P R O J E K T L I GJ PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9072, DATË 22.5.2003, “PËR SEKTORIN E ENERGJISË ELEKTRIKE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78, 81, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.9072, datë 22.5.2003, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, të bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Pas pikës 39, të nenit 3, shtohen pikat 39/1 e 39/2, me këtë përmbajtje:
“39/1. “Certifikata e gjelbër”, një dokument zyrtar me kohë të kufizuar të vlefshmërisë, e transferueshme veçmas fizikisht nga energjia elektrike ose nxehtësia e gjeneruesit, të cilin e certifikon, që vërteton prodhimin e një sasie të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme të energjisë apo nga një metodë e kombinuar prodhimi, në të cilën jepen data dhe vendi i prodhimit, centrali gjenerues dhe pronari.
39/2. “Certifikata e garancisë së origjinës”, një dokument zyrtar i patransferueshëm, që vërteton prodhuesin, sasinë e energjisë elektrike dhe të nxehtësisë së prodhuar nga burimet e energjive të rinovueshme, centralin elektrik dhe kapacitetin e tij.”.
Neni 2
Pas shkronjës “k”, të nenit 8, shtohen shkronjat “l”, “ll” e “m”, me këtë përmbajtje:
“l) kualifikon centralet prodhuese të ushqyera nga burime të rinovueshme të energjisë, si dhe certifikon energjinë e prodhuar prej tyre me “Certifikatën e garancisë së origjinës” dhe “Certifikatën e gjelbër”, çka do të shërbejë për plotësimin e detyrimit të shprehur në pikën 1, të nenit 3, të këtij ligji;
ll) harton dhe miraton rregulla dhe procedura të veçanta për kualifikimin e centraleve prodhuese, që përdorin burime të rinovueshme të energjisë, si dhe për certifikimin e energjisë së prodhuar prej tyre me “Certifikatën e garancisë së origjinës” dhe “Certifikatën e gjelbër”, ku përcaktohen:
· kategoritë e centraleve dhe afatet e vënies së tyre në punë, për përfitimin e certifikatave të origjinës dhe certifikatave të gjelbra;
· formula dhe koeficientet llogaritës të sasisë së energjisë elektrike të prodhuar, që përfiton “Certifikatën e origjinës” dhe “Certifikatën e gjelbër”, në funksion të kapacitetit të instaluar dhe të teknologjisë së së përdorur;
· vlera nominale e certifikatave e shprehur në MWh;
· elemente të tjera të nevojshme për përshtatjen e procesit të kualifikimit dhe të certifikimit të energjisë së rinovueshme me atë të vendeve, me të cilat nënshkruhen marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të procedurave të kualifikimit dhe të certifikimit.
m) harton dhe miraton formatin e “Certifikatës së gjelbër”.”.
Neni 3
Neni 39 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 39
Burimet e energjive të rinovueshme
1. Prodhuesit e pavarur të energjisë elektrike, nga burime jo të rinovueshme energjie, me fuqi të instaluar mbi 50 MW, janë të detyruar të prodhojnë dhe/ose injektojnë në sistemin elektroenergjetik energji elektrike, në masën jo më pak se 3 për qind të prodhimit të tyre të përgjithshëm vjetor të vitit pararendës nga centrale prodhuese, që përdorin burime të rinovueshme të energjisë, të certifikuara nga ERE-ja me “Certifikatën e gjelbër”, me vlefshmëri 15- vjeçare, sipas përcaktimit që do të bëjë ERE-ja, për këtë qëllim, por që të jënë vënë në punë pas datës 2.11.2000.
2. Për periudhën 2009-2012 kuota e përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, do të rritet çdo vit me 0.75 për qind.
3. Detyrimi i mësipërm është i përmbushur nëse ata blejnë sasi të njëjta të energjisë elektrike nga prodhues të tjerë ose nga operatori i sistemit të transmetimit. Në këtë rast, detyrimi vlerësohet i përmbushur, kur ERE-ja ose institucionet simotra të vendeve nga importohet energjia elektrike kanë një proces të ndërsjellë certifikimi për prodhimin, nga burimet e energjive të rinovueshme.
4. Këshilli i Ministrave autorizohet të ndërmarrë nisma, nxitëse dhe mbështetëse, për ndërtimin e centraleve, që shfrytëzojnë energjitë e rinovueshme për prodhimin e energjisë elektrike, që do të konsumohet tërësisht brenda vendit.
5. Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë mekanizmat e nxitjes së ndërtimit të centraleve, që shfrytëzojnë energjitë e rinovueshme, si dhe të përcaktojë masën e incentivave për ndërtimin e këtyre centraleve.
6. Për centralet prodhuese të energjisë elektrike, që përdorin burime të rinovueshme energjie të lidhur në rrjetin e shpërndarjes, prodhimi i të cilave është i destinuar për mbulimin e nevojave të klientëve tariforë dhe që nuk përfitojnë certifikatën e gjelbër, Këshilli i Ministrave, në bashkëpunim me ERE-në, miraton metodologjinë e llogaritjes së tarifave (feed-in tariff) të shitblerjes së energjisë që prodhojnë.”.
Neni 4
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
KRYETARI
JOZEFINA TOPALLI
11/06/2009