »

P R O J E K T L I GJ 

PËR 

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8901,  DATË 23.5.2002, « PËR FALIMENTIMIN »

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I :

Në ligjin nr.8901, datë 23.5.2002, “Për falimentimin”, të bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Pas pikës 2, të nenit 3, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:

“3. Shqyrtimi i çështjeve duhet të kryhet brenda 30 ditëve nga dorëzimi i kërkesës në sekretarinë e gjykatës së rrethit gjyqësor, Tiranë, seksioni tregtar.”.

Neni 2

Pas pikës 5, të nenit 7, shtohet pika 6, me këtë përmbajtje:

“6. Gjykata e apelit e shqyrton çështjen brenda 30 ditëve nga paraqitja e ankimit në gjykatën e faktit.”.

Neni 3

Në pikën 1, të nenit 8, pas fjalëve “... gjykatës së rrethit...”, shtohen “...me shërbim postar, të shpejtë...”.

Neni 4

Në fund të pikës 4, të nenit 13, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:

“Ministria e Financave ose autoriteti shtetëror, i ngarkuar prej saj, fillojnë procedurën e falimentimit për shoqëritë tregtare, që:

a)     nuk kanë kryer asnjë veprimtari tregtare qysh prej 2 vitesh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji;

b)     kalojnë në status pasiv nga QKR-ja, me përjashtim të rastit kur subjekti ka kërkuar pezullimin e veprimtarisë, sipas ligjeve të veçanta;

c)     kanë paaftësi paguese prej një periudhe 2-vjeçare.

Mosfillimi i procedurës së falimentimit nga organi i ngarkuar nga ministri i Financave ndaj subjekteve tregtare, që janë në gjendje falimentimi, brenda një afati prej 6 muajsh nga dita e konstatimit të kësaj gjendjeje, përbën shkelje disiplinore. Ministri i Financave urdhëron fillimin e procedimit disiplinor ndaj punonjësve tatimorë, të cilët, pa asnjë shkak të ligjshëm, nuk kanë nisur procedurën e falimentimit ndaj subjekteve tregtare në gjendje falimentimi.”.

Neni 5

Në pikën 1, të nenit 14, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

a)     Periudha “3-vjeçare” bëhet “2-vjeçare”.

b)     Pas pikës 1, shtohen pikat 1/1 dhe 1/2, me këtë përmbajtje:

“1/1. Autoritetet fiskale, nën juridiksionin e të cilit ndodhet debitori, brenda 30 ditëve nga konstatimi i paaftësisë paguese të debitorit është i detyruar të paraqesë kërkesën, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, për hapjen e procedurës së falimentimit. Organet tatimore përjashtohen nga pagimi i taksave gjyqësore. Për fillimin e procedurës së falimentimit organet tatimore paraqesin në gjykatë:

a)     Kërkesën për hapjen e procedurës së falimentimit;

b)     Dokumentacionin e shoqërisë (statutin, aktin e themelimit, numrin e NIPT-it);

c)     Bilancin me pasqyrat financiare të shoqërisë, për të cilën kërkohet fillimi i procedurës së falimentimit.

1/2. Organi tatimor është i detyruar të krijojë një rubrikë të veçantë, në faqen e internetit, të titulluar: “Shoqëri, për të cilat ka filluar procedura e falimentimit”. Publikimi në faqen e internetit të organit tatimor  vlerësohet se është i njohur nga të tretët dhe mund t’u kundrejtohet atyre, nga çasti i publikimit.”.

Neni 6

Në nenin 15, afati 30-ditor bëhet 15-ditor.

Neni 7

Në fund të pikës 1, të nenit 16, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:

“Kur ortakët ose aksionerët e shoqërisë kanë patur gjatë veprimtarisë dijeni për paaftësinë paguese të shoqërisë dhe nuk kanë paraqitur në seksionin  tregtar të gjykatës kërkesë për hapjen e procedurës së falimentimit, brenda një afati prej 3-muajsh, nga dita në të cilën ata kanë patur dijeni janë personalisht përgjegjës dhe dënohen nga autoritetet fiskale me gjobë nga    200 000 deri në 500 000 lekë.”.

