Kryeministri kërkon nga ministritë plotësimin e kuadrit ligjor të bashkëpunimit me Kosovën
Kryeministri Berisha kërkoi sot që të gjitha ministritë të rishqyrtojnë kuadrin ligjor të bashkëpunimit me Kosovën. Duke e konsideruar këtë çështje kryefjalën e mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri tha se të gjitha ministritë duhet të punojnë për plotësimin e kuadrit ligjor dhe nënshkrimin e të gjitha marrëveshjeve të bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Të gjitha ministritë të rishqyrtojnë të gjithë kuadrin ligjor të bashkëpunimit me Kosovën dhe të punojnë për plotësimin e tij dhe nënshkrimin e të gjitha marrëveshjeve të nevojshme për një bashkëpunim të shkëlqyer midis dy vendeve të pavarura,” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri kërkoi nga Ministria e Jashtme të përcaktojë, në një kohë të shkurtër, ndërtesën për ambasadën, që qeveria shqiptare do t’ia bëjë dhuratë qeverisë së Kosovës.
Duke vlerësuar punën e bërë gjatë këtyre viteve në këtë drejtim, Kryeministri theksoi se me pavarësinë e Kosovës krijohen kushte dhe hapësira të reja të mëdha bashkëpunimi mes dy vendeve.