Komiteti i Planifikimit të Strategjive rishqyrton tavanet buxhetore për periudhën 2011-2013
- Kryeministri Berisha u shpreh se na duhet të adoptojmë një politikë agresive në uljen e borxhit publik të vendit. Kjo sjell inkurajim më të madh të investitorëve të huaj dhe përmirësim të sigurt të rating-ut
Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua sot mbledhja e Komitetit të Planifikimit të Strategjive. Në këtë mbledhje u rishqyrtuan, në dritën e parashikimeve të reja ministrisë së Financave, tavanet buxhetore për periudhën 2011-2013.
Më poshtë vijon e plotë fjala e Kryeministrit Berisha:
“Mbledhja e Komitetit të Planifikimit të Strategjive është thirrur për të rishqyrtuar, në dritën e parashikimeve të reja të ministrisë së Financave, tavanet buxhetore për periudhën 2011-2013, me të cilat ministria e Financave mendon se qeveria shqiptare duhet të adaptojë një qëndrim të ri, në interesin më të mirë të ekonomisë shqiptare dhe të zhvillimit të vendit ndaj deficitit buxhetor dhe borxhit.
Edhe unë që personalisht për definicion nuk jam anti borxh, sepse kjo vjen nga një reminishencë e sistemeve totalitare, nuk mund të them se duhet të jemi të lakmueshëm në borxhe. Ministria e Financave, me mbështetjen dhe miratimin tim të plotë, kërkon që këtë vit të likuidojë kredinë që ne morëm vitin e kaluar. Ajo kredi u mor në kushte të një krize botërore dhe, vetëkuptohet, në kushte dhe interesa rënduese. Këtë vit parashikimi është shumë më pozitiv. Interesi i bankave më serioze të Evropës për eurobond-et e Shqipërisë, që emetohen për herë të parë në historinë e vendit, është i lartë, por duhet të jemi realist se pjesa dërrmuese e këtyre fondeve do të përdoret për të likuiduar përfundimisht kredinë që morëm vitin e kaluar, në mënyrë që interesat e saj të mos rëndojnë në borxhin dhe financat shqiptare. Vendimi për likuidimin e kësaj kredie dhe, nga ana tjetër, adaptimi i një politike më agresive në zvogëlimin e deficitit buxhetor dhe zvogëlimin progresiv të borxhit publik të vendit kërkon një përqasje të re ndaj të gjitha parashikimeve të bëra.
Të nderuar zotërinj ministra dhe anëtarë të këtij Komiteti,
Kjo është e domosdoshme për të pasur një stabilitet makroekonomik të garantuar, por edhe për të pasur një reputacion evropian e botëror të domosdoshëm për besimin e investitorëve nga e mbarë bota.
Pra, instalohet një filozofi e re, të cilën në disa aspekte e kemi përmbajtur. Nuk ka vend që të ketë bërë përpjeke më madhore për shtet të vogël si ne, por tani duhet që këtë ta shprehim në të gjitha aspektet. Pra edhe shpenzimet do të rrudhen, sepse ne na duhet të adoptojmë një politike agresive në uljen e borxhit publik të vendit. Kjo sjell, në mënyrë të vetvetishme, inkurajim më të madh të investitorëve të huaj dhe përmirësim të sigurt të rating-ut. Ndonëse fatkeqësia është se ata që vlerësojnë janë vetë për t’u vlerësuar, por kjo është jashtë mundësisë së kësaj qeverie. Kështu që sërish gjykatësi mbetet po ai. Mirëpo rating-u i tyre ka shumë rëndësi. Në vlerësimin e performancës, për vende si ne, ata e kanë borxhin publik një nga kriteret më të rëndësishme.
Ndaj, do të ketë shkurtim të shpenzimeve, por pa prekur fushat prioritare që vijojnë: Së pari, rrogat dhe pensionet. Unë jam njohur me materialin e sjellë nga ministria e Financave dhe ajo politikë është e paprekshme.
Së dyti, nuk mund të preken akset kombëtare që përbëjnë edhe betejën tonë për transformimin e Shqipërisë në këto katër vite. Rruga e Arbrit, autostrada Tiranë- Elbasan, Korçë – Qafë Plloçë dhe Boshti i Jugut do të ndërtohen me çdo kusht.
Nuk do të preken fondet për arsimin. Megjithëse, zoti ministër, me sistemin e ri financiar që do të vendoset për llogari të arsimit nuk mund të them se do mbetemi, sepse shtimi i burimeve të tjera për arsimin mund të këtë efekte çliruese në disa burime. Ndaj, finalja do të jetë pas përcaktimit përfundimtar të sistemit të financimit të arsimit në Shqipëri, i cili nuk do të interesojë vetëm për universitetet, por edhe për shkollat e tjera.
Mbështetje të plotë do të ketë edhe reforma në shëndetësi.
Të nderuar zotërinj ministra,
Duhet të jemi të përgatitur dhe do të mbahet zotimi para NATO-s për ushtrinë. Për të tjerat keni bërë një punë shumë të mirë. Mendoj se ky vizion i ri që paraqitett ministria e Financave për tavanet buxhetore për periudhën 2011- 2013 është i domosdoshëm dhe kam bindjen më të thellë se është plotësisht i realizueshëm, duke mos cenuar aspak politikat zhvillimore. Ne jemi para disa proceseve shumë të rëndësishme, para një privatizimi të plotë të aseteve publike. Përveç digave, shkollave dhe spitaleve pasuritë e tjera në këtë vend do të jenë private. Shteti të jetë një pronar sa më i vogël. Politikat fiskale dhe e gjithë reforma që po bëhet në ekonomi, reforma e sistemit të investimeve të huaja dhe sistemit të inspektorateve, të gjitha këto parakuptojnë inkurajim të madh dhe fluks të madh investimesh. Kjo do të thotë se ekonomia shqiptare do të mund të arrijë ritme të shpejta dhe solide zhvillimi. Fakti është se muaji janari ishte surpriza më e madhe në këto pesë vitet e fundit të ekonomisë shqiptare, u karakterizua me rritje 102 për qind, në vlerë dhe në vëllim, të eksporteve “Made in Albania” dhe në rritje me 17 për qind të eksporteve me materiale të importuara. Pra, jemi në një ngritje serioze. Pavarësisht nga kjo, ne na përket të adoptojmë regjimin e përcaktuar nga ministria e Financave, si një regjim në interesin më të mirë zhvillimit ekonomik të vendit. Rating-u ka një rëndësi të jashtëzakonshme, sepse përcakton kushtet e kredive për qindra dhe mijëra investitorë që tregu financiar evropian dhe botëror u lëvron atyre. Duhet ta kuptojmë si një detyrim ndaj tyre. Vërtet ne rrudhemi pak në vete, por hapim hapësira të mëdha për investimet e huaja, për partneritetin publik - privat.
Natyrisht, ulliri dhe vaditja do të mbahen brenda kuadrit dhe do të përshtatet, por përcaktimet e ministrisë së Financave janë shumë të rëndësishme për ne. Ky është një mesazh serioz që ne i dërgojmë komunitetit botëror të biznesit. Ne i garantojmë ata se kjo qeveri do të konsolidojë parimet më të shëndetshme të stabilitetit makroekonomik.
Faleminderit!”
17/02/2010