E Shtunë, 31 Tetor 2026

P R O J E K T L I GJ PËR PËRDORIMIN DHE SHFRYTËZIMIN E TOKAVE BUJQËSORE TË PAKULTIVUARA

P R O J E K T L I GJ

PëR

PëRDORIMIN DHE SHFRYTëZIMIN E TOKAVE BUJQëSORE Të PAKULTIVUARA

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA Të PëRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim të përcaktojë rregullat dhe procedurat për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara, për të garantuar funksionin social të pronës, në kuadrin e zhvillimit të qëndrueshëm bujqësor dhe rural.

Neni 2
Objekti

Objekt i këtij ligji janë:

a) Tokat bujqësore, në pronësi private, të zërit kadastral “arë”, që figurojnë si të tilla në regjistrat kadastralë shtetërorë, në seksionin e administrimit dhe mbrojtjes së tokës, (më poshtë SAMT), në qark;
b) Tokat bujqësore, në pronësi private, të zërit kadastral “vreshta”, “pemëtore” dhe “ullishte”, që figurojnë si të tilla në regjistrat kadastralë shtetërorë, në SAMT, në qark, por që nga verifikimet e kryera, sipas dispozitave vijuese të këtij ligji, nuk rezultojnë të kenë bimë hardhie, drurë frutorë dhe ullinj.
c) Tokat në përdorim, sipas përcaktimit të nenit 15, të ligjit nr.7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, të ndryshuar.

Neni 3
Përkufizime

Në këtë ligj, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

a) “Tokë bujqësore”, ka kuptimin e përcaktuar në pikën 3, të nenit 2, të ligjit nr.9244, datë 17.6.2004, “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”;
b) “Tokë bujqësore e zërit kadastral “arë””, ka kuptimin e të gjithë sipërfaqes së tokës bujqësore të destinuar për t’u mbjellë me bimë arash dhe që figuron si e tillë në regjistrat kadastralë shtetërorë;
c) “Tokë bujqësore e zërit kadastral “vreshta”, “pemëtore” dhe “ullishte””, ka kuptimin e të gjithë sipërfaqes së tokës bujqësore të mbjellë me hardhi, dru frutorë dhe ullinj dhe që figuron si e tillë në regjistrat kadastralë shtetërorë;
d) “Përdorim dhe shfrytëzim i tokës bujqësore”, është veprimtaria, që ushtron për çdo vit pronari ose poseduesi i ligjshëm i tokës, për punimin, mbjelljen dhe kultivimin e bimëve bujqësore, në përputhje me praktikat e mira bujqësore, për marrjen e produkteve të dobishme prej tyre;
e) “Tokë bujqësore e pakultivuar” është toka bujqësore e cila nuk është përdorur dhe shfrytëzuar për qëllime bujqësore, nga pronari ose poseduesi i ligjshëm, për të paktën 2 vjet.


KREU II
EVIDENTIMI DHE PëRCAKTIMI I TOKAVE Të PAKULTIVUARA

Neni 4
Komisioni i evidentimit të tokave të pakultivuara

Për evidentimin e tokave bujqësore të pakultivuara, pranë çdo komune dhe/ose bashkie, krijohet dhe funksion komisioni, me këtë përbërje:

- përgjegjësi i zyrës së menaxhimit dhe mbrojtjes së tokës,
(ZMMT), të komunës dhe/ose bashkisë kryetar;
- përfaqësuesi i drejtorisë rajonale të bujqësisë, ushqimit
dhe mbrojtjes së konsumatorit (DRBUMK), anëtar;
- kryetari i fshatit përkatës, anëtar.


Neni 5
Mënyra e evidentimit të tokave të pakultivuara

Komisioni bën çdo vit, brenda 15 shtatorit, verifikimin e sipërfaqeve të tokave të pakultivuara për çdo fshat. Verifikimi bëhet duke u bazuar në këqyrjen fizike të sipërfaqes së tokës, në të dhënat kadastrale dhe në informacionin e siguruar nga vetë pronari i saj. Në mungesë të pronarit, komisioni mund të siguroje informacion nga pronarët kufitarë, të afërm të tij apo banorë të tjerë të fshatit.

Rezultatet e verifikimit, për çdo pronar ose posedues të ligjshëm, pasqyrohen në një dokument, forma dhe përmbajtja e të cilit përcaktohen me udhëzim të ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Dokumenti i verifikimit i paraqitet kryetarit të komunës dhe/ose bashkisë brenda datës 30 shtator të çdo viti.


