KINEMA – Vdes Sally Kirkland, aktorja e nominuar për Oscar

LOS ANXHELES, 11 nentor /ATSH/- Sally Kirkland, një ish-modele dhe aktore e njohur për rolin e saj të nominuar për çmim Oscar në filmin e vitit 1987 “Anna” dhe “The Sting”, në të cilin luajti përkrah Paul Newman dhe Robert Redford, ka vdekur në moshën 84-vjeçare, sipas CBS News.
Kirkland vdiq sot në mëngjes në Palm Springs. Miqtë e saj hapën një llogari “GoFundMe” këtë vjeshtë për t’i dhënë asaj një ndihmë mjekësore. Ata thanë se ajo kishte thyer katër kocka në qafë, kyçin e dorës së djathtë dhe ijën e majtë. Ndërsa po shërohej, ajo gjithashtu pati infeksione, duke kërkuar shtrim në spital dhe rehabilitim.
Kirkland luajti në filma të njohur si, “The Way We Were” (1973) me Barbra Streisand, “Revenge” (1990) me Kevin Costner, “Cold Feet” (1989) me Keith Carradine dhe Tom Waits, “EDtv” (1999) me Ron Howard, “JFK” (1991) me Oliver Stone, “Heatwave” (1990) me Cicely Tyson, “High Stakes” (1989) me Kathy Bates, “Bruce Almighty” me Jim Carrey – dhe filmin televiziv të vitit 1991 “The Haunted”, që flet për një familje që përballet me aktivitete paranormale.
Ajo pati një rol të shkurtër në “Blazing Saddles” (1974) me regji të Mel Brooks.
Roli i saj më i madh ishte në filmin “Anna” të vitit 1987.
Kirkland fitoi Globin e Artë dhe një nominim për çmim “Oscar” së bashku me Cher në filmin “Moonstruck” (1987), Glenn Close në “Fatal Attraction” (1987), Holly Hunter në “Broadcast News” (1987) dhe Meryl Streep në “Ironweed” (1987). Çmimi Oscar, atë vit iu dorëzua Cher.
E lindur në Nju Jork, nëna e Kirkland ishte redaktore në revistat “Vogue” dhe “Life”, e cila e nxiti vajzën e saj të modelonte që në moshën 5-vjeçare.
Kirkland u diplomua në Akademinë Amerikane të Arteve Dramatike dhe studioi me Philip Burton, mentorin e Richard Burton, dhe Lee Strasberg, mjeshtrin e shkollës së aktrimit Method.
Një sukses i hershëm ishte shfaqja në filmin “13 Most Beautiful Women” me regji të Andy Warhol në vitin 1964. Ajo, gjithashtu u shfaq në filmin “Sweet Eros” (1968) të Terrence McNally. //a.i/