E Diel, 1 Nëntor 2026

PAKISTAN – Numri i vdekurve nga sulmi vetëvrasës në stacionin e policise rritet në 14

PESHAWAR, 10 maj /ATSH/- Numri i viktimave nga sulmi vetëvrasës ndaj një stacioni policie, në veriperëndim të Pakistanit është rritur në 14 efektivë policie, njoftuan sot autoritetet, raportoi AP.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë një grup i shkëputur i vetëshpallur i Talibanëve të Pakistanit.

Sipas zyrtarit të lartë të policisë, Sajjad Khan, një sulmues vetëvrasës dhe disa persona të armatosur shpërthyen një automjet të mbushur me eksplozivë pranë një stacioni policie në Bannu, në distriktin Khyber Pakhtunkhwa, që kufizohet me Afganistanin, mbrëmjen e djeshme.

Sulmi shkaktoi një përplasje intensive me armë zjarri, gjatë së cilës disa policë u vranë ndërsa shkëmbenin zjarr, ndërsa persona të tjerë humbën jetën më vonë pas shembjes së ndërtesës.

Ekipet e shpëtimit kryen një operacion disaorësh kërkimi me makineri të rënda për nxjerrjen e trupave nga rrënojat, ndërsa Khan tha se tre policë të tjerë janë plagosur.

Forcat e sigurisë kanë nisur gjithashtu një operacion për kapjen e autorëve të sulmit.

Një grup i ri militant, i quajtur “Ittehad-ul-Mujahideen Pakistan”, mori përgjegjësinë për sulmin në një deklaratë dërguar mediave.

Edhe pse grupi pretendon se është formuar nga fraksione të shkëputura të Tehrik-e-Taliban Pakistan (TTP), autoritetet besojnë se ai shërben si një front për TTP-në.

Pakistani ka përjetuar një rritje të dhunës militante në vitet e fundit, ku shumica e sulmeve i atribuohen TTP-së, një grup i veçantë por aleat me talebanët afganë, të cilët morën pushtetin në Afganistan në vitin 2021. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›