Neni 6
Shpallja e listës së tokave të pakultivuara dhe paraqitja e ankesave

Kryetari i komunës dhe/ose bashkisë publikon, brenda datës 15 tetor të çdo viti, listën emërore të pronarëve ose poseduesve të ligjshëm me sipërfaqet përkatëse të tokave, të evidentuara si të pakultivuara në çdo fshat. Kjo listë afishohet, për një afat prej 45 ditësh, në qendër të komunës dhe në fshatin përkatës.

Për efekt të zbatimit të këtij ligji, afishimi i listës së mësipërme përbën njoftim zyrtar të çdo pronari ose poseduesi të ligjshëm.

Brenda kësaj periudhe, pronarët, emrat e të cilëve përfshihen në listë, kanë të drejtë të paraqesin ankesë, me shkrim, pranë kryetarit të komunës dhe/ose bashkisë, për saktësinë e evidentimit të kryer nga komisioni.

Kryetari i komunës dhe/ose bashkisë shqyrton ankesat e paraqitura, rast pas rasti, brenda 5 ditëve nga marrja e ankesës.

Neni 7
Vendimi për klasifikimin e tokave të pakultivuara

Kryetari i komunës dhe/ose bashkisë përgatit dokumentacionin e evidentimit të tokave të pakultivuara dhe ia paraqet këshillit të komunës dhe/ose bashkisë për shqyrtim dhe vendimmarrje për klasifikimin e tyre si të tilla. Shqyrtimi bëhet brenda 15 janarit të vitit pasardhës.
Këshilli i komunës dhe/ose bashkisë merr vendimet përkatëse për çdo fshat, të cilat përmbajnë identitetin e pronarit ose poseduesit të ligjshëm dhe sipërfaqen përkatëse të tokës, që klasifikohet e pakultivuar.

Vendimi i këshillit të komunës dhe/ose bashkisë përbën njëkohësisht autorizim për kryetarin e komunës dhe/ose bashkisë për t’ua dhënë me qira këto toka subjekteve kërkuese.

Vendimi i këshillit të komunës dhe/ose bashkisë publikohet (shpallet) në vende të dukshme në qendër të komunës dhe/ose bashkisë si dhe në qendër të çdo fshati. Kur është e mundshme këto vendime publikohen edhe në median lokale.


KREU III

RIFILLIMI I KULTIVIMIT Të TOKëS NGA PRONARI OSE POSEDUESI I LIGJSHëM

Neni 8
Kërkesa e pronarit dhe poseduesit të ligjshëm për të kultivuar tokën

Pronari ose poseduesi i ligjshëm i sipërfaqeve të tokave të pakultivuara, të përfshira në vendim, mund t’i paraqesë një kërkesë me shkrim komunës dhe/ose bashkisë, brenda 31 janarit, në të cilën merr përsipër detyrimin për të kultivuar këtë tokë, duke i bashkëlidhur kërkesës një plan për përdorimin e tokës, përfshirë kulturën bujqësore, sipërfaqen dhe afatet e kultivimit.

Neni 9
Miratimi i kërkesës

Kryetari i komunës dhe/ose bashkisë, brenda 5 ditëve nga paraqitja e kërkesës, ia përcjell për miratim këshillit të komunës dhe/ose bashkisë, i cili bën korrigjimin përkatës në listën e tokave të pakultivuara, për sipërfaqen e kërkuar për t’u mbjellë.

Neni 10
Pasojat e mosrealizimit të planit të përdorimit të tokës

Komisioni i evidentimit të tokave të pakultivuara ndjek realizimin e planit të përdorimit të tokës dhe informon kryetarin e komunës dhe/ose bashkisë.

Kur pronari ose poseduesi i ligjshëm i tokës nuk realizon planin e përdorimit të tokës brenda afateve të përcaktuara, toka konsiderohet e klasifikuar si e pakultivuar.


KREU IV
RREGULLAT PëR DHëNIEN ME QIRA TE TOKAVE BUJQëSORE Të PAKULTIVUARA

Neni 11
Dhënia me qira për mbjellje dhe afati

Tokat e klasifikuara si toka të pakultivuara, sipas përcaktimeve të neneve 7 dhe 10, të këtij ligji, u jepen me qira të tretëve, vetëm për kultivimin e bimëve të arave, për jo më shumë se 5 vjet.

Për tokat objekt i shkronjës “c”, të nenit 2, të këtij ligji, afati i qiradhënies është njëvjeçar, me të drejtë përsëritjeje.

Pronari ose poseduesi i ligjshëm i tokës nuk ka drejtë të bëjë kërkesë për kultivimin e kësaj toke deri në përfundim të afatit të përcaktuar në kontratën përkatëse të qirasë.

Me mbarimin e kontratës së qirasë, komuna dhe/ose bashkia ka të drejten e qiradhënies së kësaj toke, nëse pronari ose poseduesi i ligjshëm nuk ka ushtruar kërkesë për kultivimin e saj.