Neni 8

Pas fjalisë së parë të pikës 1, të nenit 17, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:

“Vlerësohen se kanë interes të ligjshëm për hapjen e procedurës së falimentimit, kreditori, i cili ka ndaj pasurisë së debitorit një interes me karakter pasuror, dhe autoritetet fiskale.”.

Neni 9

Në pikën 3, të nenit 18, afati kohor “60 ditë” zëvendësohet me “30 ditë”.

Neni 10

Pas shkronjës “ç”, të pikës 2, të nenit 26, shtohet shkronja “d”, me këtë përmbajtje:

“d) urdhërimin e detyrimit për publikimin e vendimit në internet, në faqen zyrtare të gjykatës, të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe të organit tatimor përkatës.”.

Neni 11

Në pikën 1, të nenit 30, fjala “gjykatës” zëvendësohet me “organit ku është regjistruar”.

Neni 12

Në fund të pikës 1, të nenit 43, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:

“Administratorët e falimentimit përzgjidhen vetëm nga lista shumemërore, e miratuar me akt të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave. Mënyra e hartimit të listës së administratorëve të falimentimit caktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.”.

Neni 13

Neni 44 shfuqizohet.

Neni 14

Në fund të pikës 1, të nenit 45, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:

“Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit është i detyruar të kërkojë të paktën një raportim në 3 muaj.”.

Neni 15

Pas kreut III, “Procedurë falimentimi e thjeshtuar”, shtohet kreu III/a, me këtë përmbajtje:

“Kreu III/a

Procedura të tjera të thjeshtuara

Neni 277/a

Procedura e thjeshtuar për shoqëritë tregtare të biznesit të vogël

Kërkuesi i hapjes së procedurës së falimentimit të thjeshtuar duhet të paraqesë:

1. Për shoqëritë tregtare, që kanë një xhiro vjetore deri 1 000 000 lekë, kërkesa për hapjen e procedurës së falimentimit të thjeshtuar mund të bëhet nga çdo kreditor, që ka një interes të ligjshëm.

Kreditori, që kërkon fillimin e procedurës së falimentimit të thjeshtuar, duhet të paraqesë në seksionin tregtar të gjykatës së rrethit, Tiranë:

a)     Kërkesën për hapjen e procedurës së falimentimit;

b)     Kopje të dokumentit, që vërteton detyrimin e tij pasuror;

c)     Listën paraprake të pasurive të debitorit;

ç) Deklaratën, që vërteton se përmbajtja e dokumenteve të mësipërme është e plotë dhe e saktë.

2. Seksioni tregtar i gjykatës së rrethit Tiranë, pasi dëgjon pretendimet e debitorit dhe të kreditorit, mund të vendosë që procedura e falimentimit të bëhet në mënyrë të thjeshtuar. Në këtë rast zbatohen rregullat e parashikuara nga nenet 26, 27 e 29, të ligjit “Për falimentimin”.

3. Kur gjykata vendos për procedurën e falimentimit të thjeshtuar, miraton, në një seancë gjyqësore, planin e shlyerjes së detyrimeve, të hartuar nga administratori i falimentimit dhe kreditorët, në përputhje me interesat e kreditorëve, pasurinë dhe të ardhurat e debitorit, si dhe me fjalinë e tretë, të nenit 268, të ligjit “Për falimentimin”. Në këtë rast, nuk zbatohen dispozitat e parashikuara për planin e riorganizimit.

4. Administratori likuidon pasuritë e debitorit dhe i shpërndan të ardhurat e realizuara, në përputhje me planin e shlyerjes së detyrimeve.

5. Administratori i paraqet gjykatës një raport për përfundimin  e procedurës së falimentimit. E drejta e kreditorëve për të kundërshtuar veprimet e administratorit për procedurën e thjeshtuar mbetet e paprekur.

6. Gjykata pas shqyrtimit të raportit të administratorit, kur bindet se procedura është zhvilluar në përputhje me planin e shlyerjes së detyrimeve dhe kreditorët nuk paraqesin kundërshtime, merr vendim për mbylljen e procedurës së falimentimit.”.

Neni 16

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

JOZEFINA TOPALLI

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›