Neni 12
Autoriteti qiradhënes dhe procedurat

Komuna dhe/ose bashkia është autoriteti qiradhënes i tokave bujqësore të pakultivuara, të përcaktuara në nenin 7, të këtij ligji.

Për dhënien me qira të këtyre tokave pranë çdo kumune dhe/ose bashkie krijohet bordi i qiradhënies (BQ) me këtë përbërje:
- kryetari i komunës dhe/ose bashkisë kryetar;
- një përfaqësues i DRBUMK-së anëtar;
- një përfaqesues të SAMT-së në qark anëtar;
- përgjegjesi i zyrës së financës të komunës dhe /ose bashkisë
ose një jurist anëtar;
- përgjegjësi i ZMMT-së në komunë dhe /ose bashki sekretar.

Detyrat, përgjegjësitë e BQ-së, procedurat e dhënies me qira të tokave të pakultivuara dhe kontrata tip përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.


Neni 13
Subjektet qiramarrëse të tokave bujqësore të pakultivuara

Subjekte të qiramarrjes së tokave bujqësore të pakultivuara janë personat fizikë e juridikë, vendas dhe të huaj, që shprehin interes, me shkrim, për këtë veprimtari, pranë komunës dhe /ose bashkisë përkatëse.

Shprehja e interesit përmban përshkrimin e veprimtarisë bujqësore që subjekti do të kryejë. Subjekti qiramarrës ka për detyrim ta përdorë tokën bujqësore në përputhje me praktikat e mira bujqësore dhe të shfrytëzimit të saj, sipas përcaktimeve të neneve 16, 17 dhe 18, të ligjit nr.9244, datë 17.6.2004, “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”.

Neni 14
Mënyrat e dhënies me qira tokave bujqësore të pakultivuara

Mënyrat e dhënies me qira tokave bujqësore të pakultivuara janë:
a) pa ankand, në rastin kur paraqitet një kërkesë e vetme;
b) me ankand, në rastin kur paraqitet më shume së një kërkesë.

Neni 15
çmimi minimal i dhënies së tokës me qira

çmimi minimal, për dhënien me qira të tokës bujqësore të pakultivuar, të jetë 30% më i ulët se vlera e qirasë vjetore të tokave bujqësore, të përcaktuar në pikën 2, të vendimit nr.830, datë 28.12.1998, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e llogaritjes së vlerës vjetore të qirasë së tokave bujqësore, pyjore, me bimë pyjore, livadheve dhe kullotave, pasuri shtetërore”.

Neni 16
Pagesa e qirasë

Qiramarrësi paguan vlerën e qirasë për çdo vit pranë komunës dhe/ose bashkisë. Pagesa e parë bëhet me nënshkrimin e kontratës, pagesat e tjera bëhen mbas çdo viti.

Neni 17
Përdorimi i të ardhurave të krijuara nga qiradhënia

Të ardhurat, që krijohen nga qiradhënia e tokave të pakultivuara, ndahen, si më poshtë vijon:
a) 80 për qind, në dobi të pronarit apo poseduesit të ligjshëm të tokës; nga shuma e së cilës komuna dhe/ose bashkia mban vlerën e taksës vjetore mbi tokën;
b) 20 për qind, në dobi të komunës dhe/ose bashkisë për mbulimin e shpenzimeve administrative që lidhen me zbatimin e këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.

Rregullat për administrimin dhe shpërndarjen e këtyre të ardhurave përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.

Neni 18
Njoftimi i pronarit ose poseduesit të ligjshëm

Mbas lidhjes së kontratës ndërmjet qiradhënësit dhe qiramarrësit, komuna dhe/ose bashkia bën njoftimin zyrtar të pronarit ose poseduesit të ligjshëm të tokës bujqësore të pakultivuar.

Njoftimi përmban identitetin e qiramarrësit, llojin e veprimtarisë që ai do të kryejë, çmimin e qiradhënies dhe kohëzgjatjen e kësaj kontrate.


KREU V
INFORMIMI DHE MONITORIMI

Neni 19
Detyrimi për informim

Kryetari i komunës dhe/ose bashkisë dërgon pranë DRBUMK dhe këshillit të qarkut, brenda muajit janar, informacion me shkrim për vitin paraardhës, për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara. Forma dhe përmbajtja e informacionit përcaktohen me urdhër të ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Neni 20
Monitorimi

Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit monitoron procesin e përdorimit dhe shfrytëzimit të tokave të pakultivuara.

Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, mbi bazën e informacioneve të marra dhe kontrolleve periodike të ushtruara nga strukturat vartëse, i propozon Këshillit të Ministrave dhe organeve të tjera përkatëse marrjen e masave të nevojshme për zbatimin e dispozitave të këtij ligji.


KREU VI
KUNDëRVAJTJET ADMINISTRATIVE

Neni 21
Kundërvajtjet administrative dhe sanksionet

1. Sipas këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative shkeljet e mëposhtme:

a) mospjesëmarrja në veprimtaritë e komisionit të evidentimit të tokave të pakultivuara, sipas përcaktimit të nenit 4, të këtij ligji.
b) mospërmbushja e rregullt e detyrimeve të përcaktuara në nenin 5, të këtij ligji.

2. Kryetari i komunës dhe/ose bashkisë:

a) vendos gjobë nga 10 000 (dhjetë mijë) - 40 000 (dyzet mijë) lekë për kryetarin e fshatit, për kundërvajtje administrative, të përcaktuara në shkronjën “a” dhe “b” të pikës 1, të këtij neni;
b) i propozon kryetarit të këshillit të qarkut dhe drejtorit të DRBUMK – së vendosjen e gjobës nga 10 000 (dhjetë mijë) - 40 000 (dyzet mijë) lekë ndaj përfaqësuesve të këtyre institucioneve, në përbërje të komisionit të evidentimit të tokave të pakultivuara, për kundërvajtje administrative, të përcaktuara në shkronjën “a” dhe “b”, të pikës 1, të këtij neni.
Kryetari i këshillit të qarkut dhe drejtori i DRBUMK janë të detyruar të miratojnë propozimin e kryetarit të komunës dhe /ose bashkisë për vendosjen e gjobës.

Neni 22
Ankimimi

Kundërvajtësi, brenda 30 ditëve nga marrja e vendimit për vendosjen e gjobës, mund të bëjë ankim në gjykatën e rrethit gjyqësor.
Ekzekutimi i vendimeve kryhet sipas procedurave të përcaktuara në ligjin nr.7697, datë 7.4.1993, “Për kundërvajtjet adminsitrative”, të ndryshuar.

KREU VII
DISPOZITA KALIMTARE DHE Të FUNDIT

Neni 23
Fillimi i ushtrimit të kompetencave

Fillimi i ushtrimit të kompetencave, në vitin e parë mbas hyrjes në fuqi të këtij ligji, është si vijon:

1. Për efekt të zbatimit të nenit 4, të këtij ligji, kryetari i komunës dhe/ose bashkisë krijon komisionin e evidentimit të tokave të pakultivuara brenda 2 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

2. Për efekt të zbatimit të nenit 5, të këtij ligji, komisioni i evidentimit të tokave të pakultivuara kryen verifikimin e përdorimit dhe shfrytëzimit të tokës bujqësore nga pronarët dhe poseduesit e ligjshëm të saj për vitet 2008 dhe 2009. Verifikimi, evidentimi dhe dorëzimi i dokumentacionit te kryetari i komunës dhe/ose bashkisë bëhet brenda 2 muajve nga data e krijimit të komisionit.

3. Për efekt të zbatimit të nenit 6, të këtij ligji, kryetari i komunës dhe/ose bashkisë, brenda 15 ditëve nga dorëzimi i dokumentacionit nga komisioni, bën shpalljen e listës së pronarëve me sipërfaqet përkatëse të tokave të pakultivuara, me kohëzgjatje të afishimit prej 45 ditësh.

4. Për efekt të zbatimit të nenit 7, të këtij ligji, kryetari i komunës dhe/ose bashkisë, 5 ditë pas përfundimit të afatit të shpalljes, i paraqet për shqyrtim dhe vendimmarrje këshillit të komunës dhe/ose bashkisë dokumentacionin e evidentimit të tokave të pakultivuara, të shqyrtuar prej tij, përfshirë edhe ankesat e mundshme të pronarëve ose të posedueve të ligjshëm.

5. Për efekt të zbatimit të nenit 7, të këtij ligji, këshilli i komunës dhe/ose bashkisë shqyrton dokumentacionin e paraqitur dhe merr vendime për klasifikimin e tokave bujqësore të pakultivuara, brenda një muaji nga data e marrjes së tij. Vendimi i jepet për ekzekutim kryetarit të komunës dhe/ose bashkisë.

Neni 24
Nxjerja e akteve nënligjore

Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktin nënligjor në zbatim të nenit 12, të këtij ligji.
Ngarkohet ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, që brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 5 dhe 19, të këtij ligji.

Ngarkohet ministri i Financave, që brenda 2 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të nxjerrë aktin nënligjor në zbatim të nenit 17, të këtij ligji.

Neni 25
Hyrja në fuqi e ligjit

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E T A R I

JOZEFINA TOPALLI


17/02/2010 Votoni per projektligjin PO: JO:

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›